20 Shkurti dhe
opozita e Pallatit

20 Shkurti dhe<br />opozita e Pallatit
“Edhe nëse ikim drejtësinë e kemi kopsitur” – më tha një i njohuri im, militant i PD-së, pak ditë para 23 Qershorit, shpresa e vetme e të cilit për të fituar ishte profecia e “Doktorit”. Kjo thënie është në bazamentin e të bërit opozitë të PD-së akoma të Sali Berishës, që po nxiton të vërë Qeverinë nën presionin e rrugës. Nëpërmjet këtij presioni ish Kryeministri po kërkon të paralizojë denoncimet e pritshme nga ana e strukturave të reja të Qeverisë, të vetmin rrezik që mund ti vijë për shkak të përfshirjes së tij në ngjarje si Gërdeci, 21 Janari dhe afera korruptive që lidhen me favorizime të paligjshme.

Nuk do shumë mend për të kuptuar se Sali Berishës po i sillet miza e verdhë. Ata që besojnë te shteti ligjor duhet të besojnë se nuk ka shtet të tillë pa u shkuar deri në fund disa çështjeve me ndjeshmëri të madhe botore. Në këtë kuptim, herët a vonë, është e sigurtë që Saliu dhe i Biri do të thirren në Prokurori, së paku për Gërdecin dhe 21 Janarin, siç është e sigurtë se Lul Basha do të thirret për çëshjen Rrugës së Kombit të mbyllur me procedura kohore.

Në pastë ndonjëherë shtet ligjor po. Politikanët, e kushdoqoftë tjetër, duhet të edukohen të mos pretendojnë ti mbyllin çështjet me protesta dhe demonstrata por me procese gjyqësore të rregullta.Lufta për shtetin është në rend të për luftë për drejtësinë dhe si e tillë është lufta me kohën. Sepse ndryshimi, duke zbatuar ligjin, kërkon kohën e vet. Dhe këtu qëndron i gjithë problemi.

Në opinionin botor shqiptar Prokurori i Përgjithshëm konsiderohet si njeriu i zgjedhur posaçërisht për të mos e kërcënuar ligjërisht Sali Berishën. Deklarata e Kryeministrit Rama në Parlament për të kërkuar një prokuror ndërkombëtar që të hetoje 21 Janarin e konfirmon këtë. Gjykata e Lartë, po ashtu, është plotësuar me njerëz për të cilët thuhet se është kujdesur Sali Berisha.

Kjo trupë gjyqësore është siguresa e fundir për të ruajtur “rrjetin e Berishës” edhe sikur për një moment “të çmendej” Prokuroria.
Para se të ikte Sali Berisha bëri kujdes të posaçëm për ti garantuar këto insitutucione, kështu siç janë, tek vuri në krye të shtetit një prej njerëzve të tij besnikë, Presidentin Bujar Nishani. Nuk ka asnjë të keqe që vuri një njeri të tijin, por e keqja qëndron te arsyeja përse e vuri.

Me mënyrën se si i ka kopsitur gjërat, Sali Berisha do duhej të ndihej i qetë. Po përse nuk është i tillë dhe përse po vazhdon me gjuhën që e çoi në humbje katastrofike? Abuzimi i rrjetit të tij politiko-familjar ka i qenë aq i madh sa nuk ka drejtësi në botë që mund të heshtë.

Të vrarët e Gërdecit dhe 21 Janarit janë aty, pronat e grabitura nëpërmjet abuzimit me pushtetin janë aty, apartamentet në Tiranë dhe vilat në zona turistike janë aty, viktimat për shkak të pushtetit të tij janë aty. E çfarë duhet më shumë se kaq? Fakti që ai nuk ka fare frikë të përmendë pallatin e prishur të Lulzim Bashës në Vlorë është rezultati i gjithë historisë së tij qeverisëse. Që tregon se këtu drejtësia ka vdekur kur është fjala për të ndëshkuar sunduesit.

Mbajtja e vendit nën tension politik është rruga që ka i zgjedhur Sali Berisha për të bërë kompromis me shtetin e së drejtës. Duke vënë nën presion Qeverinë ai po kërkon në dy gjëra: së pari, ti paraprijë justifikimit të një akuze të mundshme ndaj “rrjetit” nga strukturat qeveritare ekzistuese dhe ato që pritet të krijohen dhe, së dyti, të mbajë të karikuar të tijët në organet e drejtësisë. Por koha nuk është aleate e tij. Pas katër vitesh Berisha është më i papushteshëm, më i lodhur, më i studiuar dhe si i tillë më i ndëshkueshëm.

Protesta e 20 shkurtit ishte një dalje e sforcuar e Lulzim Bashës nën presionin e Berishës. A ka njeri në këtë vend që të besojë se fajin për gjendjen ekonomike e ka Edi Rama në 5 muaj qeverisje dhe jo Sali Berisha e bashkë me të Lul Basha në 8 vite? A ka njeri ta besojë se gjendja ekonomike mund të ndryshojë në 5 muaj, në kushtet e një krize të paparë edhe për shkak të keqqeverisjes? A ka hipokrizi më të madhe se të dalin shakaktarët e krizës dhe të kërkojnë llogari për krizën? A i ka i hije pushtetarit Lul Basha që nuk ka bërë të dalë e të kërkojë llogari për ekonominë për punë muajsh?
 
Bulevardi nuk ishte ai i përmasave që duhej të kishte një opozitë e fortë. PD-ja i ngjan një trupi të sakatuar që, në vend të merret me veten, merret me të tjerët. Opozita duhet të protestojë kur është gati. PD-ja është kurrëkund. Sikur nesër të bëheshin zgjedhje të reja opozita ajo shkon më keq se më 23 Qershor. Por nuk është kjo më e keqja. Opozita bëhet qesharake kur mendon të protestojë nga inati se Qeveria i ka i prishur pallatin milionash të pajustifikuara kryetarit të saj. Më 20 shkurt ne pamë opozitën e Pallatit. Gjë që Sali Berisha e vajton sa herë shkruan në rrjetin e tij social tek flet për “hedhje në erë të ndërtimeve me leje.” Sepse sa herë ëndërron i del përpara Pallati. Aty ku ishte, në mes të detit.
 
Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak