200 vjetori i lindjes, Xhuzepe Verdi
nderime për kompozitorin edhe në Shqipëri

200 vjetori i lindjes, Xhuzepe Verdi<br />nderime për kompozitorin edhe në Shqipëri
TIRANE -Veprimtaritë e Institutit Italian të Kulturës dhe Stina Koncertore  e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë do të rifillojnë me një aktivitet kushtuar kompozitorit të madh Giuseppe Verdi me rastin e dyqind vjetorit të lindjes së tij.

Aktiviteti është rezultat i një bashkëpunimi të rëndësishëm midis Shqipërisë dhe Italisë, që do të bashkojë Orkestrën Rinore të Shkollës së Muzikës Fiesole, Orkestrën Rinore Shqiptare, themeluar kohët e fundit dhe Korin e Teatrit të Operas dhe Baletit në shfaqjen e parë në Shqipëri të Requiem të Verdit.

Requiem-i do të shfaqet për herë të parë të mërkurën më 11 shtator në Tiranë, në Teatrin e Operas dhe të Baletit, në orën 19:30. Të nesërmen, më 12 shtator, dy orkestrat rinore prej 86 muzikantësh shqiptarë dhe italianë, 60 koristë të Teatrit të Operas, dhe katër solistët Serena Daolio, soprano; Cristina Melis, mezzo - soprano; Alessandro Liberatore, tenor; Raffaele Costantini, bas do të zhvendosen në Shkodër për të interpretuar në Kishën Françeskane.     
Angazhimi i dy orkestrave, asaj të Fiesole-s dhe asaj shqiptare, do të vazhdojë në Itali, në Pisa, më 14 shtator, kur, nën drejtimin e M° Ceçato-s, muzikantët e rinj do të kenë nderin të hapin Përmbledhjen Ndërkombëtare të Muzikës së Shenjtë Anima Mundi, drejtuar nga Sir John Eliot Gardiner dhe kushtuar këtë vit Verdit.

Homazhet ndaj Verdi-t do të pasurohen me prezantimin e një Ekspozite Antologjike të Partiturave Verdiane propozuar nga Akademia Kombëtare e Artit Antik dhe Modern dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, nën Patronazhin e Lartë të Presidentit të Republikës italiane. Ekspozita do të përurohet të mërkurën, më 11 shtator në orën 19, në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku do të prezantohen rreth 30 partitura origjinale të asaj kohe të veprave të Verdit, me qëllim promovimin e një aspekti pak të njohur në përhapjen së muzikës, siç është imazhi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024