Teksa Presidenti i Republikës ka caktuar datën 18 Qershor për zgjedhjen e ligjvënësve të rinj, Partia Demokratike, e cila ka shënuar pesë humbje radhazi që nga viti 2011, i sheh grekët si një mundësi për të maksimalizuar votat, sidomos në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës. Sinjalin dhe mesazhin e parë për një bashkëpunim të mundshëm e kanë dhënë disa muaj më parë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, pas një takimi kokë më kokë në selinë e Partisë Demokratike.
Por, tensionimi i marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, kërcënimet e udhëheqësve grekë ndaj qeverisë shqiptare, shtrimi për diskutim i Çështjes Çame nga qeveria “Rama” dhe deklarata e ish-kryeministrit Berisha në shërbim të Athinës, për ndërhyrjen e Turqisë në rrëzimin e paktit detar, duket se kanë afruar më tej Partinë Demokratike me partinë e grekëve në Shqipëri.
Lëvizja
Me direktiva të Partisë Demokratike të Tiranës ka një miksim të strukturave të PD në Vlorë dhe Himarë me strukturat e PBDNJ dhe përfaqësues të OMONIA. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i aleancës nga Basha dhe Dule. Madje, ish-kreu i PD dega Vlorë, Moisi Meminaj, thotë për Shqiptarja.com se PD është kthyer në strehëz e qarqeve greke. “Zgjedhjet në Himarë, përveç aktit patriotik, kemi edhe një fiktivitet të madh në organizim. Organizimi ishte i degjeneruar. Nga 100 delegatë, morën pjesë 37, prej të cilëve 25 votuan Andrea Gjonin, i cili vjen nga OMONIA. Partia Demokratike është kthyer në strehëz e qarqeve greke. Është kthyer në shtojcë e PBDNJ”, ka pohuar Meminaj.
Ndëshkimi
Afrimi i Partisë Demokratike me PBDNJ si dhe katapultimi i njerëzve të PBDNJ-OMONIA në strukturat e PD, është kundërshtuar nga përfaqësues të PD, me kontribut 25-vjeçar. Por, sipas burimeve nga PD dega Vlorë, ndëshkimi nga PD-ja e Tiranës, nuk ka vonuar. Disa krerë degësh dhe grupseksionesh, të cilët janë pozicionuar kundra, janë shkarkuar me shkresa nga Tirana. Ditët e fundit mësohet se është shkarkuar, me një shkresë po nga PD-ja e Tiranës, kreu u grupseksionit numër tre, dega Vlorë. Gjithashtu, në zonat ku PBDNJ ka influencë, Partia Demokratike ka nisur spostimin e edhe të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj tradicionalë.
Tre aleatët e rinj
Tre do të jenë aleatët e rinj të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, në zgjedhjet e 18 Qershorit 2017; Kryetari i PBDNJ, Vangjel Duke, i cili herë ka shkuar majtas dhe herë djathtas, kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu dhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.
Spahiu dhe Duka kanë deklaruar rreshtimin me Partinë Demokratike, ndërsa pritet edhe zyrtarizimi nga ana e Vangjel Dules. Ndërkaq, Partia Socialiste pritet të ruajë strukturën e koalicionit të zgjedhjeve të 2015. Në kampin socialist presin vetëm zyrtarizimin e qëndrimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila për shkak të peshës së saj në elektoral, duke se do të jetë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve të 2017.
Në zgjedhjet lokale të 2015, nëse i referohemi votës politike, diferenca mes koalicionit të majtë dhe koalicionit të djathë, është thelluar me rreth 500 mijë vota. Duke iu referuar gjithnjë votës politike në zgjedhjet lokale të 2015 dhe aleancës së mundshme tre parti të tjera, Partia Demokratike do të shkojë në zgjedhjet e 2017 me minus rreth 450 mijë vota.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com