2020-ta/Akademia e Studimeve Albanologjike boton 60 tituj, akademiku: Botimet më të mira duhet përkthyer në gjuhë të huaj (VIDEO)

Akademia e Studimeve Albanologjike botoi rreth 60 tituj për vitin 2020. Rektori i këtij institucioni, Marenglen Verli, për “ReportTV” rrëfen se si specialistët e instituteve të historisë, gjuhësisë, letërsisë, antropologjisë kulturore, arteve dhe arkeologjisë me vetëm 4 milionë lekë kanë botuar 60 tituj të rinj, në të cilat përfshijnë dokumente arkivore, studime, monografi, fjalorë të gjuhës shqipe dhe revista.

“Edhe për ne viti që lamë pas për shkak të pandemisë Covid 19 ka pas vështirësitë e veta. Por, produkti ynë është dorëzuar deri në maj të 2020-s. Produkti i sivjetmë do të na tregoj se sa na ka prekur pandemia. Ne kemi pezulluar konferencat, Ditët e Albanologjisë etj., por produkti i vitit ishte i begatë. Kemi realizuar monografi, përmbledhje studimesh, të akteve të rëndësishme të konferencave, është shtuar gama e botimeve dokumentare etj”.

Gjatë viteve të fundit, ASA ka botuar rreth 1 mln dokumente të marra nga arkivat e huaja në fushën e historisë, por ku shkojnë këto botime me tirazh 200 deri 300 kopje?

“Botimet tona shkojnë në gjithë institucionet analoge, universitete publike, bibliotekat e vendit edhe pse jo edhe në ato të bibliotekat e shkollave të mesme, pse jo të mos shkojnë edhe jashtë përmes Ministrisë së Diasporës apo asaj të Jashtme. Ajo që ne na mbetet për në të ardhmen dhe që ndoshta do të gjejë një rrugë, që deri më tani se ka gjet, është që publikimet më të mira tona të realizohen në gjuhë të huaja, që jo vetëm albanologët, por edhe elita politike e vendeve që kanë lidhje apo interesa për Shqipërinë, të kenë materialin tonë, jo vetëm të fqinjëve, që të gjykojnë realisht mbi botën shqiptare”, thotë Verli.

Një nga problematikat më të mëdha për albanologët është botimi i një Fjalori për Gjuhën Shqipe, që të tejkalojë atë të vitit 1980. Por, çfarë duhet për këtë?

“Në 70 vite janë botuar disa fjalorë, secili ka vlera dhe mangësitë e veta. Njerëzit që dikur kanë qenë më shumë, janë rralluar. Në ‘90 në fushën e Albanologjisë kanë qenë studiues edhe forca ndihmëse 300, sot jemi 100. Gjuhëtarët tanë janë të gatshëm që t’i prijnë kësaj pune, duhet një bashkëpunim dhe me kolegët jashtë Shqipërisë, por duhet edhe dëshira e mirë dhe vëmendja e duhur morale edhe materiale. Studime parciale janë bërë, por një fjalor gjithëpërfshirës do mbështetje serioze. Duhet disa vite punë”.

Fusha e Albanologjisë, e cilësuar si më e rëndësishmja për ruajtjen edhe promovimin e identitetit të shqiptarëve jashtë kufijve, ka në dispozicion thërrime. Megjithatë, Verli tregon mënyrën se si kjo fushë mund të promovohet më shumë

Albanologjia është fusha, ndoshta jo e vetmja, por më rëndësishmja, që ne jemi origjinalë edhe përmes zhvillimit të këtyre shkencave i japim pasaportën vendit dhe kombit. Natyrisht, edhe një adrenalin që të dalë përtej entuziazmit të një ndeshje të mirë në stadium, por kjo kërkon që zhvillimi i këtyre shkencave të jepet në mënyrë racionale në shkolla. Besoj se në mënyrën e duhur instancat eprore duhet të zhvillojnë takime dhe të gjejnë mjetet që të bëhet e gjithë kjo që duhet bërë”, përfundon Verli.

Buxheti vjetor i Akademisë së Studimeve Albanologjike është rreth 20 milionë lekë, ndërsa burimet njerëzore, studiues edhe administratë 100 persona.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty