Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe online përfaqëson një nga përpjekjet më të rëndësishme për ruajtjen, standardizimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në epokën digjitale. Megjithatë pas publikimit më 12 janar të këtij viti ky fjalor ka shkaktuar debate dhe kundërshti për përkufizimet e disa fjalëve.
Teuta Toska gjuhëtare dhe njëherësh redaktore e fjalorit të ri tha në ‘Sot Live në Shqipëri’ se fjalorit i janë shtuar 40 mijë fjalë të reja.
“Janë shtuar 40 mijë fjalë të reja, fjalë që janë krijuar rishtazi në gjuhën shqipe. Shqipja është zhvilluar shumë pas viteve '90. Ky është një fjalor i madh që përfshin pasuri dialektore, të regjistrave specialë - të artit kulturës, mund të kemi edhe orientalizama. Për shembull një ndër to është fjala 'ecejake'. Fjalët do të shkruhen ashtu siç shqiptohen për shembull fjala gugëlloj”, tha Toska teksa shtoi se para viteve ’90 fjalori ishte si një lloj diktati dhe gjuhëtarët ishin në thelb normativ - pra vendosnin norma, rregulla si shkruhej apo shqiptohet një fjalë.
Më tej Toska komentoi edhe fjalën 'online' e cila ka sjellë mjaft reagime nga publiku i gjerë.
“Fjala ‘online’ do të të shkruhet ‘onljan’, është një fjalë angleze që është përdorëur gjerësisht në shqipe. Pati një debat për këtë. Kjo fjalë është në grupin e atyre fjalëve të cilat nuk kanë të hyrë të plota në shqipe. Unë do ta shkruaj me ‘j’ përderisa thotë fjalori”, shton ajo.
Ndër të tjera redaktorja nënvizoi se ka bashkëpunuar me specialistë për hartimin e termave të ndryshëm.
“Fjalori ka shumë terma nga fusha të ndryshme dhe kam qenë në kontakt me specialistë. Unë kam komunikuar me ta për të parë si unë kam hartuar një fjalë të caktuar. Në momentin që përshkruhet një term ai duhet të jetë sa më i saktë dhe i thjeshtë dhe të kuptohet nga pjesa më e madhe të njerëzve. Fjalori do të jetë për nëntë muaj në dorë të publikut. Unë e ftoj publikun që të bëjë sugjerime, sepse fjalori është pronë e të gjithëve", tha ajo.
Sa i përket debateve se autorë nga Kosova nuk kanë marrë pjesë në hartimin e fjalorit Toska tha se kjo nuk është e vërtetë.
"Ne kemi bashkëpunuar me pesë ose gjashtë autorë që kanë qenë nga Kosova - pra kjo do të thotë se kanë sjellë realitetin e ligjërimit në Kosovë. Kur ka nisur ky projekt madhor Akademia e Shkencave kanë ftuar të gjithë leksikografët të vjetër e të rinj", tha Toska.
Komente












