Nuk është ende koha të pyesim se ku përfundoi tranzicioni energjetik, por viti që sapo ka nisur duket se nuk e ka atë si protagonist. Të paktën në planin e politikës dhe institucioneve. Në realitetin e tregut, siç do të shohim, sinjalet janë më pak negative. Aktori kryesor absolut, si dhe ndoshta edhe më shumë se vitet ’70, është nafta: në burim fosil, fundi i së cilës u shpall më kot në konferencat për klimën. Dallimi themelor me krizat e shekullit të kaluar është se çmimet e fuçive të naftës nuk lëvizin. Madje bien paksa.

Rrëzimi  i diktatorit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara kishte si objektiv kryesor përvetësimin e naftës së Karakasit. Qëllimi i parë i shpallur, lufta kundër narkotrafikut, e cila ndoshta do të justifikonte një veprim mbrojtës ndaj një kërcënimi të jashtëm hibrid, kaloi shpejt në plan të dytë.  Aq sa një nga akuzat ndaj Maduros, se ishte në krye të një karteli droge, ra pothuajse menjëherë. Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, madje më të mëdha edhe se ato të Arabisë Saudite.

Kjo, gjithmonë duke supozuar se riklasifikimi i vendburimeve të Orinokos, i kërkuar nga Hugo Chavez, është i besueshëm.

Një biznes pak i leverdishëm?

Disa dyshime janë të ligjshme. Dhe pak rëndësi ka që nafta e saj është e cilësisë së dobët: shumë e rëndë, me përqindje të lartë squfuri. Vlera e saj gjeopolitike shkon përtej çmimit në treg. Qëllimi është t’i hiqet ajo, bashkë me vendin, ndikimit të armiqve si Kina dhe Rusia.

Edhe pse,  siç vëren Salvatore Carollo, i cili punoi për bashkimin e kompanive Eni dhe Chevron, kushtet e industrisë së naftës në Karakas janë aq të prapambetura sa do të duhen dhjetë vjet për të dyfishuar prodhimin që sot arrin në 800 mijë fuçi në ditë. Dhe është krejt e pamundur, siç ka shkruar “La Staffetta Petrolifera”, që kompanitë amerikane të duan të angazhohen në investime kaq të mëdha (është folur për 165 miliardë).

“Edhe sepse, vazhdon Carollo, pavarësisht çfarë thotë Trump, ato kujdesen për profilin e qëndrueshmërisë, për imazhin e tyre. Nuk duan të duken si fuqi koloniale të shoqëruara nga marinsat. Sipas meje, janë të interesuara të shlyhen me naftën e Karakasit për kreditë e bllokuara, por jo më tepër.”

Pra, nuk duket ndonjë biznes i madh.

“Shtetet e Bashkuara, edhe falë ‘shale oil’, kanë mjaftueshëm naftë. Ato kanë nevojë sidomos për benzinë dhe ajo venezuelane mund të përzihet duke zëvendësuar atë kanadeze, duke ulur varësinë nga importet e Otavës, paradoksale në sektorin e gazit të lëngshëm që pastaj u shitet të gjithëve. Dhe te ne kushton katër herë më shumë se në Amerikë.”

Synime strategjike

Por ka edhe një aspekt tjetër strategjik që ndoshta shpjegon më mirë lëvizjen e Shtëpisë së Bardhë dhe nxitimin për ta mbyllur konfliktin në Ukrainë. “Moska ka arritur, përfundon Carollo, të krijojë një sistem alternativ, dhe në disa aspekte të fshehtë, të tregtimit të naftës që e anashkalon plotësisht përdorimin e dollarit dhe kërcënon rolin e tij qendror.”

Prej këtej vjen edhe sekuestrimi i bujshëm i cisternës ruse “Marinera”.

Pasi përfundoi operacionin në oborrin e vet, apo të supozuar si i tillë, sipas doktrinës së pagëzuar 'Donroe', presidenti amerikan e zhvendosi vëmendjen te Groenlanda, të cilën prej kohësh e konsideron si një territor “nën yjet dhe vijat” amerikane. Debati publik u fokusua, në mënyrë të pashmangshme, te aspektet ushtarake dhe ligjore, te përkatësia e atij territori ndaj Danimarkës, e cila ndër të tjera është pjesë e NATO-s.

Është folur shumë për “thesaret” që ruan Groenlanda, për mundësitë e pafundme ekonomike nga shfrytëzimi i burimeve të saj, por jo për faktin e hidhur dhe shqetësues, se të qënit në qendër pas shekujsh harrese të akullt, është pasojë e drejtpërdrejtë e ngrohjes globale.

Rrugë të reja?

Tashmë është sikur të jemi dorëzuar Kështu qenka. Hapja e rrugëve arktike u përshëndet si fillimi i një Eldoradoje të re të lundrimit detar. Alessandro Giraudo, autor i disa librave të vlerësuar të historisë ekonomike, thekson faktin e jashtëzakonshëm që pikërisht këto ditë një anije kineze ka bërë udhëtimin nga Shangai në Mbretërinë e Bashkuar për vetëm 20 ditë, duke përgjysmuar kohët e udhëtimit. Pak a shumë si në epokën e artë të eksplorimeve, me Vasco da Gamën, i pari që arriti në Indi nga Portugalia.

Por nuk jemi në fund të shekullit XV. Kemi “rizbuluar” Amerikën, atë të Trumpit, në një mënyrë tjetër. Të pakëndshme.

Të dhënat klimatike duken se i interesojnë më pak. Ose më mirë: hiqen nga mendja me një lehtësi më të madhe dhe hipokrite. Dhe nëse kësaj i shtohet edhe rishikimi europian i Marrëveshjes së Gjelbër, nuk ka shumë arsye të besohet se 2026 do të jetë vit i vëmendjes së madhe ndaj tranzicionit energjetik. E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, të dhënat janë inkurajuese.

Dekarbonizimi është i mundur

Energjia elektrike e prodhuar nga dielli e ka kaluar atë të qymyrit, aq sa revista Science e ka shpallur teknologji të vitit. “Dhe po ndodh një revolucion i heshtur, komenton Stefano Ciafani, president i Legambiente.

"Në 2024, 92.5% e investimeve globale në prodhimin e energjisë elektrike kanë shkuar për të rinovueshmet dhe vetëm 7.5% për burimet fosile. Dhe po të shohim Italinë, në nëntorin e kaluar, bazuar në të dhënat e Ternas, pati rekord të vënies në punë të burimeve të pastra me gjithsej një gigavat.  Në një muaj të vetëm, aq sa bënim deri pak kohë më parë në një vit. Duhet të bëjmë 80 gigavat kapacitete shtesë deri në 2030. Objektivi i dekarbonizimit i parashikuar nga Pniec, Plani Kombëtar për Energjinë, është i arritshëm. Dhe kjo pavarësisht rezistencave rajonale, edhe nga administrata të qendrës së majtë si Sardenja, Toskana apo Emilia-Romagna.”

Këto ditë dolën edhe të dhënat e përgjithshme për emetimet e 2024-ës. Sipas raportit të Joint Research Center të Komisionit Europian, emetimet totale ishin 53.5 gigatonë dioksid karboni, me rritje 1.3%. Vetëm ato të vendeve europiane (bashkë me Japoninë) ranë, me 1.8%. Intensiteti i emetimeve për njësi PBB-je të prodhuar u ul pak : një shenjë e vogël eficience energjetike. Duke parë peshën e vogël të BE-së në totalin e emetimeve (6%), lind pyetja nëse përpjekja europiane ia vlen.

Fati i tranzicionit

“Kjo pyetje është keq e formuluar dhe të çon në rrugë të gabuar, shpjegon ekonomisti mjedisor Andrea Sbandati,  në debatin për gjeopolitikën na shpëton se fuqia kineze është edhe, e mbi të gjitha, te burimet e rinovueshme, dhe Europa mund ta mbrojë më mirë, duke e përshpejtuar me zgjuarsi tranzicionin energjetik, atë aktivitet industrial që do të jetë themelor në vitet e ardhshme. Sepse rruga është ajo. Do të jetë më e ngadaltë, por është ajo. Nuk kthehemi mbrapa. Të rinovueshmet nuk mjaftojnë, energjia nuk është vetëm elektricitet, por janë e vetmja mënyrë që në të ardhmen të jemi pak më të pavarur energjetikisht. Dhe, duke parë çfarë po ndodh në botë këto ditë, kjo nuk është pak.”

A do ta shpëtojë tregu tranzicionin, pavarësisht qeverive dhe institucioneve? Ky është një nga pyetjet e mëdha të vitit 2026. /Corrieredellasera