TIRANE - Në seancën sotme për çështjen e 21 janarit janë marrë në pyetje 2 ekspertët Gani Jahelezi dhe Dritan Zoto, në lidhje me ekspertizën e predhës që i shkaktoi vdekjen Ziver Veizi në demostratën e 21 janarit 2011, para Kryeministrisë.

Avokati mbrojtës i të pandehurve, Genc Gjokutaj i dorëzoi 15 pyetje ekspertit Dritan Zoto, në lidhje me ekspertizën e predhës që vrau Ziver Veizin, që e dorëzoi në seancën e 7 janarit, ku deklaroi se Veizi nuk është vrarë nga një plumb rikoshet.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që pyetjes të dorëzohen me shkrim dhe vendosi datën 11 për përgjigjen e pyetjeve

Avokati mbrojtës Besnik Çerekja i drejtoi një pyetje ekspertit Gani Jahelezi se “a mund të na jepni një distancë gjatë secilës predha dhe copëzat e drunjta ndjekin njëra-tjetrën?” Jahelezi u përgjigj duke thënë se “distanca varet nga pozicioni i goditjes dhe energjia që ka predha”.

Ndërkohë që avokati mbrojtës i të pandehurve, Genc Gjokutaj i bëri pyetjen drejtuar Dritan Zotos "nëse vetëm predha mbart gjurmët e kontaktit?", Zoto është përgjigjur: "Po vetëm predha mbart gjurmët e kontaktit apo kalimit nëpër pengesa, gjurmë që depozitohen në faqet anësore të gjurmëve të vjaskave”. Më tej eksperti Zoto shpjegon se “nëse predha do të kishte goditur një material të drunjtë, do kishte depozituar mbetje të drunjta”.

DESHMITE KONTRADIKTORE TE EKSPERTEVE
Në seancën e 7 janarit 2013 eksperti i thirrur nga Prokuroria Dritan Zoto, deklaroi se Ziver Veizi është vrarë nga një plumb i drejtëpërdrejtë. “Plumbi që vrau protestuesin Ziver Veizi nuk ishte rikoshet”. Deklaroi eksperti i kriminalistikës në seancën gjyqësore të 7 janarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Argumentit pse plumbi nuk ishte rikoshet, Zoto tha se predha ka bërë takim me trupa të tjera dhe kjo është arsyeja pse ashklat e drurit u gjetën në predhën që vrau Ziver Veizin.

"Predha e gjetur në autopsinë e Ziver Veizit, objekt ekspertimi, gjatë lëvizjes së saj, nuk mund të ketë shoqëruar dy copëzat e drunjta të gjetura në këmishën e viktimës Ziver Veizi, objekt ekspertimi", thuhet në konkluzionet e ekspertit Dritan Zoto.

Ndërkohë që seancën e kaluar, më 26 dhjetor 2012, eksperti Gani Jahelezi i thirrur nga avokati mbrojtës deklaroi se plumbi ishte rikoshet. Sipas ekspertit kriminalist, Gani Jahelezi, predha ka udhëtuar së bashku me dy ashklat mikroskopike në trupin e të ndjerit, çka nënkupton se viktima është qëlluar nga një predhë rikoshet.

Eksperti Gani Jahelezi ka deklaruar në seancën e 26 dhjetorit 2012 të dosjes së "21 janarit" se shkencërisht është e mundur që dy ashklat e drurit të gjetura në predhën që dyshohet se ka vrarë Ziver Veizin të kenë udhëtuar në të njëjtën trajektore me predhën edhe pse shpejtësia e lëvizjes është shumë e lartë. Sipas Jahelezit dy ashklat mund të kenë shoqëruar predhën të mbetura në të, ose si pasojë e vakumit të madh që krijon shpejtësia e predhës të kenë ndjekur nga pas atë”.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)