TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot dy ekspertë të rinj për ngjarjen e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestuesë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika përpara Kryeministrisë. Dritan Zoto i propozuar nga organi i akuzës dhe Gani Elezi i propozuar nga mbrojtja janë miratuar me vendimin e trupit gjykues, si personat ekspertë për të dhënë përgjigje në lidhje me predhën që dyshohet se ka vrarë Ziver Veizin.

Një seancë më parë organi i akuzës i kërkoi gjykatës të rrëzojë përgjigjet e dhëna nga eskperti mjekoligjor Ndoc Cardaku, me argumentin se një mjek ligjor nuk mund të japë përgjigje të specializuara në fushën e balistikës.

Për vrasjen e Ziver Veizit akuzohet ish-gardisti Agim Llupo. Ky proces vazhdon ende në gjykim dhe pas shumë kohësh për ngjarjen e 21 janarit pas hekurave ndodhet vetëm gardisti Agim Llupo.

Dritan Zoto është ekspert privat i licencuar ndërsa Gani Elezi është ekspert në Policinë e Shtetit. Seanca e radhës është caktuar më 19 dhjetor, ku këta dy ekspertë do të paraqiten në sallën e gjyqit për të marrë pyetjet përkatëse, të cilave duhet t’i japin përgjigje me ekspertizën e tyre.

* Në foto Ziver Veizi, i vrarë në protestën e 21 janarit

(eç/shqiptarja.com)