Është pikërisht ky moment i akt-ekspertimi që prokurorët akuzojnë ekspertin Ndoc Çardaku se me veprimet e tij ka vendosur vetë dy copëzat e ashklave të drunjta në këmishën e Ziverit, duke i nxjerrë më pas si prova materiale.
Fillimisht pamjet tregojnë momentin kur eksperti Ndoc Çardaku ka identifikuar ku është ashkla dhe ka bërë lëvizjen e saj drejt vrimës dhe e lëviz me doreza për arsyen se ashkla e drurit është e vështirë për t’u lëvizur me gishtërinj. Më pas e eksperti kriminalist kërkon klemën në përfundim për të hequr ashklën nga këmisha e të ndjerit Ziver Veizi.
I futuar në studion e lajmeve të televizionit A1 REPOR! gazetari investigativ, Artan Hoxha, ndër të tjera deklaroi se eksperti “nuk e ka menduar se po ta dinte do të ishte përkjekur të mos e bënte këtë ekspertim me video, siç nuk janë bërë dhe ekspertime të tjera”
Hoxha kujton dhe një moment të deklaratës së mjekut të Spitalit Ushtarak pasi u mësua për vrasjet e 21 Janarit, ku thotë se “në vrimat hyrëse të të tre viktimave ka pasur djegie dhe gjurmë baruti”, çka tregon se vrasjet janë bërë nga afër.
Gjatë ekspertimit, video ka momente të turbullta të pamjeve filmike ndëra për disa momente me gishta të fiksuar në këmishën e Ziver Veizit, eksperti Ndoc Çardaku duket qartë se është në pritje për të gjetur diçka në një vrimë në këmishë, ku nuk duket asgjë. Pas kësaj, nga ndihmësi i tij eksperti kërkon një klemë me anë të së cilës nga brendësia e këmishës nxjerr dy ashkla të drunjta dhe i vendos si prova materiale mbi një letër duke i rrethuar si prova materiale e më pas filmimi ndërpritet. Eksperti dëgjohet të thotë: "Më jep një klemë i çikë.. edhe një letër"
Në një prononcim për mediat (të shtunën e kaluar) zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli mohon dhe thotë se ekspertët e Policisë Shkencore kanë kryer ekzaminimin e provave në vendngjarje me kërkesë të vetë prokurorëve ndërsa puna e tyre është mbikëqyrur nga afër nga oficerë të Policisë Gjyqësore të cilët, pasi firmosën procesverbalet, i morën në dorëzim.
Ndër argumentet me të cilat kërkon apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës në Gjykatën e Apelit, Prokuroria theksonte se në plagën e të ndjerit Ziver Veizi nuk kishte pasur asnjë ashkël dhe akuzonte drejtpërdrejtë ekspertin Ndo Çardaku për manipulimin e kryer me provat në rrobat e tij.
Prokuroria ngre këtë akuzë pasi në ekspertizën e parë të bërë mbi trupin e Ziver Veizit nga FBI dhe nga eksperti i akuzës Dritan Zoto, vrima e hyrjes së plumbit në rrobat e Veizit ka qenë më e vogël, ndërsa në ekspertizën e Ndoc Çardakut është më e madhe gjë që tregon qartë ndërhyrjen.
ÇFARE THUHEJ NE DOKUMENTIN E APELIMIT
“Në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor Nr.26. dt.21.01.2011, në ndryshim nga sa përshkruan gjykata në vendim, vrima në këmishë nuk është e “çrregullt dhe e madhe”, por përshkruhet si “një vrimë me diametër 0.8 cm, me buzë të kthyera nga brenda”. Dëmtimet në trikon gjysëm-golfi, në këshishë, fanellën e leshit, sipas aktit të ekspertimit “korespondojnë me njera-tjetrën” dhe “në indet përreth tyre me sy të lirë përveç gjakut në disa prej tyre, nuk vihen re papastërti të tjera”. Të gjitha këto dëmtime të evidentuara në tesha dhe mungesa e papastërtive përreth tyre, vërtetojnë se në momentin e kqyrjes së tyre nuk është vërejtur as “vrimë hyrje e çrregullt dhe e madhe”, sikundër përshkruan gjykata dhe as “ashkla druri me përmasa deri në 0.31cm”, sikundër pretendoi eksperti Ndoc Çardaku por përkundrazi, në tesha dhe kryesisht në këmishë, vrima e hyrjes është e rregullt, me diametër 0.8cm, me buzë të kthyera nga brenda. Në dy teshat e tjera defekti tejpërtejm(vrima e hyrjes), ka këto përmasa, në triko 0.6x0.2cm, kurse në fanellë 0.7x0.4cm
(Foto, këmisha e Ziverit para ekzaminimit dhe pas nisjes së ekspertizës nga Çardaku/ në rreth të kuq ashkla pas konstatimit nga eksperti)
Mungesa e papastërtive përreth tyre, vërtetojnë se në momentin e kqyrjes së tyre nuk është vërejtur as “vrimë hyrje e çrregullt dhe e madhe”, sikundër përshkruan gjykata dhe as “ashkla druri me përmasa deri në 0.31cm”, sikundër pretendoi eksperti Ndoc Çardaku por përkundrazi, në tesha dhe kryesisht në këmishë, vrima e hyrjes është e rregullt, me diametër 0.8cm, me buzë të kthyera nga brenda. Në dy teshat e tjera defekti tejpërtejm(vrima e hyrjes), ka këto përmasa, në triko 0.6x0.2cm, kurse në fanellë 0.7x0.4cm. Mungesa e papastërtive përreth vendeve të dëmtuara përforcon faktin se 2(dy) ashklat e drurit të cilat nuk ekzistonin në momentin e parë të kqyrjes në dt.21.01.2011, sikundër përshkruan eksperti Dritan Zoto, jo vetëm që nuk kanë qenë në vrimën e këmishës, por tregon qartazi se veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, nuk është një veprim aspak profesional, por ai është një veprim tejet i qëllimshëm(në videon e prezantuar në gjykim, duket qartësisht veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, që shtyn me gisht një ashkël për në vrimën e hyrjes në këmishë dhe e ngjesh aty. Më vonë eksperti, kërkon një “klemë” për ta heëqur atë e për ta administruar si provë)”, thuhet në dokumentin e apelimit të Prokurorisë.
(Foto1: Momenti kur Ndoc Çardaku nis ekspertimin e këmishës)
(Foto2, Momenti kur gishtat (me dorashka) e Ndoc Çardakut i afrohen vrimës në këmishë)
(Foto 3: Momenti kur eskperti përdor klemën për të hequr ashklën)
(Foto 4: Momenti kur eksperti rrethon ashklat dhe i identifikon me gërmë I )
GAZETARI ARTAN HOXHA: EKSPERTIZE TITANIKE PER MANIPULIM, ÇARDAKU VENDOSI ASHKLEN NE KEMISHEN E ZIVERIT
Gazetari investigativ, Artan Hoxha flet për një sintoni në kohë të detajeve që Kryeministri pati deklaruar pak ditë pas vrasjes dhe që u mbështetën më vonë nga ekspertët dhe u morën për bazë nga trupi gjykues. Berisha ka thënë më 23 janar predha është gjetur në trupin e Ziver Veizit ka pasur me vete ashkla druri dhe fibra bimësh, dhe ashtu ndodhi! Sipas ekspertit Ndoc Çardaku, predha e cila ka shkaktuar vdekjen e Ziver Veizit kishte shkuar pasi kishte ndeshur një trup, një pemë dhe mohon që është qëlluar drejtëpërdrejt.
Gazetari Hoxha thotë se Ndoc Çardaku ka afruar një ashkël druri pranë vendit ku ka hyrë predha dhe mënyra si ka shkuar nga pema deri tek viktima është provuar nga ekspertë të tjerë.
"Është bërë ekspertizë titanike për të manipuluar. Kështu siç po shkojnë ngjarjet, drejtësia dhe prokuroria nuk e ka mundësinë dhe është jashtë cdo mundësie të saj të kryejë hetime me persona që kanë imunitet politik. Është vërtetuar që prokuroria nuk mund t'i hetojë personat me imunitet, përfshi këtu dhe kryeministrin” - thotë gazetari investigativ gjatë bisedës në studion e lajmeve në televizionin A1 REPORT.
Tentativë tjetër për të manipuluar të vërtetën e vrasjeve të 21 Janarit, Hoxha shton se është dhe videoja e publikuar pak ditë pas 21 Janarit në internet (Youtube) që hidhte hipotezën se një nga protestuesit e kishte kryer vrasjen.
“Në sfondin e videos dëgjohet zëri i një moderatoreje të një televizioni kombëtar. Duhej të ishte hetuar se kush e hodhi videon në youtube dhe cili ishte qëllimi. Videoja u hodh për të manipuluar pamjet e vërteta”- thotë Hoxha duke shtuar se "pamjet e marra në këtë video janë filmuar nga zyrat e Kuvendit të Kryesisë. Dhe aty askush nuk mund të hyjë vetëm nëse merr leje. Pamjet ishte një kamera e legalizuar nga institucioni i Kuvendit dhe pamjet janë filmuar nga ky pozicion”
Sipas Hoxhës predhat e dala nga arma me të cilën u qëllua Ziver Veizi "nuk bëjnë rikoshetë. Një gjë të tillë e kanë vërtetuar edhe ekspertët britanikë.
Hoxha thotë se u krye dhe porosia e Kryeministrit, i cili pati deklaruar se vendimi do të jepej nga një tjetër prokuror dhe jo Ina Rama. “Kërkesa e prokurorisë është bërë kur i gjithë zinxhiri komandues i organit të hetimit përfshirë në hetimin e 21 Janarit, u largua nga detyra. U largua Sokol Stojani, Ina Rama. Sokol Malaj”
ME PAMJET E FILMUARA NGA MEDIA VRASJET E 21 JANARIT MUND TË RINDËRTOHEN
“Shyqyr zotit dhe falë kurajës e punës të gjithë kameramanëve që kanë parë dhe filmuar skenat ku i qëlloheshin me armë, ngjarjet e 21 janarit mund të rindërtohen.