TIRANE- Familjarët e 4 të vrarëve të 21 janarit reaguan tepër të indinjuar ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës e cila i jep pafajësi ish-komandantit të gardës Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo.

DJALI I FAIK MYRTAJT: DO HAKMERREMI
 
Renato Myrtaj djali i Faik Myrtajt shprehet i dëshpëruar dhe bën me faj kryeministrin Berisha. Renato thotë se për këtë krim Berisha do të përballet me të gjithë familjarët e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtaj, dhe Hekuran Dedës.

“E prisja vendimin. Përderisa kryeministri dha urdhër, normalisht do i mbronte. Akuzoj kryeministrin dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Kryeministri mund të mbulojë shumë mirë gjykatën por nuk ka mbuluar traditat tona të vjetra. Nuk do përballet vetëm me mua por me të gjithë fisin. Nëse do të shuaj tërë fisin tim Aleksit, Ziverit e Faikut vetëm atëherë do qetësohet. Unë kam jetuar dhe në shtete të tjera dhe këto po i shikoj vetëm këtu. E pabesuar. Më ka varrosur për së gjalli. Berisha e ka vendeton (hakmarrjen) të hapur ”- tha Renato për Tv A1 Report menjëherë pas vendimit.



XHAXHAI I ALEKS NIKES: BERISHA PAS VENDIMIT, PRENDIT NUK IA FALIM

 Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika thotë se pas vendimit është kryeministri Berisha. Nika i dërgon mesazh Ndrea Prendit se nuk do ta falin pasi është e vërtetuar se nga arma e tij u vra Aleks Nika. “Djali jonë u vra në demostratë të ligjshme. Ne do presim qëndrimin e opozitës. Drejtësia do të vendoset kur të vendoset shteti ligjor. Ai (Berisha) do të na vërë në vetëgjyqësi e vlla vrasje. Nëse nuk jepet drejtësi atëherë dy duart për një kokë janë. Njerëzit e zakonshëm e parashikuan. Vendimi është i paragjuar, ishte një sentencë që legalizoi vendimin politik të Berishës. Ai ka vrarë dhe 4 vetë në Shkodër, dhe 4 në Tiranë. Përgjegjës është dhe Lulzim Basha, i cili sillet në Tiranë si i pafajshëm. Ai vetë ka thënë se u vranë njerëzit e pafajshëm, por kush i vrau. Prokuroria duhej të insistonte të arrestonte edhe Ndrea Prendin. Ndrean nuk e falim. Është 90 % e vërtetuar se arma e tij ka vrarë Aleksin. Berisha ti vijë turp dhe nuk kërkon falje publike. Mos t’i shkojë mendja që do ti shpëtojë kësaj përgjegjësie. Ne na kanë mbyllur derën.”- tha Mark Nika në një prononcim telefonik për Tv A1 Report.




MOTRA E ZIVERIT : JEMI TE REVOLTUAR ME VENDIMIN

Trëndafile Muhametaj në një prononcim për Tv A1REPORT tha se sot Ziver Veizi u rivra. “Si të reagoj. E kam qarë për herë të dytë vëllain. Nëse ata dolën të pafajshëm atëherë le të na fusin ne në burg. Jemi shumë të indinjuar, të revoltuar dhe të mërzitur për vendimin. Përse ta vrisnin vëllanë tim me duar në xhepa. Çfarë bëri vëllai im me duar në xhepa? Kur e sulmoi institucionin? Jam shumë e indinjuar. Nuk e prisja fare. Çfarë gjykatash janë këto. Atëherë prokuroria nuk funksionon fare, që doli bllof. Jam shumë e shokuar. Vëllai im vdiq por ka lënë dhe dy vëllezër dhe dy motrat. Nuk e lëmë këtu."- tha Muhametaj.





NENA E DEDES: S’KEMI SHPRESE PER DREJTESI, VELLAI: GJYKATA KRIMINELIT
Në një prononcim për kamerën e A1REPORT! nëna e Hekuran Dedës, një prej viktimave të vrarë në 21 janar teksa puth foton shprehet se duhet drejtësi dhe se nuk ka qeveri përderisa kjo çështje u mbyll në këtë formë.

"Duhet drejtësi, kush është ai që thotë se është i pafajshëm, të më vrasi djalin dhe të thotë se jam i pafajshëm. Kush është ajo gjykatë që e shpall të pafajshëm atë që vret njerëz? S’ka drejtësi, s’ka qeveri, se po të kishtë drejtësi ata nuk dilnin të pafajshëm. S’kemi asnjë shpresë për drejtësi. Me duar në xhepa e pa gjithë bota, se nëna se kam parë. Mua vetëm kur më kanë ardh tre ditë më pas, portofoli djalit, paketa, xhaketa, pantallonat. Vetëm celësat, telefonin nuk mi kanë sjellë, nëna këto i kërkoi."

Ndërsa vëllai i Hekuran Dedës shprehet i bindur se do ta ndjekin çështjen deri në fund, derisa të vihet drejtësi.
“Do ti kërkojmë deri në pikën e fundit, me cdo kusht, me cdo çmim, me çdo gjë do ti përballemi deri në pikë të fundit derisa të zbardhet e vërteta e vëllait tonë , e të katër dëshmorëve të vrarëve. I jep gjykata e kriminelit këto vendime, nuk i marrin parasysh. Nuk është prokurori kjo që jep këtë vendim, do ishte dënim në maksimum."