TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës shpalli sot të pafajshëm, specialistin e IT-së në kryeministri, Armando Kasaj, i cili akuzohet se ka fshirë pamjet filmike të 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë.
“Drejtësia e provoi që jam i pafajshëm. Tani do të nis procedurat për dëshpërblim”- deklaroi Kasaj menjëherë pas vendimit të marrë nga gjykata.
Nga ana e saj Prokuroria deklaroi se do të apelonte vendimin.

Në seancën e shkuar, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Kasajt për gjykimin e dosjes në ngarkim të tij në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Nga kjo mënyrë gjykimi, Kasaj përfitonte uljen e një të tretës së masës së dënimit, nëse deklarohej i fajshëm nga Gjykata e Tiranës. Pretendimi i mbrojtjes është pranuar edhe nga përfaqësuesi i akuzës në proces, prokurori Ndini Tavani. Në konkluzionet e prokurorisë u kërkua 2 vjet burg.

Armando Kasaj po gjykohet në një proces të veçuar nga tre të pandehurit e tjerë të dosjes “21 janari”, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi, ish-gardistit Agim Llupo dhe ish-shoferit të Prendit, Margarit Kume. Prokuroria akuzonte Kasajn se ka fshirë pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së Kryeministrisë gjatë orëve të demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011. Në deklarimet e tij, Kasaj ka pranuar vetëm se ka kopjuar pamjet e një prej kamerave dhe gjithçka i është dorëzuar Gardës së Republikës. Kasaj deklaroi kohë më parë, gjatë seancës kur u caktua masa e sigurisë "detyrim paraqitje" nga Gjykata e Apelit se nuk ka qenë ai personi që e ka fshirë serverin, pasi akses në rrjetin kompjuterik kanë pasur edhe disa persona të tjerë.

(sg/shqiptarja.com)