Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi sot homazhe në nderim të katër qytetarëve të pafajshëm që humbën jetën më 21 janar 2011, në një nga ngjarjet më të rënda dhe më të dhimbshme të historisë së demokracisë së re shqiptare.
Në përvjetorin e 15-të të kësaj date, Kryetari i Kuvendit vendosi lule dhe u përkul me respekt përpara kujtimit të dëshmorëve, duke theksuar se 21 Janari mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive të shoqërisë shqiptare dhe një kujtesë e vazhdueshme për përgjegjësinë e shtetit ndaj jetës së qytetarëve.
Kryetari i Kuvendit theksoi se kujtesa është një detyrim njerëzor dhe institucional, ndërsa drejtësia është një detyrim që demokracia shqiptare u ka familjeve të viktimave dhe shoqërisë në tërësi. Pa zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe pa vendosjen e drejtësisë, besimi te institucionet dhe paqja shoqërore mbeten të paplota.
Ai shprehu solidaritetin e tij me familjet e katër viktimave, duke ritheksuar se nderimi i jetëve të humbura dhe mbrojtja e të drejtave themelore të qytetarëve janë themel i shtetit të së drejtës.
Homazhet u zhvilluan në një atmosferë reflektimi dhe respekti, si një thirrje për kujtesë, përgjegjësi shtetërore dhe përkushtim të pandërprerë ndaj vlerave demokratike dhe drejtësisë.
Lajmi kryesor:
Rama: SPAK i vonuar, bëri sikur 21 janari nuk ekziston! S’ka drejtësi të re pa ndëshkimin e krimit më të egër të demokracisë! Homazhe në Bulevard
Komente











