Mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ish-prokurori Ervin Karanxha, avokati Idajet Beqiri, avokatja Alesia Balliu dhe juristi Ilir Xhemalaj (i cili është edhe një nga organizatorët e protestës), diskutuan për dosjen ‘Balluku’, pasi sot u sekuestrua një tjetër vilë e ish-zv.kryeministres (e cila figuronte në emër të Igli Tares), këtë herë në Palasë, e cila dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Ish-prokurori Karanxha tha se ka një rëndim të pozitës së Belinda Ballukut, pasi sipas tij, është shtuar një fakt i ri penal.

Karanxha tha gjithashtu se ‘korrupsioni’ dhe ‘pastrimi i parave’ janë dy nga akuzat më të rënda që peshojnë mbi Belinda Ballukun, teksa kërkoi që të merret një vendim i formës së prerë sa më parë.

“Ka një rëndim të pozitës së Ballukut. Pra përveç vilës së parë në zonën e Dhërmit, kemi një akuzë të re. Akuzat janë në kompleks të tyre. Akuzat e SPAK janë se kemi një lot të unazës së re dhe nga ai kanë ardhur. Pretendohet se vila është në emër të një personi të tretë, por vilat në Dhërmi e Palasë janë në pronësi të Ballukut. Është gjykata që i bie çekiçit në fund. Por ne kemi një akuzë të SPAK, që vila në Palasë është produkt i korrupsionit, i veprës penale në këtë segment.

Kemi një rëndim të pozitës së Ballukut, sepse është shtuar edhe një fakt i ri penal. Kemi një shumë të caktuar parash që diskutohet që… Por mendimi im personal është që SPAK duhet të verifikojë a është bërë puna apo jo. Pra firma a e ka bërë punën siç duhet apo jo. Akuzat më të rënda që Balluku ka janë ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave”, tha Karanxha.

Ndërkohë juristi Xhemalaj tha se protestuesit kanë përreth një muaj i kanë ushtruar presion SPAK, për të arrestuar Belinda Ballukun.

“Ne kemi më shumë se 100 ditë që protestojmë dhe prej rreth një muaj kemi spostuar një grup të protestës te SPAK. Përditë protestohet te SPAK, ku protestuesit mbajnë parullat nëpër duar, një prej të cilave ‘arresto Ballukun’. Ne nuk jemi të kënaqur me këtë lajm. Sepse ne këto ditë kemi disa përgjime që kanë dalë pardje. Kemi rastin e Ballukut. Dhe urojmë që kjo të jetë falë edhe presionit nga protesta”, tha Xhemalaj.

Më pas Xhemalaj kërkoi nga SPAK që të sekuestrojë të gjitha pasuritë e Ballukut, por edhe të gjithë politikanëve të korruptuar. Sekuestrimi i një vile, sipas tij është diçka e papërfillshme, pasi akuzat janë për korrupsion miliona euro.

Ai kërkoi gjithashtu që SPAK të lëvizë më shpejt për përfundimin e hetimeve dhe arrestimin e Ballukut.

“Por ne nuk e kemi vetëm me Ballukun, por e kemi me sistemin në tërësi. Lajmi i Ilir Beqajt para disa kohësh, për ne ishte shumë i turpshëm. Sepse ai akuzohet për një aferë miliona dollarëshe dhe nuk i është konfiskuar asgjë. Edhe këto vilat që konfiskohen janë shumë minimaliste. Zonja në fjalë akuzohet për miliona euro korrupsion. Pra ne do të jemi të kënaqur kur këto lekë të konfiskohen dhe t’u kthehen përsëri shqiptarëve, të futen në skemat e shërbimeve sociale, në skemat e pensioneve, etj. SPAK duhet të lëvizjë shumë më shpejt. Ne duam arrestimin e Ballukut”, tha mes të tjerash Xhemalaj.

Nga ana tjetër, tjetër mendim kishte avokati Idajet Beqiri. Ai tha se në një çështje penale, dyshimet shkojnë gjithmonë në favor të të pandehurit.

Thirrjet për arrestimin e Ballukut, sipas Beqirit janë aventurizma. Ai akuzoi SPAK për paaftësi, duke thënë se Prokuroria e Posaçme në fillim të fut në burg, pastaj kërkon për të gjetur akuzat.

“Problemi është që SPAK thotë se dyshohet se kjo vilë është e Ballukut, por me letra është në emrin e Igli Tares. Çdo dyshim shkon në favor të të pandehurit, është parim botëror ky. Dysho sa të duash ti, por provo që është e imja. Pra jemi në fazën e hetimit, nuk jemi në fazën që është ngritur akuzë. Akuza e vetme që ajo ka është shkelja e barazisë në tendera. Këto të tjerat kur të ngrihen, atëherë po.

Thirrjet për arrestimin e saj janë aventurizma, nuk janë shembull i një shteti ligjor. Kur çështja të hetohet, do të dalë që s’ka lidhje ministrja me tenderat. Ajo maksimumi po të ketë patur ndërhyrje, do ketë për akuzë shpërdorim detyre. SPAK është i vdekur. Pa e kopsitur mirë, regjistron procedim penal. SPAK bën si me Erion Velinë, të fut në burg dhe pastaj të akuzon. Të fut plumbin, thotë të vrava, pastaj thotë ‘tani do të bëj gjyqin’”, tha mes të tjerash Beqiri.

Për avokaten Alesia Balliu, me rëndësi është mos-zvarritja e çështjeve. Ajo i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të dalin sa më shpejtë me një vendim të formës së prerë, si për Belinda Ballukun, ashtu edhe për të gjithë politikanët e akuzuar për korrupsion.

“Ne s’kemi akoma dosjen e plotë të Ballukut. Dhe përderisa nuk kemi dosjen e plotë, zonja në fjalë ka të drejtë të vetëmbrohet. Problemi këtu është me drejtësinë. Pse kjo dosje nuk është e plotë, pse kjo dosje nuk çohet në fund. Unë kërkoj nga institucionet e drejtësisë që të bëjnë detyrën dhe të kenë seriozitet në punën përkatëse. Sepse nuk mund të tejzgjasim këtë çështje që nga 2021”, tha Alesia Balliu.

-------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:38
‘Ju paguan Sali Berisha o shpellarë, jeni korba e sorra’- Organizatori i protestës ‘përplaset’ me avokatin: Sa fiq e rrush paskeni ngrënë more vëlla!

Juristi Ilir Xhemalaj, i cili është edhe një prej organizatorëve të protestave në Tiranë dhe avokati Idajet Beqiri janë ‘përplasur’ mbrëmjen e sotme në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, për dosjen ‘Balluku’ dhe protestat që po zhvillohen në kryeqytet.

Beqiri akuzoi protestuesit dhe organizatorët e tyre se janë të paguar nga kreydemokrati Sali Berisha, ndërkohë nga ana tjetër, Xhemalaj tha se avokati është i lidhur me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Beqiri: Juve ju paguan Sali Berisha. Jeni turni i dytë ju. Mbi 90% e protestuesve janë korba e sorra. 10 % janë të saktë aty. Tirana ka një milionë banorë, aty 200 veta jeni ju dhe shumica nuk janë nga Tirana.

Xhemalaj: Jo, jo e ke gabim.

Beqiri: Po t’i s’je nga Tirana. Ti je nga Patosi andej, me gjithë mua. Je nga Mallakastra e Butë.

Xhemalaj: Jo, jo e ke gabim, unë kam që në 1996-ën në Tiranë. O avokat, po sa fiq e rrush paskeni patur o vlla. Ha fiq njëri, ha rrush tjetri, është turp.

Beqiri: E degraduat komplet protestën. Sepse ato kërkesa që keni juve, nuk realizohen duke thënë ‘Rama n’burg. Në burg të çojnë organet kompetente.

Xhemalaj: E pe ti që e rrethuam Edi Ramën ne në Kryeministri?

Beqiri: Po pse e quan veprim europian këtë ti? Ky është akt shpellar.

Xhemalaj: Macronin e qëlluam më pëllëmbë në Francë.