TIRANE - Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrat e qeverisë që ai drejton dhe familjarët e viktimave të tragjedisë së 21 janarit, kanë zhvilluar homazhe në bulevardin qendror të Tiranës, në vendin ku mbetën të vrarë Hekuran Deda, Ziver Veizi, Aleks Nika si dhe Faik Myrtaj.

Rama i zhvilloi homazhet së bashku me familjarët e viktimave të 21 janarit, pas takimit për rreth 40 minuta që zhvilloi në Kryeministri me këta të fundit, pa praninë e medias. Kryeministri Rama dhe familjarët vendosën lule dhe mbajtën një minutë heshtje në vendet ku u vranë 4 protestuesit e 21 janarit.

Vetë kryeministri ka vendosur që homazhet t’i bëjë në mënyrë të heshtur pa u shprehur në media, ndërsa ka shfrytëzuar rrjetin social Tëitter, ku ka theksuar se asgjë veç drejtësisë nuk mund të mbyllë tragjedinë e 21 janarit.

“Me familjarët e 21 janarit. Koha për të levizur me një alternativë të re kërkimi të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin!” shkruan Rama
 
Katër vjet më parë, pas një proteste të opozitës së atëhershme, u vranë para kryeministrisë 4 persona, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

homazhe
FOTO të tjera

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)