TIRANE - Unioni i gjyqtarëve të Shqipërisë ka dënuar sot mënyrën se si po komentohet nga politika, vendimi i 21 janarit, ndërkohë që nuk i ka kaluar të tria shkallët e gjykimit.
 
Bordi i unionit tha përmes një deklarate se vetëm pasi të kenë përfunduar të gjtiha këto shkallë gjykimi, vendimet mund të jenë objekt analize profesionale dhe të paanshme, veçanërisht ndaj njohjes së të drejtës. Por, sipas tyre, nëse ky proces zëvendësohet, fatalisht dhe në mënyrë populiste, në një fushatë denigrimi dhe përbaltje, kjo rrezikon të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme shanset për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia, pa të cilin aspirata për ndërtimin e konsolidimin e shtetit të së drejtës do të ishte iluzion.

Sipas Unionit të gjyqtarëve kjo do të delegjitimonte punën e vështirë të gjyqtarëve, të cilët çdo ditë e më tepër po përballen me dhunën fizike e verbale të frymëzuar nga kjo klimë. Konsolidimi i sistemit të drejtësisë dhe rritja e besimit të publikut tek ai është një proces që kërkon vizion dhe gjithëpërfshirje. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e gjyqësorit, por para së gjithash e politikës që duhet të gjejë vullnet në këtë drejtim.


DEKLARATA PER SHTYP

UNIONI I GJYQTARËVE TË SHQIPËRISË
BORDI DREJTUES
Nr. 28 Prot.
Datë 14/02/2013
Drejtuar : Te gjitha mediave.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin të informojë edhe njëherë opinionin publik se vendimet e gjykatave, kur përfundon shqyrtimi i tyre në të gjitha shkallët e gjykimit, mund të jenë objekt analize objektive, profesionale dhe të paanshme, veçanërisht nga njohës të së drejtës. Por nëse ky proces zëvendësohet, fatalisht dhe në mënyrë populiste, në një fushatë denigrimi dhe përbaltje, kjo rrezikon të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme shancet për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia, pa të cilin aspirata për ndërtimin e konsolidimin e shtetit të së drejtës do të ishte iluzion.
Gjithashtu kjo do të delegjitimonte punën e vështirë të gjyqtarëve, të cilët çdo ditë e më tepër po përballen me dhunën fizike e verbale të frymëzuar nga kjo klimë. Konsolidimi i sistemit të drejtësisë dhe rritja e besimit të publikut tek ai është një proces që kërkon vizion dhe gjithë përfshirje. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e gjyqësorit, por para së gjithash e politikës që duhet të gjejë vullnet në këtë drejtim.
Duke Ju falenderuar paraprakisht dhe duke Ju uruar punë të mbarë!

Me respekt

Bordi Drejtues i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë


Redaksia Online
(ar.sh/shqiptarja.com)