“Sports Illustrated” ka publikuar një artikull me 10 transferimet më të këqija të këtij sezoni në Premier League. Armando Broja mban vendin e gjashtë, ndërsa pjesë e saj janë disa yje. Lista ku nuk do të donte të ishte askush, kryesohet nga Aleksandër Isak që është pjesë e Liverpoolit.
Për Brojën tregohet në artikull se janë shpenzuar 22 milionë euro. Investimi i Burnleyt për sulmuesin e Chelsea dhe kombëtares shqiptare ka rezultuar i gabuar, ndërsa ekipi i Premier League po shkon drejt rënies në Championship. Artikulli i publikuar në fundin e muajit mars, është shpërndarë së fundmi nga “SPORTbible”.
“Armando Broja ka luajtur deri tani për pesë klube të ndryshme në Premier League. Vetëm periudha e tij me nëntë gola me Southampton mund të konsiderohet e suksesshme. Me periudha zhgënjyese te Chelsea, Fulham, Everton dhe tani Burnley që kanë parë rënien e vlerësimit të sulmuesit.
Vendimi i Burnley për të shpenzuar 22 milionë euro për Brojën gjithmonë dukej i gabuar. Jo vetëm që shqiptari nuk kishte shënuar asnjë gol gjatë dy sezoneve të tij të plota të fundit si huazim, por dëmtimet e vazhdueshme kishin penguar ato periudha të përkohshme larg klubit mëmë Chelsea.
Siç pritej, problemet me dëmtimet e kanë ndjekur atë. Broja ka arritur vetëm 22 paraqitje dhe ka shënuar vetëm një gol. Burnley pësoi një ndryshim të madh dhe humbi në këtë marrëveshje për 24-vjeçarin. Dhe kur përballet me një luftë të pashmangshme për rënie nga kategoria, gabime të tilla mund të jenë fatale”, shkruhet në artikull.
Komente





