22 vjet me profesor Mahir Domin

22 vjet me profesor Mahir Domin
TIRANE- Do ta nis fjalën a kumtin tim modest me një rrëfim të thjeshtë e që ka në thelb thënien urtake e të hershme që thotë: “Njerëzit e zakonshëm vdesin vetëm një herë, kurse njerëzit e shquar vdesin dy herë: kur ndahen së gjallësh me trup dhe, për herë të dytë, kur harrohen. Dhe kjo,natyrisht, është më e dhimbshmja”.

Akademia solemne, në 100-vjetorin e ditëlindjes së Mahir Domit, dëshmon se Ai, ashtu i urtë, i thjeshtë dhe i përvujtë, por me dije e dhunti të jashtëzakonshme si gjuhëtar e si drejtues i Sektorit tonë të Gramatikës e të Dialektologjisë, është ende i paharruar, i dashur e i vlerësuar nga kolegët dhe ish-studentët e tij, që janë gjallë dhe të tubuar në sallën e Akademisë për t’i blatuar nder e fjalë miradije.

Ashtu si 50 vjet më parë, kur  në sallën e konferencave të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë i qe festuar 50-vjetori i ditëlindjes, duke i shprehur nderim e dashuri një plejadë burrash të shquar, që drejtonin atëherë katedrat  e Fakultetit tonë të asaj kohe: prof.Aleks Buda, prof.Zihni Sako, prof.Androkli Kostallari etj. fjalët e të cilëve, ne  (atëherë ende studentë) i dëgjonim dhe na dukeshin si të veshura me fildish, aq të goditura ishin, sot, në mungesë të tyre, jemi mbledhur të provojmë t’ia themi disa vlerësime e fjalë nderimi këtij Profesori, studiuesi e drejtuesi të Sektorit tonë të Gramatikës e të Dialektologjisë, prof.Mahir Domit, me të cilin, fati i bardhë e pati prurë të ishim edhe kolegë pune për plot 22 vjet (prej shtatorit 1967 deri në maj të vitit 1989), kur jam larguar nga IGJL-ja.

Mahir Domi ishte një nga studiuesit që dinte jo vetëm të punojë vetë, po edhe të bashkëpunojë me kolegët dialektologë, duke gjakuar të sjellë ndihmesa të rëndësishme për njohjen e të folmeve të shqipes truallësore dhe të diasporës arbërore, arbëreshe, arbneshe dhe arnaute.

Së pari, vlerësoj se ka qenë frymëgjatë dhe e mbarë ideja e tij për të ndërmarrë ekspedita përnjohëse dhe hartim të skicave e monografive përshkruese e diferencuese për të folmet anësore e deri atëherë të panjohura të shqipes, si të folmet e Nikaj Mërturit, Pukës,Tropojës, Mirditës, Matit, Malësisë së Madhe etj.; të folmet e toskërishtes jugore, si ato të Kurveleshit, Muzinës, Bregdetit të Poshtëm, si dhe të çamërishtes, pa lënë mënjanë as të folmet e qendrave qytetare relativisht të mëdha, si Berati, Korça, Gjirokastra, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Lezha etj.

Për të gjitha këto krahina  a qytete, sa qe në krye të Sektorit tonë të gramatikës e të dialektologjisë  Prof.Mahr Domi, janë hartuar dhe botuar monografi dhe skica dialektologjike nga punonjësit shkencorë të IGJL-së (Jorgji Gjinari, Emil Lafe, Xhabir Topalli, Menella Totoni, Mehmet Çeliku, B.Beci, Jani Thomai, Gj.Shkurtaj, Xheladin Gosturani,Vaskë Milkani) ose nga bashkëpunëtorë të jashtëm (Qemal Haxhihasani, Shefqet Hoxha, Fran Luli, Fatmir Muça, Çelik Petriti etj.), së pari, në revistën shkencore “Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës”, pastaj në “Studime filologjike” dhe, më vonë, në përmbledhjen e profilizuar vetëm për studime të tilla “Dialektologjia shqiptare”, seri e ideuar dhe e drejtuar prej Tij dhe ku unë kam pasur edhe nderin të kem qenë sekretar shkencor.

Së dyti, pjesë më vlerë (dhe e lidhur me strategjinë e mbarëvajtjes së dialektologjisë shqiptare) ka qenë, pa dyshim, edhe puna e vazhdueshme e  prof.Mahir Domit   që sektori ynë i Gramatikës dhe i Dialektologjisë të kishte përbërje me prejardhje nga gjeografi sa më e gjerë, duke  përzgjedhur nga radhët e studentëve të degës së gjuhës shqipe më të mirët e atyre që vinin nga krahinat e ndryshme të Veriut e të Jugut dhe, në fakt, në sektorin tonë kishim Jorgji Gjinarin nga Berati, Menella Totonin nga Përmeti, i cili u mor bukur gjatë pikërisht me studimin e të folmeve të Shqipërisë Jugore, Mehmet Çelikun nga Elbasani,  i cili, ashtu si Menella, para se të kalonte përfundimisht në lëmin e sintaksës, përshkroi një varg të folmesh të Shqipërisë së Mesme; unë dhe Xheladin Gosturani vinim që të dy nga pjesët veriake, përkatësisht nga Malësia e Madhe dhe nga Tropoja dhe, sikundër dihet, për vite me radhë kemi botuar edhe monografi të gjera për të folmet e krahinave përkatëse.
 
 
Si e krijoi kartotekën kombëtare të dialekteve
 
3.Pjesë tjetër themelore e ndihmesës së prof.Mahir Domit për dialektet e shqipes ka qenë edhe kujdesi për ta pajisur ekipin e studiuesve (atëherë gati të gjithë të rinjë) me mjetet e duhura teknike dhe me metodologjinë e metodikën e punës kërkimore shkencore.

Po përmend këtu, së pari, ideimin dhe krijimin (qoftë edhe pse dalëngadalë dhe jo pa vështirësi) të Kartoekës kombëtare të dialekteve të shqipes dhe bazat e Fonotekës së dialekteve të shqipes, duke siguruar edhe magnetofonët e parë dhe bobinat e nevojshme për të realizuar incizimin e të gjitha anketimeve në terren për të folmet e ndryshme dhe sidomos për të gjitha pikat e ADGJSH-së. Në këtë pjesë të punës dhe kujdesit të vazhdueshëm të  prof.Mahir Domit duhet të përmendim edhe mëtimin e ndihmesën e tij të drejtpërdrejtë për metodën e punës në dialektologji.

Ai, në bashkëpunim me prof. E.Çabejn, në vitet ’60 ndërmorën hartimin dhe publikimin në formë të shaptilografuar të “Pyetësorit për mbledhjen e materialit dialektor”, nismë me vlerë për fillesat e punës në lëmin e dialektologjisë, që do të vijohej edhe me pyetësorë të tjerë, si p.sh. nga Spiro Floqi, pastaj edhe nga Pyetësor për mbledhjen e toponimisë shqiptare, në të cilin kam pasur edhe unë nderin të kem qenë bashkautor me Profesorin.  Në fakt, ata pyetësorë, bashkë me Pyetësorin e E.Çabejt për “Atlante linguistico Albanese”(1943) do të ishin edhe baza kryesore për hartimin e Pyetësorit të ADGJSH-së nga grupi ynë i autorëve, të drejtuar nga prof. J.Gjinari.
 
Përfaqësimi i shqipes në konferencat ndërkombëtare
 
4.Ndihmesa  dhe kujdesi i veçantë i prof.Mahir Domit për ideimin, hartimin e Parimeve themelore të ADGJSH-së, për organizimin e diskutimit për të gjitha punët paraprake të Atlasit dhe deri në përfundimin e dorëzimin për shtyp të veprës, duke bërë të mundur që, për më se dhjetë vjet radhazi, grupit tonë të dialektologëve të mos na mungonin as dietat dhe mjetet e nevojshme për ekspeditat në terren, as kushte e nevojshme për punë në zyrë, si dhe duke pasur edhe ndihmën e nevojshme nga forcat teknike ndihmëse të sektorit.  

Ēshtë e vërtet se zyrtarisht kryetar i grupit hartues e realizus të ADGJSH-së ka qenë prof.Jorgji Gjinari, por është vendi të themi se, gjatë gjithë kohës që është punuar për atë vepër, po aq i interesuar dhe i vëmendshëm për realizimin e Atlasit ka qenë edhe prof.Mahir Domi. Po citoj, më këtë rast, edhe pohimin e J.Gjinarit në mbyllje të Hyrjes së ADGJSH-së, ku ai thotë: “Prof.Mahir Domin grupi hartues e falënderon edhe për interesimin dhe kujdesin që ka  pasur gjatë gjithë punës së “Atlasit” si përgjegjës i sektorit të gramatikës dhe të dialektologjisë”. (Shih: J.Gjinari, ADGJSH, Hyrje,Vëllimi I, Napoli, 2007, f. 24).
5.Një meritë të vlefshme ka prof. Mahir Domi edhe për përfaqësimin e Shqipërisë e të gjuhës shqipe në mbledhjet e konferencat ndërkombëtare të ALE (Atlas Linguarum Europae).

Këtu e 45 vjet më parë, qysh në mbledhjet e para të nismëtarëve të këtij projekti gjigand e ndërkombëtar, kanë qenë pikërisht emri dhe njohjet  ndërkombëtare të tij që studiuesit shqiptarë u pranuan në atë nismë, u caktuan edhe 10 pikat e anketimit për ALE-në, të cilat u realizuan nga grupi ynë i dialektologëve, duke u gërshetuar ajo punë edhe me ekspeditat për ADGJSH-në dhe, ritheksoj, prof.Mahir Domit i takon nderi e merita se ka marrë pjesë në mbledhjet e para, pastaj ka ngritur edhe ekipin e punës për anketimin dhe potësimin e skedave përkatëse dhe, në vijim, krijimin e Komitetit Shqiptar të Atlasit Linguistik të Evropës,  kryesuar nga A.Kostallari, M.Domi, J.Gjinari dhe, në rrjedhë të viteve, të plotësuar me emrat e dialektologëve të tjerë.

6. Së mbrami, por jo për nga rëndësia, theksojmë se prof.Mahir Domit i përkasin edhe një numër i mirë ndihmesash të mirëfillta në lëmin e dialektologjisë dhe të onoastikës, si artikuj, kumtesa dhe punë me bashkautorësi për studime me interes, sikundër janë:
Mahir Domi & Dhimitër S. Shuteriqi, Një vështrim mbi të folmen shqipe të Mandricës, botuar në revistën  “Studime filologjike” ( 1965/2, f. 103-119). Parathënia e ADGJSH-së dhe studimi me titull “Gjendja, probleme dhe detyra të dialektologjisë shqiptare në fazën e sotme” (“Dialektologjia shqiptare”, IV,1982 ) dhe disa artikuj e ndihmesa kushtuar të folmeve arvanite. Prej tyre, duke qenë se kam qenë edhe bashkautor me të, po citoj recensionet për disa botime të   arvanitëve dhe të arbëreshëve të Italisë, të botuara në faqet e revistave “Studime filologjike”, “Kultura popullore”, “Studia albanica” etj.

Nga fusha e onomastikës, së mbrami, por jo për nga rëndësia, po përmend edhe disa prej ndihmesave me vlerë të prof. Mahir Domit, si: Prapashtesa ilire dhe shqipe, përkime e paralelizma, në "Kuvendi I i Studimeve Ilire", Tiranë, 1974; Çështje të toponimisë me burim të huaj, në “Puka dhe shkolla”, Tiranë, 1977 dhe Pyetësor për mbledhjen e toponimisë shqiptare, DSH, VI, 1996, ku unë kam pasur nderin të kem qenë bashkautor me profesorin tonë të nderuar.

Prof.Mahir Domi na ka dashur shumë, na ka drejtuar dhe udhëzuar me dashamirësi e dije të sigurta, ka qenë  githmonë në mesin tonë dhe, ashtu si kur ishte i gjallë, ka mbetur midis nesh edhe tashti që jeta na ka shtuar rrudha në ballë e thinja në flokë. Ja pse ai ka mbetur dhe vijon të jetë ende i paharruar dhe i nderuar.
*Akademik i asociuar
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)