23 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, avokati i Izet Haxhisë rrëfen prapaskenat e rihapjes së gjykimit: Nuk presim drejtësi

Nata kishte disa orë që ishte shtruar në Tiranën e zymtë të asaj fund vere. Atë mbrëmje të 12 shtatorit të vitit 1998, Azem Hajdari vijonte të qëndronte në selinë e Partisë Demokratike. Lideri i lëvizjes studentore të fillim viteve ’90, doli nga selia e partisë më të madhe të opozitës së asaj kohe në orën 21:10 minuta. Me shumë mundësi Azem Hajdari nuk do t’a kishte menduar asnjëherë se ky do të ishte rrugëtimi i tij i fundit, nëpër shkallët e selisë së vjetër të Partisë Demokratike, e cila ishte vendosur në kryeqëzimin e rrugëve “Murat Toptani” dhe “Abdi Toptani”. E kishin njoftuar se dikush e kishte kërkuar poshtë. Nuk nguroi dhe zbriti. Sapo Azem Hajdari doli nda dera kryesore e selisë së partisë, dy badigardët e tij, Besim Çerja dhe Zenel Neza, nxituan t’a shoqëronin. Të tre po lëviznin në trotuarë. Sipas hetuesve, atë moment, ata nuk lëvizën më shumë se dhjetë metra. Brenda pak sekondash, në drejtim të 35-vjeçarit u qëllua me breshëri plumbash. Azem Hajdari u rrëzuar i vdekur në vend. Hetuesit, në bazë të informacioneve, hulumtimeve dhe dëshmive kanë arritur të krijojnë skemën e vrasjes së tij, për të cilën do të flasim në detaje pak çaste më vonë.

Këtë të diel, shënohet 23 vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, njeriut që punoi për shembjen e sistemit komunist dhe ndihmës për ardhjen e demokracisë, pluralizmit politik. Vrasja e Azem Hajdarit, edhe pas gati çerek shekulli vazhdon të cilësohet si një ndër ekzekutimet më të bujshme të 100 viteve të fundit brenda territorit të vendit tonë.

Azem Hajdari ka lindur më 11 mars të vitit 1963 në Tropojë. Nëse atentati ndaj tij nuk do të realizohej mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, më 11 mars të këtij viti do të festonte 58-vjetorin e lindjes. Pas përfundimit të gjimnazit në vendlindje, Azemi Hajdari do të zhvendosej në vitin 1987 në Tiranë, për regjistrimin e studimeve në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, për t’u diplomuar fillimisht gjashtë vite më vonë për “Filozofi”, ndërsa në 1995-ën, edhe për “Juridik”. Krahas studimeve, ai në vitet 1993-1994, ndoqi edhe mësimet e gjuhës angleze dhe ato pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara.

Në Universitetin e Tiranës, Azemi jo vetëm se do të binte në sy si njëri ndër studentët më të dalluar për guxim dhe vendosmëri, por që nga fillimi i organizimeve politike, në dhjetorin e vitit 1990, ai do të zgjidhej udhëheqës i Lëvizjes Studentore për të hyrë zyrtarisht në historinë më të re të kombit, si një nga figurat kryesore dhe më serioze e të gjitha ndryshimeve demokratike, në Shqipërinë e viteve të 90-ta.

Në krye të Lëvizjes Studentore ai do të qëndronte nga dhjetori i vitit 1990, deri në shkurt të vitit 1991. Pas kësaj u zgjodh kryetar i komisionit nismëtar për formimin e partisë së parë pluraliste në vend, Partisë Demokratike të Shqipërisë, të cilën edhe do ta kryesonte për disa muaj. Nga shkurti i vitit 1991, Azemi ishte deputet i kësaj partie në parlament, i cili pas rënies së diktaturës, për katër vite me radhë, do të zgjidhej edhe kryetar i komisionit parlamentar, për siguri dhe shërbimin informativ të vendit, apo ndryshe njohur si SHIK.

Për fat të keq, pas një demokracie të brishtë e cila më tepër ekzistonte si shprehje e dëshiruar sesa vepër që gjente shtrirje të vërtetë në terren, gjendja politike në vend ishte e acaruar, sidomos pas shpërthimit të trazirave dhe luftës civile për firmat piramidale në 1997-ën. Pavarësisht ndryshimit të pushtetit në korrik të 1997-ës, dhe ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, me në krye Fatos Nanon, gjendja e qetësisë nuk erdhi. Në shënjestër të sulmeve do të bëhej edhe hero ii demokracisë, Azem Hajdari.

Që nga qershori i vitit 1997, deri në shtatorin e vitit 1998, kur edhe u ekzekutua me breshëri plumbash, kundër Hajdarit, u organizuan gjashtë atentate të njëpasnjëshme. Sulmi i parë ndodhi që në qershorin e vitit 1997. Në vendin e quajtur Shkallnur pranë qytetit të Durrësit do të hidhej një bombë kundër tij. Atentati i dytë, pasoi rreth dy muaj më vonë nga një pritë e organizuar në Qafë të Buallit, afër Sarandës. Atentati i tretë, ndodhi në korridorin e Kuvendit të Shqipërisë, më 18 shtator 1997. 35-vjeçari do të plagosej rëndë me pesë plumba nga deputeti socialist, Gafurr Mazreku. Atentati i katërt, u organizua në Milot më 14 shkurt të vitit 1998, derisa ai udhëtonte me të birin, në atë kohë 14-vjeçar, Kirjaldin. Makina e tij e blinduar do të sulmohej me breshëri automatiku. Atentati i pestë dhe i parafundit, para se ai definitivisht të vritej, ndodhi më 3 qershor të vitit 1998, në Tropojë. Në këtë atentat mbeti i plagosur drejtori i atëhershëm i Radio Televizionit Shqiptar, Bardhyl Pollo. Vrasja tragjike, ndodhi më 12 shtator 1998, në atentatin e gjashtë të organizuar brenda pak më tepër se një viti kundër tij, 101 ditë pas atentatit të fundit të dështuar kundër tij. Azem Hajdari u ndoq këmba-këmbës kudo nëpër Shqipëri për t’u eleminuar, por vrasja erdhi një mbrëmje shtatori në qendër të Tiranës.

Por, si u vra Azem Hajdari?

Hetuesit kanë krijuar skemën e asaj nate. I veshur me një kostum gri dhe me një këmishë blu të hapur, në orën 21.10, të 12 shtatorit 1998, Azem Hajdari doli nga selia e Partisë Demokratike dhe mori rrugën në të majtë të godinës. Vetëm 30 metra larg saj ishte parkuar një makinë brenda së cilës ndodheshin disa persona që e prisnin. Dikush nga brenda selisë e kishte njoftuar Azem Hajdarin se e kërkonin jashtë dhe ai nuk ngurroi të dilte. Dy badigardët e tij, Besim Çerja dhe Zenel Neza, sapo panë shefin e tyre që doli nga godina, nxituan dhe iu afruan për t’a shoqëruar. Të tre së bashku bënë me shpejtësi 10 metra rrugë, deri te trotuari i rrugës “Abdi Toptani”.

Grupi hetimor i ngjarjes ka arritur ta rindërtojë skenën e krimit që ndodhi pas këtij momenti mbi bazën e dëshmive, të dhënave, ekspertizave dhe eksperimenteve për gjithçka që ka ndodhur në pak minuta pas takimit të tyre.

Nga makina e parkuar aty, nga dera e shoferit, i pari doli Fatmir Haklaj. Pas tij doli Jaho Salihi, i cili u vendos në të djathtë të Haklajt dhe pas tij Naim Çangu, që u pozicionua në të majtë. Të tre në duar mbanin armë. Pra në këto momente, Azem Hajdari vetë i tretë, ka qenë përballë Fatmir Haklajt, po ashtu vetë i tretë dhe me uniformë policie. I pari që ka kryer një veprim ka qenë badigardi i Azem Hajdarit, Besim Çerja, i cili i ka bllokuar armën kallashnikov Fatmir Haklajt duke ia kapur armën me të dy duart për ta penguar ta përdorë. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Jaho Salihit, i cili me pistoletë qëlloi menjëherë Besim Çerjan në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Në të njëjtën kohë arma që Çerja mbante të bllokuar bëri një qitje të pavullnetshme duke qëlluar në trup Zenel Nezën dhe Naim Çangun, edhe ata të dy u rrëzuan në tokë. I vetmi i paprekur në këto momente ka qenë Azem Hajdari, i cili instinktivisht ka ngritur dorën për t’u mbrojtur. Por ndaj tij është derdhur një breshëri e tërë plumbash. Plumbi i parë e ka marrë në dorë, ndërkohë që shumë të tjerë e kanë prekur në të gjithë trupin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Me Azem Hajdarin të vrarë dhe dy badigardët e tij të mbuluar në gjak, Fatmir Haklaj e Jaho Mulosmani morën Naim Çangun e plagosur e futën në makinën e tyre, dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Çangu ndërroi jetë pas disa orësh në spital.

Fatmir Haklaj së pari mori përsipër vrasjen. Ai është shprehur se nuk ka dashur ta vriste Azem Hajdarin, por në momentin kur ka parë se ai ishte i armatosur me një pistoletë me silenciator në dorë, vendosi ta qëllonte. Sipas Haklajt, vrasja e Çangut tregon se nuk ishin pozicionuar për t’a vrarë Azem Hajdarin. Sipas Gjykatës, Fatmir Haklaj e vrau Hajdarin sepse ai dyshonte që ai kishte gisht në vrasjen e të vëllait, Shkëlqim Haklaj, më 5 janar atij viti në Qafën e Luzhës. Përballja mes Fatmir Haklajt dhe Azem Hajdarit ka nisur që në 1997, kur Azem Hajdari vendosi kandidaturën për deputet në Tropojë në zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit të atij viti. Gjatë fjalës që presidentit në detyrë, Sali Berisha, mbajtur në Tropojë gjatë asaj fushate, është lëshuar një breshëri automatike në ajër që Berisha e mori si sfidë. Pyetja se kush ishte ai që qëlloi ka marrë përgjigjen “Fatmir Haklaj” dhe më pas Berisha mësohet të jetë shprehur se “e dua të gjallë apo të vdekur në Tiranë”.

Në vendimin e trupit gjykues është shkruar se Fatmiri e ka akuzuar deputetin Hajdari se kishte pasur dorë në vrasjen e të vëllait, Shkëlqimit. Vetëm 8 muaj pas këtij incidenti, Shkëlqim Haklaj u ekzekutua. Por i vëllai, Fatmiri, nisi hakmarrjen me bindjen se vrasja kishte ardhur nga Tirana, duke marrë vendimin që kufoma të mos varrosej pa i marrë hakun. Më 7 janar vriten në një pritë oficeri i policisë, Avdyl Matoshi, Gj. Kolbucaj dhe Naim Dizdari. Shkëlqimi u varros, por hakmarrja vazhdoi teksa më 9 janar 1998 Fatmir Haklaj ekzekutoi në zyrën e tij oficerin e policisë të fisit Hoxha. Pas kësaj nisi konflikti mes Fatmir Haklajt dhe Azem Hajdarit. Në disa fjalime në Parlament, Hajdari e kishte përmendur emrin e Fatmir Hakljat, duke kërkuar ndjekje penale dhe kjo e kishte zemëruar jo pak atë. Në vendimin e trupit gjykues është nënvizuar se “këto dyshime u konsoliduan, duke marrë formën e një vendimi për ekzekutimin e tij”.

Për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje Azem Hajdroi takoi plakun e familjes, Muharrem Haklajn më 2 shtator 1998 në zyrën e Hajdarit, në Tiranë, me ndërmjetësimin e një miku të Azemit. Biseda pa praninë e askujt që është edhe një kyç i rëndësishëm për gjithë historinë e konfliktit, është bërë publike nga vetë Muharremi në vitin 2000. Sipas Muharrem Hakljat, Azemi sqaroi se nuk kishte gisht në vrasjen e të birit, Shkëlqim Haklajt, në Qafën e Luzhës. Gjithnjë sipas Muharremit, ai i kërkoi 10 ditë kohë t’i kthente Azemit përgjigje. Në fakt, 10 ditë më pas, më 12 shtator, Fatmir Haklaj mbërriti në Tiranë për t’ia kthyer përgjigjen, që në fakt ishte vrasja e Azem Hajdarit.

Në udhëtimin e tij nga Tropoja në Tiranë, duke qenë person në kërkim për vrasje, Fatmir Haklaj mori si shoqërues disa punonjës policie dhe me makina policie. I pari ishte Jaho Mulosmani, shefi i rendit në Tropojë, shefi i qarkullimit në Tropojë, Ismet Haxhia dhe disa punonjës të tjerë, bashkë me një furgon. Fatmir Haklaj është ndalur në fshatin Nikël të Krujës, në të cilin ka marrë si shoqërues edhe mikun e tij, Naim Çangun. Prokuroria ka nxjerrë si konkuzion se me të mbërritur në Tiranë Fatmir Haklaj ka takuar një nga badigardët e Sali Berishës, Izet Haxhinë, me anë të të cilit ai njoftoi Azem Hajdarin që t’a takonte. Sipas prokurorisë, gjatë ditës së 12 shtatorit, Azem Hajdarit i janë bërë disa telefonata. Ai ndodhej në një miting në Fier dhe telefonuesit i kërkuan të kthehej në Tiranë.

Vrasja e deputetit Azem Hajdari tronditi nga themelet shtetin shqiptar. Ceremonia e varrimit të Hajdarit, më 14 shtator, u shndërrua në një tentativë të turmave të armatosura për të marrë pushtetin me dhunë. Gjithçka nisi me homazhet në sheshin “Skënderbej” në orën 10.00.

Pas kalimit përpara arkivolit të mijëra njerëzve, një pjesë e turmës e ngriti arkivolin në krah dhe në vend që të drejtohej për nga varrezat e Sharrës, ku do të prehej trupi, u drejtua për nga godina e Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kjo u shoqërua me vandalizëm të njëjtë me atë të trazirave të marsit të vitit 1997. U shkatërruan dhe u grabitën të gjitha zyrat ministrive, iu vu flaka godinave qeveritare dhe makinave të zyrtarëve. U grabitën në ambientet e Gardës armë, municione dhe deri tanket e saj e, në fund, u tentua të pushtohej edhe godina e Kryeministrisë. Trupi i pajetë i Azem Hajdarit u harrua dhe turma mё shumë po impenjohej nëse qeveria e kryeministrit Fatos Nano kishte rënë, sesa të nderonte kufomën e Hajdarit. Kjo edhe për shkak se fshehtas vetë kryeministri Nano u largua për në Maqedoninë e Veriut. Vetëm me ndërhyrjen e diplomatëve dhe përfaqësive të huaja, turmat u tërhoqën dhe situata u normalizua, por stabiliteti në vend dhe imazhi i Shqipërisë u dëmtua mjaft rëndë, ndoshta më rëndë edhe se në trazirat e marsit 1997.

Gjykimi ndaj dosjes “Hajdari” pati një maratonë prej 65 seancash gjyqësore, në përfundim të së cilit u dënua me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmani dhe me 25 vite burg, Izet Haxhia, truproja i Sali Berishës. Dënimi i Izet Haxhisë u bë në mungesë, pasi ishte larguar në drejtim të Turqisë. Vite më vonë, në 2018-ën, Izet Haxhia kërkoi të kthehej në Shqipëri që të përballej edhe njëherë me akuzat pasi Gjykata e Strasburgut e kishte cilësuar të padrejtë dënimin me 25 vite. Apeli i Tiranës vendosi rigjykim të dosjes, ndërsa e kaloi atë në Gjykatën e Tiranës.

"Një nga ata që u dënua ishte edhe Izet Haxhia. U dënua me 25 vite burg, por ai dënua në mungesë pasi nuk ishte i pranishëm. Izet Haxhia pasi u kap në Turqi, kaloi njëfarë kohe dhe ai vetë me vullnetin e tij, kur pa që filloi reforma në drejtësi në Shqipëri dhe u bind se mundet ta merrte drejtësinë, kërkoi të ekstradohej, të vinte dhe ta thoshte gjithë të vërtetën e asaj ngjarje, gjithë sa dinte. Dhe me këtë synim erdhi. Në fakt, me insistimin e autoriteteve turke, por edhe me një vendim që mori Gjykata e Strasburgut, e cila e konsideroi procesin ndaj Izet Haxhisë, të parregullt, jo ligjor, u rigjykua", tha Idajet Beqiri, avokati i Izet Haxhisë.

Izet Haxhia ka dyshime të forta për këtë proces gjyqësor pasi pas caktimit të gjyqtarit, sipas avokatit, qëndronte drejtuesja e Gjykatës së Tiranës që ishte mike e Argita Berishës, ish-Kryeministrit Sali Berisha.

"I thënshin hedhje shorti, pasi ish-kryetarja e gjykatës, e cila jo për thashetheme dhe jo për të thënë gjëra që nuk janë në karakterin tim, por një shoqe e ngushtë e Argita Berishës. Ajo zgjodhi kryesuesin e trupit gjykues, kush do të ishte. Klienti im dhe unë kemi bindjen që nuk është hedhur short, por iu caktua që të ishte fanatik dhe të ruante me çdo kusht atë vendim të dhënë më parë dhe atë rrugë që kishte marrë procesi në 1999 e 2000"

Por, ekzekutimi i Azem Hajdarit ishte për hakmarrje apo politikë?

"Në fakt nuk është vrasje për hakmarrje, ajo ishte një vrasje politike, tërësisht politike, e mirëmenduar politike dhe që prej saj përfitoi vetëm Sali Berisha. Ai, përmes saj organizoi grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998 dhe po të mos ishte kjo ngjarje nuk do të ishte bërë ai grusht shteti".

Pak muaj më parë, me vendim të Departamentit Amerikan të Shtetit, ish-kryeministri Berisha është shpallur non grata. Beqiri mendon se dosja Hajdari dhe ndërhyrja e tij në të ka pasur një rol të fortë për marrjen e këtij vendimi.

"Jam i bindur që një ndër shkaqet ose një ndër faktet që kanë Shtet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjet në drejtësi të Berishës është edhe kjo dosje, sepse hetimi për dosjen e Azem Hajdarit është bërë thuajse në zyrën e Berishës. Prokurorët vinin atje, merrnin porositë. Madje edhe alibinë e ka ngritur ai, atë alibi ia ka dhënë edhe Ambasadës së SHBA-së me shkrim dhe ne e kemi atë se çfarë i tha amerikanëve"

Por, përse Haxhia dhe avokati i tij kanë dyshime se kjo ishte një vrasje politike dhe nuk kishte asnjë lidhje me hakmarrjen e mundshme që do të merrte Fatmir Haklaj?

"Po të analizohet vetëm dita kur është vrarë Azem Hajdari, nga mëngjesi deri në darkë kur u ekzekutua, të gjitha veprimet e Sali Berishës kanë qenë të një organizatori, të një frymëzuesi dhe të njeriut që e nxori në pritë Azem Hajdarin për t'a vrarë. Të gjitha këto faktikisht Izet Haxhia, me prova dhe fakte i kishte, të argumentuara, sepse është një ndër dëshmitarët që ishte i pranishëm dhe i dinte gjërat edhe nga brenda dhe ditën e ngjarjes dhe një ditë para i na ndjekur. Dhe për këtë shkak nuk kishin interesuar dhe filluar presionet e rënda për rigjykim të dosjes së Izet Haxhisë që të mos dilte e vërtet, megjithëse kishin një vendim të Gjykatës së Strasburgut që procesi ndaj tij ishte i parregulltë"

Haxhia, sipas avokatit, nuk kishte rol në vrasje, por kishte parë të gjitha lëvizjet e Berishës atë ditë.

"Sali Berisha atë ditë në vend që të shkonte të hante drekë, të pushonte, e me radhë, atë ditë gjithë kohën ka qenë në zyrën e vetë. Deri në kohën që është vrarë Azem Hajdari nuk ka lëvizur prej zyrës së vetë dhe në momentin që provohet plotësisht edhe nga dëshmitarë të tjerë dhe prova, ai e ka thirrur Azem Hajdarin. Ka ngelur jashtëzakonisht i pakënaqur me bisedën që Azemi ka kryer me Muharrem Haklajn dhe i ka thënë shko merru vesh ti me ta, domethënë ka nxjerr atë", tregon ai.

Tashmë që dosja është rihapur sërish dhe kur janë kryer disa ping-pong nëpër disa gjykata, procesi përfundimisht është në shkallën e parë të Gjykatës së Tiranës. Pak muaj më parë Gjykata e Lartë rrëzoi shpalljen e moskompetencës nga Tirana, e cila e dërgoi njëherë në ish-Gjykatën për Krime të Rënda. Me nisjen e procesit të ri, nga fillimi, Izet Haxhia dhe organi i akuzës kanë kërkuar një numër të konsiderueshëm dëshmitarësh për të dëshmuar, por që janë refuzuar nga gjykata. Mes refuzimeve janë edhe Sali Berisha, Ylli Rakipi, Genc Pollo, apo edhe anëtarë të familjes Haklaj.

"Prokurori kërkoi të thirrej si dëshmitar Sali Berisha, pasi ishte kryesor dhe duhej pyetur, të thirrej Ylli Rakipi, Vili Minarolli, Genc Pollo, dhe një agjent i SHIK-ut, apo Muharrem Haklaj, pasi ishte kryesor që duhej thirrur pasi kishte bërë bisedën e drejtpërdrejtë me Azem Hajdarin. Dhe Azem Hajdari i kishte thënë se vrasjen nuk ta kam bërë unë, ta argumentoj edhe me një video kur është filmuar kur e ka dhënë urdhrin ky i zyrës përballë, pra Sali Berisha dhe nuk jam unë që kam marrë pjesë në vrasjen e Shkëlzen Haklajt dhe për këtë iu betua edhe me fe për babanë e famshëm që kanë ata në Tropojë, në Luzhën. Po u betove për atë, burrëria dhe karakteri dorëzohen para tij, dhe Azemi e bëri edhe nga pikëpamja morale e zakonore që nuk kishte lidhje me vrasjen. Muharrem Haklaj doli i bindur se nuk kishte dorë, por donte videon ku dilte se Sali Berisha thoshte se e donte të birin e tij në Tiranë, gjallë apo vdekur", tha Beqiri.

Procesit do t’i kishte ndihmuar jo pak si dëshmitare, Aishe Haklaj, motra e Fatmir Haklajt, e cila sipas avokatit Beqiri ka detaje konkrete që ia ka treguar direkt pas vrasjes, vetë Fatmiri.

"Aishe Haklaj është e vetmja dëshmitare e cila është takuar me Fatmir Haklajn dhe ka ndenjur goxha në shtëpi pas vrasjes dhe ia tha të gjitha çfarë kishin ndodhur, fill e për pe. Tani që Fatmiri nuk është më se është bërë i ndjerë, atëherë personi që di për ngjarjen është Aishe Haklaj. Gjykata duhej ta kishte pyetur, çfarë të tha vëllai, pse e bëri vrasjen. Dhe ajo do të thoshte të gjithë mekanizmin e ngjarjes. Edhe atë nuk e thirrën", u shpreh avokati. 

Jaho Mulosmani është dënuar përjetë për ngjarjen. Beqiri thotë se ai ishte viktimë e një manipulimi që i ka bëtë procesit Sali Berisha.

"Mulosmani është në burgim të përjetshëm në saj të deformimit që i bëri procesit gjyqësor Sali Berisha për të shpëtuar veten e vetë. Mulosmani e tërhiqte me forcë Fatmirin të mos e bënte, madje ka thyer edhe një gisht të mos e lejonte që të bënte veprime të kësaj natyre pasi situata doli nga kontrolli. Azemi vajti me pistoletë në dorë atje dhe kur tjetri shkon me pistoletë, Haklaj mendoi "sa të më vras, po e vras", ishte e paparamenduar", tregon ai. 

Aktualisht, në Gjykatën Penale të Tiranës ka përfunduar faza e marrjes së dëshmitarëve për këtë proces gjyqësor dhe është arritur në fazën kur vetë Haxhia të japë deklarimet. Avokati Beqiri thotë se ëhstë i gatshëm për çfarëdolloj pyetje

Pavarësisht se nga dita e vrasjes së Azem Hajdarit kanë kaluar 23 vite, akoma misteri nuk është shumë plotësisht për të. Vetë Sali Berisha, edhe pse i ka shmangur shumë herë deklaratat, nuk ka pranuar asnjëherë të ketë pasur gisht.

"Ai është vënë në dispozicion edhe të prokurorit edhe të gjykatës me qëllim që ta pyesin për gjithçka. Do bëj deklarim vetë dhe pastaj pret pyetje nga prokurori dhe gjykata. Mirëpo ai ka krijuat bindjen e plotë se me këtë drejtues të trupit gjykues nuk del e vërteta, këta janë paragjykues. Mendja e tyre është që do i ulin dënimin dhe vetëm kaq, por jo një vendim të merituar, pafajësinë. Apo edhe të hedhin elementë të tjerë në hetim. Kjo dosje nuk është zgjidhur drejt, ka vend për të gjithë të pandehurit e tjerë që kanë qenë në këtë çështje. Izet Haxhia nuk ka qenë në ngjarje, nuk ka lidhje me ngjarjen, nuk kishte dijeni pse kishte ardhur Fatmir Haklaj. Ai ka të gjitha faktet e provat e veta që u vërtetuan gjatë gjykimit që u morën nga gjykata, sepse u pyet edhe shoferi që ma qenë me ta gjithë ditën dhe që i solli Fatmirin e të tjerët atë ditë nga Tropoja", e mbyll avokati.

Gjithsesi, Azem Hajdari, për kontributin e tij është nderuar me disa dekorime të ndryshme: “Nderi i Kombit” në vitin 2002 nga Presidenti Alfred Mojsiu, “Medalja e lartë e Lidhjes së Prizrenit”, më 2003 nga Ibrahim Rugova, urdhri “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” më 12 shtator 2008, nga Presidenti Topi, urdhri i “Flamurit Kombëtar”, më 11mars 2013, nga presidenti Bujar Nishani, Pishtar i Demokracisë dhe Qytetar nderi i Tiranës, Vlorës, dhe pothuajse të gjitha qyteteve dhe komunave të Shqipërisë.

Azem Hajdari la pas tre fëmijët, Kirardin, Rudinën and Azemin Junior, si dhe bashkëshorten, Fatmira Hajdari. Kjo e fundit, përi vite me radhë ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, si gjyqtare. E ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti i Republikës si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mbajti deri ditën kur u përjashtua nga sistemi i drejtësisë. Fatmira Hajdari është shkarkuar nga detyra si gjyqtare me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pas 20 viteve karrierë. KPK, e shkarkoi të venë e Azem Hajdarit në kuadër të filtrit të vettingut për shkak të mos justifikimit të pasurisë në pesë vite të deklarimit në një shumë prej 12.5 milionë lekësh.

E bija e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari, pas vitesh jetese dhe shkollimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndoqi rrugën e të atit. Rudina Hajdari u integrua në strukturat e Partisë Demokratike, ndërsa u zgjodh për herë të parë deputete e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Karriera politike e Rudina Hajdarit në Partinë Demokratike nuk zgjati shumë, ndërsa nisën përçarjet mes saj dhe lidershipit të PD-së. Kur selia blu vendosi të dorëzoj mandatet në fillim të vitit 2019, Rudina Hajdari nuk iu bind partisë që e bëri deputete. Ajo vazhdoi të mbaj mandatin deri në fund, në shtator 2021, ndërsa u largua nga selia blu, për të krijuar aleanca të tjera politike. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Rudina Hajdari garoi nën siglën e partisë së re “Thurje”, në qarkun e Elbasanit, me të cilin nuk arriti të fitoj mandatin e deputetit.

Djali i Azem Hajdarit, Kiri Hajdari, pavarësisht se ka ruajtur një imazh të ulët publik, është parë disa herë në krah të Lulzim Bashës në protestat e dhunshme të opozitës shqiptare, të zhvilluara pas lënies në mandateve në fillim të 2019-ës. Pavarësisht vendimit të së motrës për t’u larguar dhe distancuar nga selia blu, Kiri Hajdari, sërish u pa disa herë krah për krah me Lulzim Bashën.

Djali tjetër i Azem Hajdarit, i cili mbanë të njëjtin emër me të atin ka ruajtur imazh të ulët publik, për të mos thënë pothuajse i panjohur. Emri i tij u lakua nëpër media pas arrestimit nga policia në 24 korrik të këtij viti në Elbasan. Azem Hajdari Junior u arrestua së bashku me shokun e tij, Erdi Gjumsi, pasi u kapën me një sasi të vogël lënde narkotike në një automjet tip Audi që po lëviznin në Elbasan.

Azem Hajdari, në historinë post komuniste dhe në Shqipërinë që sapo kishte hapur kufijtë dhe mendjen, do të mbetet pikë e fortë historike në kontributin për liri dhe demokraci.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sifi: 13/09/2021 11:52

    Deputet me pistolet me selenciatir a eshte e lejueshme me ligj ?

    Përgjigju
  • Hilmiu: 12/09/2021 21:34

    Na erdhi me vjelle me kete shkrim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë