Avokati Idejat Beqiri i quan të domosdoshme ndryshimet ligjore të propozuara nga kryeministri Edi Rama, të cilat ndalojnë shprehimisht pezullimin nga detyra të një qeveritari nga një gjykatë.
I ftuar në “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv, Beqiri tha se pezullimi i një qeveritari nga detyra është mësyjme e drejtpërdrejt e pushtetit gjyqësor në fushën dhe kompetencat e pushtetit ekzekutiv.
“Ndërhyrja në Kodin e Procedurës Penale është e domosdoshme sepse kemi nenin 103 të Kushtetutës, i cili thotë që ministri barazohet në imunitet me deputetin. Edhe për rrjedhojë gjykata duhet të japë një përgjigje që neni 242 i Kodit të Procedurës Penale a mund të pezullojë një ministër. Gjykata nuk e ndau nëse është kushtetues apo antikushtetues pezullimi i ministrit apo zëvendëskryeministrit e të tjera. Në një situatë të tillë është e domosdoshme që neni 242 të jetë i specifikuar”,- tha Beqiri.
“Ne shikojmë që pushteti gjyqësor ka ndërhyrë te pushteti ekzekutiv dhe ka ndërhyrë rëndë. Po të krijohet një precedent i tillë që paska të drejtë një prokuror ose gjykatës që të pezullojë nga detyra Presidentin e Republikës, kreun e KLSH, Avokatin e Popullit, ministër apo kryeministër etj, atëherë kjo është mjaft e rrezikshme”,- shtoi ai.
Avokati tha në Report Tv se Sali Berisha synon që në protestat e tij të vritet një fëmijë, me qëllim zemërimin e popullit ndaj autoriteteve dhe arritjen e një grushti shteti.
“Këto protesta janë vetëm për të gjetur një kauzë. Në protesta çojnë në radhë të parë fëmijët. Duan me çdo kusht të vrasin një fëmijë që ta përdorin siç përdorën arkivolin e Azem Hajdarit për të bërë grushtin e shtetit të 14 shtatorit. Edhe për më 20 shkurt. Ka paguar lekë të mëdha, sepse të gjithë ata që vijnë në protestë aty paguhen. Por ata që janë të grupit të zjarrit marrin lekë shumë të mëdha. Sidomos ata që përgatisin”,- tha Beqiri.
Komente












