Nisja e vitit 2026 shënon daljen në tregun e liberalizuar të energjisë të rreth 2300 binzeseve të lidhur në tensionin 6 KV, duke u shkëputur nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Këto subjekte kanë të drejtë të zgjedhin dhe kontraktojnë një nga 40 furnizuesit e licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë në këtë aktivitet. Ndërkaq, për këtë qëllim, ERE ka vënë në dispozicion edhe Platformën e Krahasimit të Çmimeve, që u mundëson bizneseve të informohen dhe të krahasojnë ofertat e furnizuesve të ndryshëm.
Në rast se një biznes nuk arrin të lidhë kontratë me një furnizues të tregut të lirë ose humbet furnizuesin ekzistues ekziston edhe një mekanizëm tranzitor. Klientët mund të furnizohen për një periudhë të kufizuar kohore, deri në 60 ditë, nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, shërbim që aktualisht ofrohet nga OSHEE Group. Ky mekanizëm synon të garantojë vazhdimësinë e furnizimit dhe të shmangë ndërprerjet në aktivitetin ekonomik.
Procesi i liberalizimit është zbatuar në mënyrë graduale. Fillimisht, në tregun e lirë dolën klientët e lidhur në tensionin 35 kV, më pas ata në rrjetin 20 kV, për të vijuar me konsumatorët e lidhur në 10 kV dhe së fundmi me tensionin 6 kV.
Autoritetet theksojnë se konsumatorët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të ndryshojnë furnizuesin në çdo kohë, pa penalitete, si një e drejtë e garantuar me ligj. Ndërkohë, liberalizimi i tregut të energjisë konsiderohet si një nga reformat më të rëndësishme strukturore në sektor, me ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si funksionon tregu, në barrën financiare mbi shtetin dhe në marrëdhënien mes energjisë dhe aktivitetit ekonomik./ SCAN
Komente










