2400 vjet më parë, roli i mbretit ilir Aleksandër Molosi në skenën politike epiriote

2400 vjet më parë, roli i mbretit ilir Aleksandër Molosi në skenën politike epiriote

Aleksandër Molosi nga vitet 334/333 deri 331/330 para Krishtit...

Aleksandër Molosi është një figurë historike intriguese sidomos për realizimin ambicioz të projektit politik që ai vetë ndërmori, ose të një nisme të re politike me qëllim për të krijuar dhe forcuar një perandori multietnike në një realitet heterogjen.

Hyrja në skenën politike të Molosit shënon për monarkinë Eakide ose Ajakide apogjeun e saj. Gjatë mbretërisë të Molosit në Epir, shikojmë shenjat e para të bashkimit të të gjithë territoreve fisnore. Një aspekt i veçantë i mbretërisë të Molosëve është realiteti i ri politik i krijuar, e cila u karakterizua nga një aleance e re, e quajtur “Symahia Epirote” që zëvendësoi termin e vjetër “Lidhja e Molosëve”.

Epiri deri në shek. IV para Krishtit shpeshherë konsiderohej si një realitet në kufijtë ekstremë të botës e qyteteve greke, me struktura politike të ngjashme me ato të periudhës arkaike ose homerike, ku shfaqen komunitetet bujqësore e blegtorale të grumbulluara në fise (ἔθνη), të cilat, në përgjithësi, urdhëroheshin nga krerët e familjeve lokale më të vjetra me titullin princ. Në Maqedoni, princat marrin titullin “βασιλῆες” (Basileus - mbret).

Realiteti i ri politik i krijuar gjatë mbretërisë të Molosëve na konfirmohet nga zbulimi i një didrahme prej argjendi e vitit 300 para Krishtit. (Imazhi 1.), këtu shfaqen, si subjekt, nga njëra anë potreti i Zeusit Dodoneusi me një kurorë lisi mbi kokën dhe në pranë, Dioni me vello dhe polos; ndërsa nga ana tjetër rafigurohet demi i shenjtë. Sipër dhe poshtë demit paraqitet mbishkrimi “ΑΠΕΙ-ΡΩΤΑΝ” (APEI – ROTAN), që do të thotë: Lidhja Epirote (340-234 p. Kr.).

Uniteti i arritur nga Molosët, në fakt nuk ka ndryshuar formën e organizimit të fiseve të Epirit. Por në organizimin e vendit, në të njëjtën kohë shikohet ekzistenca e institucioneve qendrore ku dinastia mbretërore Eakide qëndron në krye të tyre. Në Kaoni, ky rol institucional i lartë mbulohet në vend të sovranit, nga dy magjistratë të zgjedhur çdo vit, të quajtur “prostatë”. Ky titull që i referohet familjeve princore “Ἀκ τοῦ Ἀρχιχοῦ γένους”. Fjala Ἀρχικὀς (arkikos) i referohet “atij që ka komandën e pushtetit”. Fuqia legjislative i takonte sipas traditës këshillit të popullit. Situata e Epirit para dhe gjatë mbretërisë të Aleksandër Molosi mund të përmblidhet nëpërmjet dy dëshmive epigrafike.

Lista e Tearodokëve e Epidaurit në vitin 360 p. Kr.:

Απειρος · Γέρων, Ἀριδτόδαμοσ

Πανδοσία · Διόσζοτος

Κασσώρα · Σκέπας , Ἀριστὀδαμοσ

Θεσπροτοί· Πετόας, Σἰμακοσ

Ποιωνόσ · Ἄδματοσ

Κόρκυρα· Μνασαλκίδασ, ’ Αντιρἠδας

Χαονια · Δόροψος

’ Αρτιξία · Σχίδασ

Μολοσσοί · Θάρυφ, Φορβάδας

’ Αμβρακια · Τιμογένης .

Apeiros: Gjeroni, Aristodamos

Pandosia: Dioszotos

Kasopëa: Skepas, Aristodamos

Thesprotë: Petoas, Simakos

Poionos: Admatos

Korkyra: Mnasalkidas, Antiredas

Kaonia: Doropsos

Artakia: Skiadas

Molosia: Tharyps, Phorbadas

Ambrakia: Timogenes.

Tek ky epigraf mund të dallojmë vendet të shkelura nga tearodokët që sjellin mesazhin e tyre në Epir. Nga epigrafi mund të supozojmë një mungesë të unitetit fisnor në Epiri. Ndryshe nga epigrafi i parë, në listën e tearodokëve e Argosit paraqitet Epiri në një situatë politike lokale të ndryshme se sa ajo e para:

[Ἀμβρ]ακία · [Φ]ορβάδας

[Ἀπε]ιροσ · κλεοπάτρα

[Φοιν]ίκα · Σατυρίωος , Πθλάδας , Κάρχαξ

[Κόρκ]θρα · [- - - -]ίδας , Αἰσχρίων

Τεύθραντος

[Ἀπο]λ[λ]ωνία · Δω[..]θεος.

Ambrakia: Phorbadasi

Epiri: Kleopatra

Foinike: Satyrinos, Pyladas, Karkax

Korkyra: [ - - - - ]idas, Aiskrion biri i Teuthrasit

Apollonia: Do[..]theos

Në këtë epigraf ne shohim si përfaqësues i Epirit mbretëreshën Kleopatra, bija e Filipit II dhe Olimpies, motra e Aleksandrit të Madh, si dhe bashkëshortja me detyrë përfaqësuese regjente e fronit të Epirit, në vend të Aleksandër Molosit, i thirrur për të shpëtuar qytetin e Tarantos në Magna Grecia. Një element interesant është mungesa (krahasuar me epigrafin e mëparshëm) e Thesprotëve, ndoshta në këtë moment historik pjesë i një realitet të ri. Prania e Foinikes, qyteti kryesor i Kaonisë, përsëri na lejon të flasim për një unitet fisnor jo të plotë, por për një “Symahia” me fisin e Kaonëve. Studiuesi Karapanosi publikoj në vitin 1878 zbulimin e një fletë prej bronzi nga santuari i Dodonës, i ardhur nga Zaqinti, ku gjendet shkrimi “πρόξεωοι Μολοσσων καὶ συμμάχωον”. Ajo përfaqëson një formulë të zakonshme si “Athina dhe aleatët e saj”, ose “Spartanët dhe aleatët e tyre”, apo “Maqedonasit dhe aleatët e tyre”.

Fjalët e mëposhtme si “πρόξεωοι Μολοσσων καὶ συμμάχωον” tregojnë se akoma nuk mund të flitet për një unitet të plotë të fiseve mbi Aleksandër Molosin. Por Molosët mbrojnë institucionet e monarkisë së tyre, e cila më sa duket në këtë kohë u lidh me fiset e tjera ndërmjet një “Symahia” (lidhje). Straboni raporton, nëpërmjet Teopompit: ekzistencën e 14 realiteteve fisnore që përbëjnë Epirin (Strab. VII 7, 4.). Plutarku na referon zakonin e betimit bashkërisht të familjes Eakide me Epiriotët për zbatimin e ligjeve në tokën e tyre (Plu. Pyrrh, V 5, 5, 334-335.).

Vitin 342, para Krishtit, Aleksandër Molosi në skenën politike epirote

Në vitin 342, para Krishtit, emri i Aleksandër Molosit, shfaqet në skenën politike epirote, ku pas ndërhyrjes së Filipit II, e gjejmë të cituar nga burimet antike me titullin basileus e Epirit me emrin Neoptolemi II, në vend të Arrybës, i rrëzuar nga froni (familja mbretërore e Epirit e kishte prejardhjen nga djali i Akilit, Neoptolemi, i cili sipas legjendës ai kishte mbretërinë e Molosëve. Nga bashkimi me Andromakën do të lindi Molosi). Në vitin 351 p. Kr., në bazë të aleancës së re, Aleksandër Molosi, në moshën njëmbëdhjetëvjeçar, u transferua në oborrin mbretëror maqedonase; rinia e tij nuk ndihet shumë, mund të supozohet se, ashtu si shumë maqedonas të rinj edhe ai edukohet si një prej tyre; në fakt ne mund ta konsiderojmë si një anëtar i hetairoi-ve. (Justin, VIII, 6)

Prania e figurës së tij në realitetin politik të Epirit, duhet t’i atribuohet projektit politik të Filipit II për të pasur njeriun e tij të besuar në Epir. Martesa e motrës me Filipin II i lejoi mbretit maqedonas të konsolidonte kufijtë e tij veriperëndimor, por mbi të gjitha për të parandaluar krijimin e aleancës Ilire - Epirote. Epiri i Aleksandërit nuk paraqitet akoma si një “portë në drejtim të perëndimit”, por si një mbretëri e karakterizuar fort nga prania maqedonase. Politika e Filipit shihet në mënyrë shumë të qartë, kur jep si dhuratë për mbretërinë e Epirit, kolonitë, domethënë Pandosia, Bouketioni dhe Eleteia (Straboni shton një tjetër qytet, Batia. Strab. VII, 7, 5). dhe polis-in e Ambrakisë (nën kontrollin maqedonas nëpërmjet një garnizoni të caktuar nga Filipi II. Ambrakia ishte qendra tregtare kryesore e Epirit. Dem. IX, 34, X, 10; Diod. XVII, 3, 3. ), e pushtuar nga ai në vitin 342 para Krishtit. Ky veprim i vetëm, por jo i rastësishëm, mund të merret si një shenjë e kompensimit për shkak të heqjes të territoreve veriore të Epirit të Parauejtëve, Antitaninë dhe Timphaes. Këto territore janë qendrat kryesore të komunikimit përgjatë lumit Vjosa, të cilat bashkojnë Ilirinë jugore me Maqedoninë dhe në të njëjtën kohë lidhin atë me koloninë e Apollonisë (Apolonia) dhe me Epirin e veriut. Mund të supozojmë, se me këto veprime synimi kryesor i maqedonasit ishte kontrolli i rrugëve tregtare. Prania e Filipit II të Maqedonisë në jetën e Aleksandër Molosit duhet të shikohet si një shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes të dyve, të cilat forcohen edhe ne solemnitetin e panegyris në Aigai, nëpërmjet martesave për të nënshkruar pajtimin dhe aleancën midis dy familjeve.

Te plani i mbretit detyra e Aleksandër Molosit do të ishte vazhdimësia e zgjerimit dhe pushtimit drejt territoreve të Italisë jugore. Ky projekt është shtyrë mbas vdekjes së sovranit në dasmën e Aigait (Filipi II vdes nga dora e Pausanit. Verë – vjeshtë e vitit 336 p. Kr..).

Molosi dhe Aleksandri i Madh i nisin ekspeditat në të njëjtën kohë

Historikisht ekspedita e Molosit zhvillohet në të njëjtën kohë me atë të Aleksandërit të Madh. Forcimi i pushtetit të Aleksandërit fillon vetëm nga viti 336 para Krishtit, me martesën midis mbesës së tij Kleopatra (Diod. XVI, 72,1), bija e Filipit II dhe Olimpies. Kjo lidhje përcakton bashkimin midis dy familjeve, duke forcuar prezencën e Molosit në kuadrin e familjes mbretërore maqedonase, si anëtar i brendshëm në të gjithë aspektet. Në fakt, çdo fëmijë që do të lindte nga martesa, do të konsiderohet si një princ, i barabartë me Aleksandërin e Madh, sepse gjaku i tyre i përket familjeve Ajakëve dhe Heraklive. Lidhja e ngushtë midis dy familjeve e lehtësoi politikën e Molosit ndaj Epirit. Lidhja do ta çonte drejt unitetit të fiseve nën emrin e Aperios - Epiri dhe do të sillte, siç na thotë Diodori, institucioni e “paìdes basilikòi” siç ishtë atëherë edhe në Maqedoni, me praninë e rojeve të zgjedhur si “hetairoi, fidi dhe delecti” (Liv, VIII, 24, 12). Siç na thotë Tit Livi hetairoi e tij si Apulet do ta shoqërojnë Molosin gjatë ekspeditës së tij në Itali deri në momentin e fundit (vdekjen e tij) në Pandosia.

Sipas burimeve të lashta, ishte fati ai që i afroj perëndimin si shpërblim për veprimet e tij. Por sidomos dëshira për të shpëtuar nga profecia e orakullit të Dodonës, i cili rekomandaoi që të qëndroj larg Epirit nga Pandosisë dhe lumit Aherontit, vendet ku do të gjente vdekjen. Në fakt kërkesa për ndihmë u avancua nga Lidhja Italiane, atëherë e kërcënuar nga fiset barbare lokale. Kjo situatë bëri që Taranto të kërkonte ndërhyrjen e një strategu të aftë. Kërkesa e Tarantos u mor nga epiroti dhe ndërhyrja e tij lind kryesisht nga interesat tregtare që kishte Epiri ndaj Italisë jugore dhe vetë Greqisë, për të inkurajuar në të njëjtën kohë kontrollimin e rrugëve midis brigjeve të Greqisë perëndimore, të Ilirisë dhe të Italisë jugore.

Kërkesa e Tarantos ndaj Molosit nuk na paraqet vetëm njohjen e rolit të tij, por i referohet kryesisht rëndësisë së familjes mbretërore maqedonase. Ajo është gjithashtu edhe rezultati i marrëdhënieve të ngushta politike midis dy familjeve, siç na dëshmohet nga zbulimet e “fletëve” (Imazhi 2.) në santuarin e orakullit të Dodonës. Si për shembull, tek “fleta” e vitit 340/330 p. Kr. e ruajtur në Muzeumin e Janinës në Greqi, që i referohet kërkesës e Nikomakosit ndaj Zeusit Naios, ku gjejmë cituar poleis (qytetet) e Tarantos dhe Heraklea (Muzeu i Janinës n. inv. M 1052; SEG: XLIII, 326, IG X Epeiros, 101. 1996). Emrat e dy poleis gjithashtu shfaqen në dy ekzemplarë të tjerë, përkatësisht nga mesi i shekullit IV p. Kr.  dhe në fillim të IV p. Kr... Emri i Tarantos shifet edhe në një “fletë”, që datohet në mes të shek. IV - III p. Kr., në lidhje me një pyetje të Zeusit Naios edhe Dionit për mirëqënien e qytetit. Në të tjera “fletetë” paraqiten emrat e disa kolonive të Italisë jugore, si Regini, Iponi, Metaponti, Sibarti, Thuri, Krotoni.

Gjetjet e “fletëve” lidhur me kërkesat e poleis e Italisë jugore tek orakulli i Dodonës janë gjithashtu një shenjë e marrëdhënieve ekonomike dhe shoqërore midis dy brigjeve. Iniciativa e Molosit nuk duhet të shihet vetëm si vazhdimësi i një projekti, por përfaqëson aplikimin në Italinë e jugut politikën së tij inovative ndaj fiseve të Epirit.

Ekspedita e sovranit epirot interpretohet (pothuajse) si një lloj imitimi i ekspeditës së Aleksandrit të Madh në Persi. Iniciativat e Molosit në Magna Grecia (kolonitë greke në Italinë Jugore) shprehin pikën më të lartë, që solli hyrjen e epirotit në skenën ndërkombëtare dhe në ngjarjet historike të perëndimit (Liv. VIII, 3, 6). Në fakt, sipas traditës, mbretit të Epirit ju dha epiteti “Mbrojtësi i Italisë Jugore”.

Iniciativa e Aleksandrit tregonte nevojën për të rivendosur ekuilibrin e “koinon” italiot, detyrë që në atë periudhë i takonte Maqedonisë. Sipas Aristotelit, ekspedita e tij ishte një luftë kundër fiseve “barbarëve” të cilët vinin në vështirësi ekuilibrat lokale e realiteteve greke italiane pas avancimit të fisave të Mesapëve dhe të Lukanëve, të cilat e kishin zgjeruar kontrollin e tyre në Kuma, Poseidonia, Laos, Terina, përveç vendin kryesor e mbledhjeve të Lidhjes Italiane, Herakleia.

15 anijet me rrema të Molosit, strategu në kronikat e Aristotelit

Ndërhyrja e Molosit duhet të kuptohet si një projekt i planifikuar nga një strateg i aftë. Tit Livi na referohen përdorimin të një “classis” me 15 “nees” (anije), kurse Aristoteli raporton përdorimin e anijeve ploia hippagoga dhe strategika, për transportin e kuajve dhe materialeve të dobishme për nevojat e strategut. Nëpërmjet fragmentit të Aristotelit i dhënë nga gramatiku Didimi, ne, mund të klasifikojmë 15 anijet me rrema të përdorura nga Molosi. Midis tyre njohim “kapereis”, anijet luftarake dhe “stratiotide”, anijet e transportit të këmbësorve, të cilat indetifikohen nga historianët Tukididi dhe Ksenofoni si anije luftarake (Thuc. I, 116. VI, 43; Xen. I, 1, 36.). Prania e 15 anijeve na lejon, përmes citimet e Demostenit, të identifikojmë numrin e ushtarëve që përbëjnë exaiphnes stateiai. Në të vërtetë, sipas oratorit athinas, një flotë prej 10 trirremash që përdoret për transportin e 2.500 këmbësorëve përbën numrin e domosdoshme për exaiphnes stateiaia. Prandaj mund të supozohet se numri që përbënte ushtrinë e Molosit ishte rreth 3.000 këmbësorë.

Një element tjetër e evolucionit të ekspeditës e Molosit është përfshirja e figurës së tij në një kontekst homerik, kështu që ai mund të konsiderohet si një hero i ri epik. Nga njëra anë Molosi prezantohet nga historianët si Trogu dhe Tit Livi si një Akili i ri, që duhet ti shpëtojë vdekjes së shpallur (profecia e orakullit të Dodonës); nga ana tjetër shihet si një Edip i thirrur për të shpëtuar nga fati i tij. Sipas historianëve Trogu dhe Tit Livi, fitoret e tij mbi Bretët dhe Lukanët e kanë ngritur dhe lavdëruar kaq shumë figurën e Molosit, sa e kanë falur për akuzën tarantine, domethënë, që ai kishte ndryshuar planet e tij për të cilin ai u thirr për të ndërhyrë.

Fillimi i ekspeditës datohet në vitin 334/333 p. Kr. ose në të njëjtën kohë me fitoren e nipi të tij Aleksandri i Madh në Isusit. Aleksandër Molosi ndërhyri në 334 p. Kr., me qëllimin fillestar për çlirimin (para strehimit të Tauriskit në Epir) e tarantinëve nga presioni i Mesapëve dhe Lukanëve. Evolucioni i ekspeditës dhe zgjedhjet që ai bëri, sollën një politikë mjaft personale, e cila krijoi divergjenca me Taranton.

Synimi i Molosit për kontrollin e rrugëve detare drejt Epirit

Konflikti midis Tarantos dhe Aleksandrit u theksuan në vitin 331 p. Kr. ose në 330 p. Kr. në Pandosia (vendi i vdekjes së tij tragjike).

Nga analiza e ngjarjeve të ekspeditës italiane, mund të themi se faza e parë e armiqësive ka të bëjë me zonën Salentine, që intereson Apulët dhe Brindisin. Pushtimi i Sipontit vendosi në fakt bazën për një zhvillim interesant të rrugëve tregtare të kësaj zone. Sigurisht kontrolli i këtyre zonave nga mbreti tregojnë dëshirën e tij për të siguruar kontrollin e rrugëve detare drejt Epirit. Përveç anëtarëve të Lidhjes Italiane, marrin pjesë pranë Molosit edhe fiset lokale të lidhur me Taranton, për shembull si Daunia e cila ishte angazhuar në çlirimin e Herakleisë e poshtuar nga Mesapët para mbërritjes e epirotit (Zgjerimi ushtarak i Mesapëve, megjithatë e Lukanëve, krijoj humbjen nga Lidhja Italiane e Herakles, vendi zyrtar i takimeve). Pushtimet e tij lëvizin paralelisht me iniciativat politike ndaj popullsive lokale, siç na tregojnë ngjarjet e fisit ilir të Apulëve (indetifikuar nga Trogu si Daunët ose Pedikulët, që kontrollojnë të gjithë zonën në mes Sipontit dhe Brindisit) të cilët në të gjithë ekspeditën e tij italiane do të dallohen si aleatët më besnikë. Marrëveshjet për paqen dhe miqësinë, e nënshkruar me Apulët, lejuan fiset lokale të ruanin traditat e tyre, duke i lënë ato të pandryshuara. Situata e re politike e sjellë nga Molosi ishte rezultati i realiteteve kulturore që rrethonin Epirin.

Në mbylljen e fushatës apule, ndërhyrja e Aleksandërit orientohet drejt kërkesave të Lidhjes Italiane veçanërisht të Tarantos, kundër Mesapëve dhe Lukanët, duke arritur fitore të konsiderueshme mbi Messapiorum e Lucanorum urbes (fitoret vlerësohen shumë nga T. Livi dhe Straboni), dhe mbi të gjitha rimarrjen e Heraklës. Poleis-it të ndryshme e Lidhjes Italiote (Liv. IX. 17,17.) vendosin të shtypin monedha prej argjendi dhe ari në nder të sovranit të Epirit. Midis tyre dallohen Taranto, Heraklea dhe Thuri. Prania e Molosit në Italinë jugore na është dëshmuar nga zbulimet monetare, ku shfaqet shkrimi “ΑΛΕΞΑΝΔΡΟΥ ΤΟΥ ΝΕΟΠΤΟΛΕΜΟΥ” (Aleksandër Neoptolemi). Brenda botës epiriote ne shohim: Staterë prej ari dhe argjendi, përpara portreti i Zeusit Dodoneos me kurorë lisi, nga ana tjetër një shtizë me rrufe dhe shkrimi: “ΑΛΕΞΑΝΔΡΟΥ ΤΟΥ ΝΕΟΠΤΟΛΕΜΟΥ” (Imazhi 3.). Në një monedhë tjetër prej ari dhe argjendi, nga njëra anë paraqitet portreti i fytyrës i Apolonit Heliosi, me kurorën e diellit, dhe nga ana tjetër një shtizë me rrufe; me legjendën: ΑΛ ΕΞ ose ΑΛΕΞΑΝΔΡΟΥ ΤΟΥ ΝΕΟΠΤΟΛΕΜΟΥ (Imazhi 4.).

Në një monedhë prej bronzi që i përshtatet vitit 334 p. Kr., nga njëra anë na paraqitet mburoja maqedonase me rrufe. Dhe në mes shkrimin ΑΛΕΞΑΝΔΡΟΥ (Aleksandër), kurse nga ana tjetër vetëtima në kurorën e dafinës.

Në një monedhë tjetër prej bronzi, shohim figurën e shqiponjës me krahët të mbyllura mbi rruffen. Në të majtë trekëndësh dhe në të djathtë gjethe dafine, ndërsa nga ana tjetër, ruffe mbi kurorë dafine, me legjendën: ΑΛΕΞ ΤΟΥ ΝΕ (Imazhi 5.).

Shumica e studiueseve hipotezojnë se monedhat janë prodhuar në Epir dhe në Italinë jugore ndoshta mes vitit 342–334 p. Kr., nga fillim i mbretërisë së Molosit, deri në ekspeditën e tij në Itali. Simbolikisht, ato lidhen me traditën e Molosëve. Në Italinë jugore, prezenca monetare iu përket qendrave e përfshirë nga kalimi i Molosit gjatë ekspeditës së tij. Në  Taranto janë zbuluar dy staterë prej ari (Imazhi 6.), ku gjemë rafiguruar kokat e Dhemetrës dhe Persefoni, ose të Gajës dhe Herës. Edhe në Metapont gjejmë staterë (shtiza konsiderohet si një karateristikë e dinastisë mbretërore, e cila përfaqëson fisin kryesor) para ardhjes së “strategut” në këtë zonë, ndoshta këto vinë nga Taranto; këto prodhime u bënë pas traktatit të “miqësisë” midis polis-it dhe mbretit. Në Heraklea janë gjetur monedha me interes të konsiderueshme që paraqesin Niken. Prania e Nikes na sugjeron të mendojmë se ky imazh mund të jetë përdorur për fitoren ose çlirimit e polis-it.

Shenjat e para të politikës e re të Aleksandër Molosit kanë kaluar përmes ndryshimit të selisë e mbledhjeve të “Lidhjes Italiote”, që nga Heraklea u zhvendos në Thuri. Ndryshimi i vendit të takimit thekson vullnetin e Molosit për të riorganizuar koinon-in, me mbështetjen e realiteteve të lidhur me të si Metaponti, Thuri, Krotoni, Lokri, Terina dhe Elea, dhe fiset vendase, të tilla si Apulët, Daunët dhe Pedikulët. Duhet të raportohet se pengjet u dërguan në Epir pas fitoreve mbi Bretëve dhe Lukanët, dhe këto të fundit i futi në gardën personale, duke afruar punën e tij me politikën e Filipit II të Maqedonisë.

Faza e parë e ekspeditës thekson nevojën dhe rëndësinë e kanaleve të komunikimit me Epirin, për të shfrytëzuar rrugët e reja komerciale të “Ionios Kolpos” e cila nuk përfshin kalimin midis Sipontit dhe Brindisit. Ajo ka për qëllim të shfrytëzojë, në fakt, kalimin e rrugës e saj natyrore nëpër brigjet jugore të Japigës midis Leukës dhe Otranti në drejtim të Tarantos, duke afirmuar kështu rëndësinë e kolonisë në rrugët e Adriatikut.

Prezenca e Molosit në këtë zonë, na lejon t’i atribuojmë atij një aftësi të rëndësishme tregtare që vetëm disa shekuj më vonë do të zhvillohet nga Roma nëpërmjet dy rrugëve Apia dhe Egnatia. (Via Appia përfundon afër portit të Brindisit, për të vazhduar pastaj nga Epidamni (Durrësi) si Via Egnatia. Këto janë dy pikat themelore të trafiqeve në detin Adriatik.).

Faza qendrore e ekspeditës karakterizohet nga intensifikimi i përpjekjeve të Molosit ndaj Lukanës perëndimore dhe Bretëve, duke arritur deri tek deti Tirren (332 p. Kr. lëviz në drejtim të Lukanës perëndimore dhe në zonën e Bretëve, duke e pushtuar, siç raportohet nga Trogu: “Consentiam ac Terinam”. Justin. XII, 2, 12.). Këto u benë dy pikat kryesore për trafikun dhe kontrollin e terrenit dhe Adriatikut. Arritja në Tirren i garanton zbatimin e projektit të Filipit II, për të cilin, nga ana maqedonase, ishte planifikuar ekspedita e tij. Fitoret e Molosit kishin të njëjtën rëndësi me ato të nipit Aleksandërit mbi Perandorinë Persiane. Në këtë periudhe 300 familje aristokrate lokalë dërgohen në Epiri (Liv. VIII, 24, 4, 6.). Politika e tij personale vihet në dukje nëpërmjet traktateve të miqësisë “philia” me Metapontin, Pedikulët - Peuçetët dhe Romakët (Trogu, nëpërmjet Jiustinit: “...cum Matapontinis et Poediculis et Romanis foedus amicitiamque “… me Metapontët dhe Pedikulët dhe Romakët ai nënshkroi një pakt të miqësisë”) që i shkatuan përplasjen me Taranton, sidomos pas lëvizjes së selisë e Lidhjes Italiote nga Heraklea në Thuri (“Ὁ γοῦν Αλέξανδρος τὴν κοινὴν Ἑλλήνων τῶν ταύτη πανήγυριν, ἢν ἔθος ἦν ἐv Ἡρακλεία συντελεῖν τῆς Ταραντίωης, μετάγειν ἐπειρᾶτο εἰς τὴν Θουρίαω κατὰ ἔχθος...”.) “Kështu Aleksandri u përpoq të transferonte në Thuri këshillin e përgjithshëm të Lidhjes Italiane, i cili normalisht mbahej në Heraklea në territorin e Tarantos. ...”. Str. V, 280).

     Rritja e prestigjit e tij dhe vazhdimi i ekspeditës dhe politika personale ndaj poleis-it greke dhe fiseve lokale, bëjnë që puna e tij, mund të krahasohet me sjelljen e Sirakuzës Timoleontit, e cila bashkëpunoi me Sikulët dhe Sikanët për të mundur “barbarët” kartagjenas, siç na e thotë Braccesi. Shenjat e ndryshimit dhe motivi që solli Molosin për të ndërhyrë në Itali na janë konfirmuar në versionin e tekstit të “Kronikës e Osirinkut” (The Oxyrhynchus Papyri, I, FGrHist 255, 6, (POxy 12). 1898, 25-36.), të cilat i referohen Aleksandërit. Me sa duket Molosi, i cili në vitin 100-të e olimpiadës në 334/333 p. Kr. kaloi në Itali për të ndihmuar grekët e këtij rajoni.

Prania e tij në zonat e lagura nga deti Tirren na dëshmohen edhe nga monedhat e gjetura në Terinë, të cilën mbase e pushtoj në vitin 331/330 p. Kr. ky është viti i fundit i ekspeditës së tij në Italinë jugore (viti e themelimit të Aleksandrisë së Egjiptit, vdekja e Molosit ka ndodhur në vjeshtë – dimër i vitit 331/0 para Krishtit, datimi na konfirmohet nga ngushëllimet e Athinës drejtuar mbretëreshës Kleopatrës së Epirit, edhe nipit Aleksandri të Madh nga Antipatri). Ngjarjet që lidhen me vdekjen e Molosit e bëjnë atë një hero homerik tragjik, sidomos për shkaqet e saj. Kjo ndodhi për shkak të tradhetisë të 300 Lukanëve të besuar dhe do të ishte njëri prej tyre që do ta vriste atë në Pandosia në ujërat e lumit Aheronit (kalorësit e besuar që vepronin përkrah Molosit, regii pueri, njërit prej tyre dimë dhe emrin, Sostimus). Duhet theksuar se gjatë fazës së dytë të fushatës krijohet thyerja midis Taranton dhe Molosit. Kjo situatë shtyn polis-in ta konsideroj atë si një “pushtues”. E njëjta polis do të akuzoi sovranin për mos zbatuar detyrën për të cilën ai ishte thirrur (të ndihmonte kolonitë), siç dëshmohet nga vepra e Justinit (Justin. XII, 1, 15). Për polis-in Tarantine detyra e “strategut” epirotë mund të konsiderohet i përfunduar pas fitoreve në zonën e Garganit, me pushtimet e Sipontit dhe Arpit dhe lirimin e Herakles polis i selisë të takimeve të Lidhjes Italiote. Thyerja e krijuar do ta sjellë Taranton mos të interesohet për shpengimin e trupit të Molosit dhe do ta shtyjë koloninë të marrë atë rol anti-maqedonas në Italinë jugore që Sparta kishte në Greqi (historikisht kryengritja spartane u shtyp nga Antipatri regjenti i Maqedonisë, në vjeshtën të viti 331 p. Kr. ku mundi në jug të Megalopolit mbretin spartan Agidi III).

Molosi në rafigurimet e vazove, fama krahasohet me Aleksandrin e madh

Në përfundim mund të themi se figura e Molosit shpesh herë krahasohet me iniciativat në këtë fushë, së pari me atë të Athinës, në shekullin para ekspeditës së tij, pastaj me Pirron, mbreti i Epirit në shekullin e ardhshëm. Politika athinase në këto zona mund të përmblidhet më interesin komercial-tregtar që Adriatiku dhe Joni kanë përfaqësuar gjithmonë për Athinën, Kjo është demonstruar nga prania e prodhimeve athinase dhe ndikimi e saj kulturor në realitetet lokale të lidhur me këto dete (dhe jo vetëm), dhe sidomos nga themelimi i kolonisë e Thurit. Prania e Pirros (Plu. Pyrrh, 13, 12). ndryshon nga ajo e Molosit, sepse Pirroja mbërriti në Itali si një “hegemon” enjë aleance të madhe që përfshinte Taranto, Mesapët, Lukaniët, Bretët dhe Sanitët, kundër një armik të përbashkët, Roma. Ekspedita e mbretit të Epirit krijoi, siç e kemi thënë, në aleancë disa mosmarrëveshje me anëtarët të cilët kërkonin një strateg dhe jo një “pushtues të perëndimit”.

Aleksandër Molosi, përmes iniciativave politike të tij personale tregoj të jetë një strateg i aftë, pasi sinergjia e krijuar me realitetet lokale është jo vetëm për shkak të nevojave ushtarake, por edhe për të forcuar besimin e popullsisë lokale ndaj tij, në mënyrë që ata të bëheshin element themelor të projektit të Molosit, se bashku më poleis italiote të lidhur me atë. Traktatet e miqësisë të nënshkruar nga Molosi siç na e tregon Justini, i lejuan realizimin e pushtimit të një pjese të Italisë Jugore, duke e lënë të pandryshuar rolin e anëtarëve në institucioneve lokale, siç kishte ndodhur me Apulët dhe Daunët në fazën e parë të ekspeditës së Molosit.

Faza e dytë ekspeditës së tij, e cila e sheh Molosin të angazhuar në drejtim të zonave të Tirrenit kundër Sanitëve dhe Lukanëve, veçanërisht fitorja e arritur në Posidonia i garantoj zgjerimin e horizonteve ekonomike dhe sociale në këto zona. Në këtë moment fitoret e rëndësishme mbi Bretët dhe Lukanët bëjnë që ai të pushtojë Cosentia (Kosenza), kryeqyteti i Bretëve dhe më vonë të çlirojë Terinën, duke hapur rrugën për në detin Tirren. Çlirimi i Terinës së bashku me Arpin dhe Sipontin nga ana e Adriatikut i lejon realizimin e kontrollit të rrugëve tregtare të dy deteve, por mbi të gjtha i lejonin kalimin eventual në Sicili dhe në Afrikë duke vazhduar pushtimin, në drejtim të Kartagjenës. Në këtë fazë kryesore, ne shohim, nga ana e rrethit pranë Molosit, një ndryshim të arsyeve që e çuan ndërhyrjen e tij. Vetëm tani, ato shihen si një ndihmë të rëndësishme për të gjithë “poleis-ët” e Italisë jugore, ashtu siç është konfirmuar nga Justini, duke iu referuar Trogutit, i cili nga ana e tij ndoshta përdor Proxenin (Justin. XXIII, 1, 15., “Denique Alexander, rex Epiri, cum in auxilium Graecarum civitatum”, “Së fundi Aleksandri, mbreti i Epirit, që ka ardhur për të shpëtuar qytetet greke”).

Propaganda e krijuar ndaj Molosit dëshmohet nga zbulimi i gjashtë “kratereve” apulë (Imazhi 7. 8. 9. 10. 11.), të njohur si “Perservasen”, produkte e “Piktori i Darius”. Në amforat të gjetura na tërheq figura i një kalorësi (Imazhi 12.), i armatosur me një shtizë i cili po ndjek një karrocë në largim (Imazhi 13.). Kjo skenë është krahasuar, për afinitetet e saj me mozaikun e Aleksandërit të Madh në “shtëpinë e Faunit” në Pompei (Imazhi 14.), si dëshmi e rëndësisë së ekspeditës e Molosit. Duhet të kemi parasysh se në pikturat e vazove mungojnë tiparet identifikuese të karaktereve individuale, të pranishëm në mozaikun; në fakt kalorësi na paraqitet me mjekër, në kokë me një përkrenare korintase, ndryshe nga Aleksandri i mozaikut, i rafiguruar pa mjekër, pa përkrenare në kokë dhe me flokët të zeza.

Në vazot (Imazhi 9. dhe Imazhi 10.) gjithashtu gjemë figurën e Zeusit, i thirrur nga  Athina, i cili vendos kurorën e fatit midis konfliktit të Greqisë dhe Azisë, duke dërguar Niken me kurorën në drejtim të Helladit. Origjina e këtyre kratereve i atribuohen zonave e Daunisë dhe Peuçetëve, tradicionalisht aleatët e Tarantos. Supozohet se ato ishin të destinuara për varret e aristokratëve lokale, që kishin rënë së bashku me Molosin. Sipas rafigurimëve të vazove, ekspedita e Molosit mund të krahasohet me atë të nipit të tij Aleksandri në Azi. Kalorësi me mjekër i referohet ikonografisë e kohës që paraqet strategët më mjekër. Barbarët mund të identifikohen si Persian, që përfaqësojnë fiset që luftuan kundër Molosit, për të shpëtuar Helladin e kërcënuar nga ata. Interesante është hipoteza e formuluar nga studiuesit për sa i përket Aleksandërit me flokë të gjatë dhe të zeza i ilustruar tek “mozaikun” i famshëm. Mund të supozojmë që Aleksandri në diskutim nuk është Aleksandri i Madh, por Aleksandër Molosi, për shkak të karakteristikave fizike të ndryshme të madhit.

Ekspedita italiane e Molosit shpreh vullnetin e tij politik “inovativ”, që ishte për të bashkuar fisit ilirët, grekët dhe barbarët në një realitet të vetëm, duke u bërë vetë ai mbrojtësi i këtij realitetit të ri, ose më mirë: “Mbrojtësi i Italisë Jugore”.

*Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë. Përgatiti për botim Dhurata Hamzai)

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ana: 29/08/2019 19:37

    Ku e paske gjetur këtë burim që Aleksandër Mollosi na qënka ilir? Nëse ke studiur në Itali, asnjë autor Italian nuk e thotë këtë. Aleksandër Mollosi ishte epirot dhe epirotët nuk janë njohur kurrë si ilir. Mollosët ishin në luftë me ilirët. Εpiri merrte pjesë në lojrat olimpike si çdo qytet grek. Prandaj ti nuk je arkeolog serioz por subjektiv.

    Përgjigju
    • EPIRIOTI ÇAM: 13/06/2023 04:15

      Ik gris dipllomen ti EPIRIOTET JAN ÇAM PELLAZG GJYSHRIT E MI KAN LINDUR NE EPIR DHE ISHTE SHQIPERI FLITEJ SHQIP DHE SOT FLITET SHQIP????????????????

    • EPIRIOTI ÇAM: 13/06/2023 04:09

      Po ca thua moj ana e di ti kish esht epiri?!! Esht çameria e sotdhme nga kam fhe un origjinen ALEKSANDER MOLOSI ishte ÇAM???????????????? PELLAZG greqia ska egzistuar fare ne ato kohra. Ka qen luft qe benin SHQIPTARET MES NJERI TJETRIT. si AKILI GJYSHI I ALEKSANDRIT MOLOS. qe beri luft me TROJANET qe ishin po ashtu SHQIPTAR. grsie diplomen ti zogu???????? bej nje shkoll tjeter mga e para

  • Sanv: 25/08/2019 10:06

    Bravo jani per zbulimin Por qendro tek daja sepse po vajte me tutje dhe ta nxjerresh Aleksandrin shqiptar do kesh pune me Greqine dhe Maqedonine, rrezik te futet dhe Trump ne loje dhe te pretendoje qe eshte pasardhes i Aleksandrit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja