Rauning kujtoi se “Në fillim të viteve 1990, ndërkombëtarët, sikundër edhe shqiptarët, qenë të bindur se një dhjetëvjeçar do të mjaftonte për të ndërtuar një sistem demokracie dhe ekonomi tregu funksionalë dhe të rrënjosur mirë. Mbi dy dekada më vonë, e kuptojmë që na pret edhe shumë punë. 25 vjet mund të mos tingëllojnë shumë në terma të tillë historikë, por në jetën e një individi, 25 vjet janë shumë. Kjo mospërputhje mund të jetë një prej arsyeve që nxisin pyetjen me të cilën vijojmë të përballemi edhe sot, pyetjen kuptueshmërisht të paduruar: edhe sa duhet?”. Ndërsa apeloi për mobilizm të të gjithë potencialeve që ka vendi ynë për kapërcimin e sfidave drejt integrimit të plotë, siguroi mbështetjen e plotë të OSBEsë ndaj Shqipërisë edhe në vijim.
Sipas Raunig ata që duhet të luajnë një rol udhëheqës janë politika dhe media. “Politika dhe media duhet të luajnë një rol udhëheqës: ato janë përgjegjëse për krijimin e klimës së përgjithshme të përshtatshme, ku puna konstruktive dhe e efektshme për të ardhmen e vendit bëhet e mundur”.
Por ai nuk ka lënë pa përmendur edhe respektimin e shtetit të së drejtës,mirëqënies sociale dhe fitimin e besimit të qytetarëve. “ Edhe sa duhet për të përmbushur programin ambicioz, për të përvetësuar kulturën e debatit demokratik, respektimin e shtetit të së drejtës, për të konsoliduar mirëqenien socialo-ekonomike e për të siguruar konkurrencën e ndershme të tregut? Si mund ta përshpejtojmë procesin, në mënyrë që popullsia të fitojë besim në të ardhmen e vendit?” tha Raunig.
Ndërkohë, ambasadori Amerikan, Donald Lu tha se Shqipëria gjatë këtyre ditëve kaditur që të përballet me sfidat, ndërkohë që qeveria është duke u marë me problemet e së shkuarës për të ecur përpara. “Unë besoj se sot shqiëria është e fortë jo për atë që ka kaluar por për mënyrën se si përballet sot me sfidat. Qeveria po merret realisht me problemet e së shkuarës për të ecur përpara dhe rast konkret është ai i reformës në sisemint gjyqësor. E duam shqipërinë si gjithë europa” ka thënë ambasadori Donald Lu.
Fjala e plotè e ambasadorit
25 vjet më parë, Shqipëria u çlirua nga një prej regjimeve më të ashpra diktatoriale që kanë ekzistuar ndonjëherë. Dyert me botën e jashtme, të mbyllura hermetikisht për më shumë se katër dekada, papritur u hapën dhe e çuan vendin drejt një realiteti të panjohur deri më atëherë: vendi qe katapultuar në shekullin e njëzetenjëtë.
Qysh atëherë, koha, durimi – dhe padurimi – të lidhur me pyetjen se si të arrish e të mbash një nivel të vazhdueshëm zhvillimi të qëndrueshëm të shoqërisë, ekonomisë, kulturës, politikës dhe vendit në përgjithësi, kanë luajtur një rol vendimtar në jetën e përditshme të popullit shqiptar.
Kur hedhim vështrimin pas te 25 vitet e fundit, e kuptojmë që Shqipëria pësoi një ndryshim të pamatë. Krahasuar me regjimin e mëparshëm totalitar, vendi ndryshoi kryekëput. 25 vjet më parë, Shqipëria jo vetëm mbijetoi, por edhe skicoi njëprogram ambicioz për përparimin e saj të mëtejshëm.
Vendit iu desh të përballej me sfida të jashtëzakonshme përgjatë kësaj rruge, si gërryerja e shtetit në anarki më 1997 apo vërshimi i afro 400 000 refugjatëve më 1999. Shqiptarët i bënë ballë krizës ekzistenciale të piramidave me qëndrueshmëri të pashoqe dhe krizës së jashtëzakonshme të refugjatëve me madhështi njerëzore.
Veç kësaj, Shqipëria ia doli me sukses të ngrinte institucionet e nevojshme për të krijuar bazën e zhvillimit të mëtejshëm të një shteti dhe shoqërie të shëndetshëm, demokratikë dhe të drejtuar nga tregu. Për më tepër, Shqipëria u bë anëtare e disa institucioneve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare dhe kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Sfida vijon në punën e përditshme, se si të nguliten fryma, kultura dhe sjellja e duhur tek institucionet shqiptare: si t’i konsolidohen ato në mënyrë që këto institucione të mund të kenë ndikim maksimal në përparimin e mëtejshëm të vendit.
Shumë partnerë dhe miq, dypalësh, si dhe organizata ndërkombetare, e kanë shoqëruar Shqipërinë në rrugën e konsolidimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm: Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, OSBE-ja, e cila hapi Prezencën e saj në vend në vitin 1997.
Duke marrë si shembull OSBE-në, mund tëkuptojmë se sa e çmuar dhe e përshtatshme vijon të jetë ndihma ndërkombëtare, pasi çështjet e bashkëpunimit mes OSBE-së dhe Shqipërisë, të përcaktuara në mandatin e Prezencës të vitit 1997 dhe 2003, mbeten shumë të pranishme te temat kryesore me të cilat merret vendi sot.
Në fillim të viteve 1990, ndërkombëtarët, sikundër edhe shqiptarët, qenë të bindur se një dhjetëvjeçar do të mjaftonte për të ndërtuar një sistem demokracie dhe ekonomi tregu funksionalë dhe të rrënjosur mirë. Mbi dy dekada më vonë, e kuptojmë që na pret edhe shumë punë.
25 vjet mund të mos tingëllojnë shumë në terma historikë: ndërtimi i një demokracie dhe ekonomie tregu nga hiçi në vetëm 25 vjet duket ca si ambicioze, veçanërisht duke pasur parasysh se nga ç’pikë u nis vendi. Por, në jetën e një individi, 25 vjet janë shumë.
Kjo mospërputhje mund të jetë një prej arsyeve që nxisin pyetjen me të cilën vijojmë të përballemi edhe sot, pyetjen kuptueshmërisht të paduruar: edhe sa duhet? Edhe sa duhet për të përmbushur programin ambicioz, për të përvetësuar kulturën e debatit demokratik, respektimin e shtetit të së drejtës, për të konsoliduar mirëqenien socialo-ekonomike e për të siguruar konkurrencën e ndershme të tregut? Si mund ta përshpejtojmë procesin, në mënyrë që popullsia të fitojë besim në të ardhmen e vendit?
Në shqyrtimin e sotëm, kuptojmë se populli shqiptar ka një pasuri krijimtarie, talenti, shpresash e ëndrrrash, që vijojnë të mos e përmbushin dot potencialin e tyre të plotë.
Jam i bindur se mobilizimi i këtij potenciali varet thellësisht nga përpjekja e sinqertë e të gjitha segmenteve të shoqërisë për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive e tëçiltër. Në të shkuarën, tepër shpesh, vëmendja është përqendruar te çështjet që përçajnëse sa te synimet e përbashkëta. Politika dhe media duhet të luajnë një rol udhëheqës: ato janë përgjegjëse për krijimin e klimës së përgjithshme të përshtatshme, ku puna konstruktive dhe e efektshme për të ardhmen e vendit bëhet e mundur.
Lejomëni t’ju siguroj se OSBE-ja do të mbetet përkrah vendit, për ta ndihmuar Shqipërinë, së bashku me të gjithë partnerët dhe miqtë, në arritjen e synimeve të përbashkëta për të ardhmen e vendit.
Vijon...
Redaksia online
(f.t/shqiptarja.com)