Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim në themel të çështjes në ngarkim të kryebashkiakut Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij, nënkryetarit Abedin Kërnaja, të cilët akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit një dëm prej 2.7 mln euro. 

Sipas prokurorisë, rezulton se drejtuesi i Bashkisë gjatë procesit për hapjen e rrugëve me një gjatësi 3.2 km, e cila në pjesën dërrmuese kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese, duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi siç parashikohet legjislacioni për këto lloj punimesh”.

SPAK bën me dije se kjo praktikë është ndjekur më shumë se një herë dhe ka rezultuar në shkelje të ligjit. Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka arritur në konkluzionin se Byberi dhe Kërrnaja kanë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar.

Në gusht të vitit të kaluar, GJKKO zëvendësoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” me atë “detyrim paraqitje” për Byberin dhe nënkryetarin Kërrnaja.