DURRËS- Mbi një vit pas sekuestrimit, 2800 ton mbetjet e rrezikshme të kompanisë Kurum që u kthyen nga Tajlanda ende mbahen në kontenierë në Porto Romano. Ndërsa Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 udhërarreste për përgjegjësit, pasi hetimet zbuluan shkelje të legjislacionit mjedisor nga Kurum, kompania “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit, pikëpyetja mbetet se çfarë do të ndodhë me mbetjet e rrezikshme, të cilat u faktuan të tilla edhe nga analizat në Itali. Report Tv ishte edhe në vendin ku janë magazinuar mbetjet e Kurum, për të cilat ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për trajtimin ose asgjësimin e tyre.
Tashmë është fakt se këto mbetje, të mbajtura prej më shumë se një viti në kontenierë në Porto Romano, janë të rrezikshme. Sipas rezultateve të ekspertimit të kryer në Itali në dhjetor 2025, mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike me qark – EAFD; të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar dhe me përmbajtje shumë të lartë të zinkut dhe hekurit, të shoqëruara me plumb, bakër, mangan, kalium, kalcium dhe squfur. Elementët përbërës konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Referuar analizave, në dosjen hetimore përshkruhet rreziku i toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore.
Në këtë fazë, kur hetimet kanë avancuar dhe përgjegjësitë penale janë identifikuar, mbetet e paqartë se cili institucion duhet të marrë përsipër konkretisht procesin e asgjësimit: a i takon kjo shtetit apo subjekteve private të përfshira?
13 ende në kërkim
Nga 33 urdhërarrestet që u lëshuan nga Prokuroria e Durrësit, vetëm 20 prej tyre janë ekzekutuar. 2 administratorët turq të kompanisë që operon në Elbasan dhe 3 drejtues të Kurum, nuk u gjetën në banesat e tyre. Tek kjo kompani, policia arrestoi vetëm dy persona, drejtorin e departamentit të shitjeve, dhe një specialist te zyra e mjedisit.
Efektivët e policisë nuk mundën të arrestojnë as Gjovana Sokolajn, pronaren e kompanisë Sokolaj që eksportoi 2800 tonë mbetjet të rrezikshme të Kurum nga porti i Durrësit, dhe që më tej Tajalanda i riktheu në Shqipëri në tetor të 2024-ës. Edh eish-adminsitratorja e kompanisë, nuk u gjet. Kontabilistja e kompanisë Sokolaj u kap me masë arresti shtëpiak, ndaj së cilës është ngritur edhe akuza për pastrim parash.
Në kërkim mbetet edhe bashkëshorti i pronares së kompanisë që eksportoi mbetjet, Doni Sokolaj, me nënshtetësi kroate, kompania tjetër e të cilit GS Minerals mundësoi me disa kontrata qiraje depozitimin e mbetjeve në portin e Durrësit. Organi i akuzës gjen me përgjegjësi, edhe kompaninë koncesionare të terminalit lindor në portin e Durrësit EMS APO ku u depozituan mbetjet, por administratori gjerman i saj, Ingo Hesse, rezulton ende në kërkim. Administratori shqiptar i saj, Florian Çimo, u arrestua.
Përballjes me drejtësinë i shpëtoi edhe aksionerja e një tjetër kompanie, Mbarime Koroci e “Alliance Resource”. Prokuroria e Durrësit akuzon se edhe kjo kompani ka marrë një sasie të madhe mbetjesh të rrezikshme nga Kurum pa pasur kushtet për trajtimin e tyre
Në kërkim edhe Petrit Qosja, i cili në dosjen e prokurorisë figuron në kontratat e nënshkruara mes “Kurum International” dhe kompanisë “Bajrami N”, për përpunimin e mijëra ton mbetje skorie edhe pse nuk ishte i licencuar për trajtimin e tyre.
Prokuroria akuzon për shpërdorim detyre edhe drejtues dhe punonjës të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit që nuk kanë monitoruar lejet. Nga 7 masa në këtë institucion, përfshirë ish-drejtuesen Arta Dollani, dhe atë aktuale Marjeta Përlala me arrest shtëpiak, efektivët e policisë nuk gjetën në banesë drejtorin e Inspektimeve Dritan Seferaj. Edhe nga Autoriteti portual në Durrës, nuk u arrestua gjatë operacionit të martën, një inspektor.
Sipas dosjes hetimore të cilën Report Tv e siguron, shoqëria Kurum dhe kompania Sokolaj, në fakt ishin në dijeni të plotë të mbetjeve të rrezikshme dhe kanë falsifikuar faturat e shitjes duke i fshehur. Personat ndaj të cilëve janë lëshuar masa sigurie, akuzohen për kontrabandë të mallrave të ndaluara, ndotje të ajrit, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim të detyrës.
lajmi në përditësim...

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, informon opinionin publik se, ka kryer dhe vijon të kryejë veprime hetimore në kuadër të procedimit penal Nr.1596 viti 2024, të regjistruar për veprat penale: ‘Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i dokumentave”, “Transportimi i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 171-25, 175-25, 186/2, 201/a-25, 201/b-25, 248 dhe 287/2 të Kodit Penal.
Hetimet për këtë procedim penal, nisën pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Hetimit Doganor, e cila ishte njoftuar në datë 25.07.2024 nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission) për një ngarkesë se dyshohej që mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tajlandë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF bashkëpunuan për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës, ku u evidentua eksportimi i sasisë prej 2.816.300 kg nga subjekti Sokolaj sh.p.k. Kjo sasi, e ngarkuar në 102 kontenierë u kthye në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024 me anijen Moliva XA443A, pasi ishte refuzuar nga autoritetet e Tajlandës.
Në datë 08.11.2024, u krye sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të 102 kontenierëve, të cilët iu lënë në ruajtje dhe administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe aktualisht ndodhen në Porto Romano, Durrës, në kushte të sigurisë mjedisore dhe fizike. Gjatë procesit të sekuestrimit, kontenierët iu nënështruan edhe testit për radioaktivitet, ku nga skanimi nuk u konstatua prani e lëndës radioaktive GAMA apo NEUTRON.
Me qëllim marrjen e mostrave për ekspertim dhe kryerjen e analizave laboratorike, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit Durrës, i është drejtuar të gjitha ministrive dhe institucioneve brenda territorit shqiptar. Nga përgjigjet e administruara nuk rezultoi asnjë institucion, laborator apo ent që të kishte infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit të tyre.
Në vijim, në bashkëpunim edhe me autoritetet italiane projektit EU4LEA dhe ekspertëve italianë të sigurisë, u identifikua dhe verifikua një laborator në Itali i cili kreu të gjitha testimet laboratorike, si dhe u angazhuan dy shoqëri shqiptare dhe një ekspert shqiptar i fushës, të cilët plotësonin kriteret e përgjithshme dhe specifike që duhet të plotësohen sipas protokolleve ndërkombëtare, për rastet kur duhet të merren, transportohen, ruhen dhe testohen mostra potencialisht të rrezikshme.
Mostrat e marra nga 102 kontenierët e sekuestruar dhe mostrat e marra nga: Shoqëria Kurum International sh.a.; Sokolaj sh.p.k. dhe Alliance Resource sh.p.k., ju nënshtruan ekspertimit për përbërjen e tyre kimike, karakteristikat fizike, klasifikimin, përputhjen midis tyre, përputhjen me fletët e analizave të paraqitura nga subjektet për eksportin e tyre dhe rrezikshmërinë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.
Nga akti i ekspertimit rezultoi se, materiali i analizuar, është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut (Electric Arc Furnace - EAF), proces i cili përfshihet qartësisht në fushëveprimin e nënkapitullit 10 02 të EËC. Bazuar në përbërjen kimike të materialit dhe në aktivizimin e vetive të rrezikut HP10 dhe HP14, në perputhje me Annex III të Direktives 2008/98/EC (Ëaste Frameëork Directive) dhe rregulloret përkatëse zbatuese, kodi përkatës brenda këtij nënkapitulli duhet të jetë ai i shënuar si mbetje e rrezikshme me kod sipas katalogut te mbetjeve 10 02 07*.
Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatashëm përpara depozitimit përfundimtar.
Nga analizimi i kontratave të lidhura midis subjekteve, dokumentacionit financiar të administruar nga subjektet dhe drejtoritë tatimore, regjistrave mjedisorë dhe dokumentacionit të administruar nga AKM, EMS, Autoriteti Portual dhe Dega e Doganës Durrës, si dhe rezultatet e ekspertimit, provohet në mënyrë të arsyshme se prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme Kurum International sh.a. në dijeni të plotë të ndalimeve ligjore kombëtare (ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar dhe akteve nënligjore) dhe ndërkombëtare (ligjit nr.8216, datë 13.5.1997 “Për aderimin e Republikes se Shqipërisë në Konventen e Bazelit per kontrollin e levizjeve nderkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjesimin e tyre", Kodit Doganor etj.), ka kryer një sërë veprimesh në bashkëpunim me subjekte të tjera, për të mbuluar natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për t’i eksportuar jashtë Shqipërisë dhe për t’i tregtuar ato brenda territorit shqiptar.
Pas administrimtit të aktit të ekspertimit ku provohet se mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike, Prokuroria Durrës, krijoi bindjen e plotë se jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis, si dhe veprimtarinë e ndershme dhe konkurruese ekononomike.
Për të garanatuar efikasitetin e procedimit dhe vërtetësinë e provave, për të shmangur largimin e personave nën hetim, si dhe për të shmangur kryerje të mëtejshme të këtyre veprave penale, si dhe për të zbuluar të gjitha shkeljet që janë kryer në mundësimin e eksportimit apo fshehjes së sasisë reale të mbetjeve që krijon shoqëria Kurum International sh.a., Prokuroria Durrës kërkoi në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues për shtetasit:
1. E.D, shtetas turk, administrator i shoqërisë Kurum International sh.a. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumenteve” në dy raste, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;
2. Y.S.K., shtetas turk, përfaqësues me prokurorë i administratorit të shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;
3. M.I., me detyrë drejtor transporti i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Transporti i mbetjeve”;
4. R.B., me detyrë drejtor mjedisi i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
5. H.S, shtetas turk, drejtor prodhimi çeliku i shoqërisë Kurum International sh.a. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për vepren penale “Menaxhimi i mbetjeve”;
6. A.Sh., përfaqësues me prokurorë i administratorit të shoqërisë Kurum International sh.a dhe drejtor finance me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Menaxhimi i mbetjeve”, falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;
7. Sh.H, drejtor i shitjeve i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;. Ekzekutuar
8. M.Z., kontabiliste e shoqërisë Kurum International sh.a., me masë së sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”; Ekzekutuar
9. Gj.S., administratore e shoqërisë Sokolaj sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;
10. D.S, përfaqësues i shoqërisë GS Minerals d.o.o., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
11. O.P., administratore e shoqërisë Sokolaj sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
12. M.K, administratore e shoqërisë Alliance Resource sh.p.k. me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
13. N.B., administrator i shoqërisë Bajrami N sh.p.k. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
14. A.P., administrator i shoqërisë Bajrami N sh.p.k. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
15. P.Q, person fizik, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale
“Menaxhimi i mbetjeve”’;
16. M.H., me detyrë agjent doganor, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
17. J.K., me detyrë përgjegjësi i turni pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
18. I.L., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
19. E.V., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
20. H.L., me detyrë përgjegjësi i turni pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
21. Sh.J., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
22. F.Ç. përfaqësues i shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
23. I.H., shtetas gjerman, administrator i shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”;
24. G.S., këshilltar pranë shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
25. A.D., me detyrë drejtoreshë e përgjithshme e AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në tre raste; Ekzekutuar
26. M.P., me detyrë Drejore e Drejtorisë së lejeve mjedisore dhe vnm-ve pranë AKM-së, me me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në tre raste; Ekzekutuar
27. D.S., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Inspektim Kontrollit pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në tre raste parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
28. K.S., me detyrë përgjegjëse e Sektorit të monitorimeve të lejeve mjedisore dhe VNM pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ekzekutuar
29. B.T., me detyrë përgjegjëse e Sektorit të lejeve mjedisore pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar
30. E.M.,, me detyrë përgjegjëse e Sektorit të monitorimit të lejeve mjedisore dhe VNM, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar
31. K.A., me detyrë përgjegjës i Sektorit të Inspektimit Mjedisor pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar
32. I.M., me detyrë specialiste mjedisi pranë Autoritetit Portual Durrës, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar
33. Xh.G., me detyrë specialist mjedisi pranë Autoritetit Portual Durrës, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Deri më sot janë ekzekutuar masat e sigurimit për 20 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës mbetet e angazhuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes, evidentimin dhe provimin e përgjegjësisë penale për çdo subjekt privat dhe shtetëror të përfshirë në këtë veprimtari, duke garantuar se çdo veprim po kryhet në përputhje me ligjin, në mbrojtje të intersit publik, shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.

Policia e Durrësit ka njoftuar zyrtarisht se janë ekzekutuar vetëm 20 masa sigurie nga 33 në total që u lëshuan për mbetjet e rrezikshme të Kurum që u kthyen në 2024-ën nga Tajlanda. Mes personave që janë në kërkim, janë edhe dy administratorët turq të kompanisë, Erdal Demir, turku i Kurum International dhe Yusus Sezai, administratori me prokurë i kompanisë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Durrësit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Eko-Toxic”.
Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe me DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Ekzekutohen 20 masa sigurie, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vepra penale në fushën e kontrabandës, menaxhimit të mbetjeve, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë, të cilët nuk u gjetën në banesa gjatë operacionit.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, finalizoi operacionin e koduar “Eko-Toxic”.
Në kuadër të operacionit u ekzekutua vendimi i datës 03.02.2026, i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për ndalimin e shtetasve:
-F. Ç., 47 vjeç, dhe G. S., 55 vjeç, banues në Durrës, të dy me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;
-M. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;
-J. K., 49 vjeç, I. L., 55 vjeç dhe H. L., 55 vjeç, të tre banues në Durrës, E. V., 59 vjeç, Sh. J., 55 vjeç, të dy banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, kryer në bashkëpunim;
-R. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;
-Sh. H., 39 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim;
-N. B., 58 vjeç, dhe A. P., 35 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;
-K. A., 35 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-I. M., 47 vjeçe, banuese në Durrës; M. P., 37 vjeçe; A. D., 46 vjeçe; K. S., 34 vjeçe; B. T., 40 vjeçe dhe E. M., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-M. Z., 49 vjeçe, banuese në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasve:
-E. D., 46 vjeç; Y. K., 46 vjeç dhe H. S., 42 vjeç, banues në Turqi; M. I., 43 vjeç banues në Vlorë; A. Sh., 48 vjeç, banues në Tiranë; M. K., 68 vjeçe, banuese në Tiranë; P. Q., 55 vjeç, banues në Elbasan; Xh. G., 37 vjeç, banues në Durrës; D. S., 43 vjeç, banues në Tiranë; D. S., 57 vjeç, shtetas kroat; Gj. S., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë; O. P., 40 vjeçe, banuese në Lushnje; dhe I. H., 61 vjeç, shtetas gjerman.
Shtetasit e mësipërm dyshohen për kryerjen e veprave penale në fushën e menaxhimit dhe kontrabandimit të mbetjeve.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Komente












