Tre banesa janë përfshirë nga flakët rreth orës 21:00 në lagjen “Loni Dhamo”, në qytetin e Lushnjës. Fillimisht, zjarri është shfaqur në njërën prej banesave dhe më pas është përhapur edhe në dy banesa të tjera të ngjitura njëra me tjetrën. Banesat ndodhen shumë pranë stacionit elektrik.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse të qytetit të Lushnjës, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe kanë parandaluar përhapjen e zjarrit në banesat e tjera, pasi zona përbëhet kryesisht nga banesa njëkatëshe të komunitetit rom.

Si pasojë e tymit, një vajzë në moshë të re është dërguar në spital me shenja asfiksie, ndërsa nuk raportohet për të lënduar të tjerë, pasi banorët janë evakuuar në kohë. Për arsye sigurie, energjia elektrike në zonë është ndërprerë.

Zjarri ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në njërën prej banesave, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.