TIRANE - Pas largimit të Erjon Veliaj nga posti i Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për të kandiduar në krye të bashkisë Tiranë,  vendi vakant të ministrit pritet ta marrë një nga tre emrat e shumëpërfolur.

Bëhet fjalë për Olta Xhaçkën aktualisht deputete e PS , Blendi Klosin deputet i PS si dhe për Arbi Maznikun, i cili mban postin e zv/ministrit të arsimit. Një nga këta tre emra pritet  që ti propozohet nga kryeministri Edi Rama Presidentit Bujar Nishani për dekretim.

Por kandidatura e mundshme është ajo e Olta Xhaçkës për postin e Ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për shkak edhe të disa sinjaleve të dhënave me parë . Xhaçka gjatë kësaj kohe ka dalë në deklarata të shpeshta publike nga selia e PS për të vënë në dukje arritjet e zotit Erjon Veliaj si dhe për ti bërë oponencë  akuzave të të djathtëve mbi punën që është bërë në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Por emri i Xhaçkës lidhet edhe me faktin se në seancën e fundit plenare Xhaçka është parë të bisedoj gjatë me zv/kryeministrin Nikon Peleshi. Emri tjetër i lakuar është ai i Blendi Klosit.

Ky i fundit u përfol për kandidat për bashkinë e Tiranës. Për vendin e lënë vakant nga Veliaj është dhe emri i zv/ministrit të arsimit Arbi Mazniku. Si Xhaçka e Mazniku vijnë nga lëvizja MJAFT dhe kanë mbajtur atje poste të rëndësishme në atë kohë kur lëvizja drejtohej nga Erjon Veliaj.

Deri më tani kryeministri Rama nuk ka nxjerrë emra zyrtar por ajo që ka theksuar në studio emisionesh apo në konferenca është fakti që ka lavdëruar punën e ministrit Veliaj madje e ka quajtur atë kryepunëtor.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)