TIRANË - Dalja nga projekti duke shtuar 3 kate më tepër ka çuar në arrestimin e pronares së një firme ndërtimi dhe inxhinierit të saj, gjithashtu edhe në sekuestrimin e pallatit 10-katësh.
 
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me anë të efektivëve të  Komisariatit nr.2 në bashkëpunim me Seksionin për Korrupsionin vunë në pranga Nadire Qinami (Dano), 58 vjeç, banuese në Tiranë, pronare e firmës së ndërtimit “Brilant” Sh.p.k dhe Enea Koçiasi, 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë kësaj firme ndërtimi.

Arrestimi i tyre u bë pasi nga verifikimi i dekumentacionit rezulton se kanë shtuar në objektin me leje i cili ishte parashikuar të ishte 7-katësh edhe 3 kate të tjera duke e ngritur objektin në 10 kate.

Pas arrestimeve, mësohet se është vendosur sekuestro preventive e pallatit 10 katësh tek rruga “Frederik Shiroka”, pranë zonës së njohur si "21­ Dhjetori" në kryeqytet.

Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Dhënie e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.

objekti
(Objekti i sekuestruar nga policia në rruga “Frederik Shiroka”) 

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)