TIRANE- Në entuziazmin e fitores së Luftës Nacionalçlirimtare shqiptarët nuk arrinin të kuptonin arsyet përse atdheu i tyre nuk bënte pjesë në radhët e Kombeve të Bashkuara, të cilët u cilësuan si autorë të fitores mbi agresorët fashistë.

Gjithashtu ata nuk arrinin të kuptonin përse qeveria demokratike shqiptare, e kryesuar nga Enver Hoxha, nuk njihej nga aleatët e mëdhenj të kampit antifashist si qeveri legjitime e Shqipërisë, por cilësohej si qeveri komuniste, kurse ajo vepronte sipas parimeve të demokracisë popullore. Qeveria e Tiranës, mendonin partizanët shqiptarë, i kishte plotësuar të gjitha kushtet për t’u njohur nga aleatët e mëdhenj de facto dhe de jure si qeveri legjitime.