3 mijë studentë lënë fakultetet
shqiptare, ikin me studime jashtë

3 mijë studentë lënë fakultetet<br />shqiptare, ikin me studime jashtë
TIRANE- Plot 3200 studentë të rinj, që këtë vit u ka dalë emri në listat e fituesve të universiteteve publike, kanë vendosur të braktisin shkollat e larta shqiptare dhe të ulen në auditoret e një universiteti të huaj. Kaq është numri i të rinjve, që çdo vit, heqin dorë nga e drejta e studimit e fituar në Shqipëri, në këmbim të një diplome të huaj.

Pjesa më e madhe e tyre zgjedhin universitetet italiane, por të shumtë janë edhe ata që u del shkolla e lartë në Francë, Gjermani apo Hungari.

SITUATA
Duket se sistemi ynë arsimor nuk përmbush më as ambiciet e vetë të rinjve, që mbarojnë shkollën e mesme dhe presin të nisin një shkollë të lartë. Dhe në këtë situatë, një pjesë e madhe zgjedhin të diplomohen jashtë vendit. Dhe nuk janë pak, por mesatarisht çdo vit nga vendi ynë ikin rreth 3-4 mijë të rinj. Kjo sipas listave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, e cila për këtë arsye është e detyruar që të kryejë dy faza regjistrimesh për në shkollat e larta, ku faza e dytë është edhe përfundimtarja, pasi janë hequr emrat e atyre që kanë vendosur të studiojnë jashtë.

Ndonëse studimet jashtë kanë një kosto shumë më të lartë financiare, familjaret shqiptare preferojnë që më mirë të paguajnë se sa t’u japin një diplomë shqiptare, që me sa duket për ta nuk e ka peshën e duhur. Ajo që vlen të theksohet është fakti se studentët e rinj që vendosin të studiojnë jashtë përbëjnë pjesën e elitës të të rinjve, që kështu nuk përfundon në universitetet tona, por në ato të botës.

Nëse pjesa më e madhe e degëve të universiteteve të huaja janë të hapura, pasi i skualifikojnë studentët gjatë vitit akademik, për degë të tilla si Mjekesia, arkitektura apo inxhinieritë, edhe nëse përzgjidhen nga vetë universiteti, duhet duhet t’i nënshtrohen konkursit special.

Kështu nisma e ish-kryeministrit Berisha “Brain Gain” për kthimin e trurit në Shqipëri duket e pakuptimtë përballë kësaj situate, ku çdo vit, plot 3 mijë të rinj vendosin të lënë universitetet shqiptare, pasi nuk i konsiderojnë në nivelin e duhur për të çuar më tej njohuritë e tyre dhe për të pasur një diplomë që të vlejë në tregun e punës.

REGJISTRIMET
Pas përfundimit të fazës së parë të regjistrimeve, ka nisur tashmë përllogaritja e vendeve të mbetura të lira në çdo degë të universiteteve publike. “Ne kemi bërë një përllogaritje dhe na rezulton që në total të kemi maksimumi 3200 vende të lira për të gjitha shkollat e larta publike. Këta 3200 do të jenë emra të rinj që do të futen në listë, por se sa do të jenë emrat që do të lëvizin në listën e dytë, këtë nuk mund ta them pasi do të ketë edhe një zhvendosje të atyre që nuk janë të kënaqur me preferencën ku janë shpallur aktualisht fitues.

Ndërsa sa i përket formularit A3, ai do të bëhet publik pasi të përfundojë java e parë e shkollës. Universitetet hapin dyert me datë 7 tetor dhe deri në fund të javës së parë të mësimit, të gjithë kandidatët fitues duhet të paraqiten fizikisht në sekretari dhe të dorëzojnë dokumenetet e regjistrimit. Në fund të kësaj faze, fakultetet do të bëjnë me dije se kush është shpallur fitues, por nuk e ka frekuentuar fakultetin. Që do të thotë, se ka hequr dorë nga ai, dhe mund të ketë zgjedhur një universitetet privat. Pas kësaj do të mësohen kuotat e paplotësuara dhe do të jetë ministria që do të vendosë a do të ketë formular A3 dhe kush mund ta plotësojë”, - na shpjegon Alfons Harizaj, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Provimeve.


(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania