Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar gjatë një deklarate për mediat lidhur me akuzat se dekonspirimi i operacionit për arrestimin e tre oficerëve është bërë nga Policia e Shtetit. 

Sipas tij, tre ish-drejtuesit e Drejtorisë së Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, nuk kanë qenë në vëzhgim nga Policia e Shtetit. Ai theksoi se duhet të pyetet Prokuroria që të japë përgjigje se me kë institucion i ka ndjekur ata. 

"Nuk kanë qenë në vëzhgimin tonë. Në momentin që është vënë në dijeni policia, atëherë janë vënë në mbikëqyrje nga policia. Përpara kësaj nuk ka pasur dijeni policia për një gjë të tillë. Ose më saktë nuk i ishte lënë policisë kjo detyrë", u shpreh Xhafaj, i cili i quajti institucionale marrëdhëniet e Policisë me Prokurorinë.  

Ministri i Brendshëm mohoi të ketë emra konkretë se kush e dekonspiroi operacionin për arrestimin e Jueld Çelës, Sokol Bodes dhe Gjergji Kohilës, të tre ish-drejtues të Policisë së Vlorës, të akuzuar si pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Habilajt. "Po të kisha emra konkretë të jeni të sigurt se nuk hezitoj t'i çoj atje ku duhen çuar". Një ditë më parë, Xhafaj depozitoi një kallëzim në Prokurori për dekonspirimin e operacionit.

Xhafaj shtoi gjithashtu se "në Shqipëri ka shumë grupe të strukturuara kriminale", por qeveria, tha ai, është e vendosur t'i shkojë deri në fund operacionit "Forca e Ligjit" për shkatërrimin e segmenteve të krimit. "Është një proces i cili sapo ka filluar. E rëndësishme është se kushdo që i shmanget drejtësisë duhet të jetë objekt i punës së policisë për të shkuar përpara drejtësisë".  

Pyetje: Po sipas jush?
Ministri Xhafaj: S’besoj se jepni lajme të rreme. 

Pyetje: Si ka mundësi që arratisen mes ditës tre ish-zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit?
Ministri Xhafaj:
Së pari, ne nuk e dimë në mes të ditës apo natës. Këtë mund ta dini ju. 

Nëse keni ndonjë fakt plus është mirë që t’ia jepni Prokurorisë. Së dyti që është e rëndësishme, nuk ka qenë nën vëzhgimin tonë. Në momentin që është vënë në dijeni Policia atëherë ka filluar procesi i mbikëqyrjes nga Policia. Përpara këtij fakti nuk ka pasur dijeni Policia ose më saktë nuk i është lënë kjo detyrë Policisë.

Pyetje: I është lënë SHÇBA. Atëherë i bie që është dekonsipiruar nga SHÇBA. Prokuroria i ka lënë detyrë SHÇBA-së të mbajë në vëzhgim këta persona...
Ministri Xhafaj:
Nuk është e vërtetë. Duhet të merreni informacion më të plotë, për shkak sepse deri në datën 22 që ka marrë aktet SHÇBA-ja nuk ka pasur dijeni për këtë gjë, ju thashë. Çfarë ka ndodhur më përpara duhet të pyesni Prokurorinë se më kë e ka pasur nën vëzhgim, jo Ministrinë.

Pyetje: Z.Xhafaj, Kryeministri i vendit tha se janë një grup personash të dyshuar për këtë ngjarje...
Ministri Xhafaj
: Po të kisha emra konkretë të jeni të sigurt që unë nuk hezitoj që t’i çojë atje ku duhet t’i çojë.

Pyetje: A ishte ky një operacion i dështuar? Një goditje që merr operacioni “Forca e Ligjit”, është trumbetuar me forcë nga ana juaj. 
Ministri Xhafaj: Po ç’lidhje ka kjo me operacionin “Forca e ligjit”?!

Gazetarja: Po duke qenë se me anë të operacionit të “Forcës së Ligjit” do të arrestohen të gjithë personat e botës së krimit. E përsa kohë ka urdhër arresti e urdhër ndalimi për tre zyrtarë...
Ministri Xhafaj: E para njëherë, të arrestohen të gjithë ata që kërkohen është detyrë e përhershme e Policisë së Shtetit, pavarësisht nga emërtimet e operacioneve. 

E dyta, operacioni “Forca e Ligjit” është për grupet e strukturuara kriminale. Unë nuk di, për rastin në të cilin ju po flisni është pjesë, është për një grup të strukturuar kriminal.

Pyetje: Akuza është për një grup të strukturuar kriminal z.Xhafaj. Kjo është akuza...
Ministri Xhafaj
: Kur të vijë kjo gjë nga Prokuroria, patjetër. Por nuk ka lidhje kjo se çfarë grupi është. E rëndësishme është se kushdo që i shmanget drejtësisë duhet të jetë pjesë e objektit të punë së Policisë për të shkuar para drejtësisë. Kjo është e sigurt. 

Pyetje: Si janë marrëdhëniet tuaja me Prokurorinë?
Ministri Xhafaj:
Në Shqipëri ka shumë grupe të strukturuara kriminale. Po flasim për grupe të strukturuar kriminale në kuptimin që jep Kodi Penal. Dhe në këtë kontekst dhe ato për të cilat janë pjesë e atij operacioni. Natyrisht që ky proces sapo ka filluar. Kini durim ju dhe gjithë të tjerët se çfarë do të thotë. 

Pyetje: Si janë marrëdhëniet e Ministrisë së Brendshme me Prokurorinë z.Xhafaj? 

Ministri Xhafaj: Marrëdhënie thjesht institucionale.

Pyetje: Thuhet se ka një krisje për shkak të dekonspirimit të operacionit të fundit...

Ministri Xhafaj: Meqenëse ju, ju kam dëgjuar shpesh që dini shumë gjëra, thoni shumë gjëra, është e drejta juaj të bëni komente. 

Pyetje: Unë ju bëra një pyetje, cilat janë marrëdhëniet tuaja me Prokurorinë?

Ministri Xhafaj: Edhe unë po ju përgjigjem se janë institucionale. 

 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com