3 viktima nga përmbytjet, Tahiri
'Ushtria e Policia në gatishmëri'

3 viktima nga përmbytjet, Tahiri<br />'Ushtria e Policia në gatishmëri'
TIRANE -  Reshjet e dendura dhe intensive të rëna mbrëmë në të gjithë vendin shënuan tre viktima. Në qytetin e Laçit babë e bijë humbën jetën pasi i mori rrjedha e furishme e shirave. Gjon Kola, 60 vjeç ishte ish-drejtor i gjimnazit “Shtjefën Gjecovi”, ndërsa vajza e tij 26-vjeçare Dorina ishte mësuese në shkollën numër 5 të qytetit të Laçit. Në Kurbin një 22-vjeçar humbi jetën pasi e zuri poshtë ura në fshatin Skuraj, e cila u shemb si pasojë e përmbytjeve. Liman Blloku udhëtonte me motor së bashku me Guri Ndrecën, por ky i fundit arriti të shpëtonte. Lexoni me shume per lajmin duke klikuar mbi linkun
 
Por këtë mëngjes situata është paraqitur e normalizuar në vend, ku ujërat janë tërhequr dhe është rikthyer energjia elektrike, e shkëputur në mënyrë të detyruar për të shmangur shpërthime të mundshme në Nënstacionet elektrike.

Stuhitë e fuqishme të shiut dhe reshjet e dendura gjatë pasdites së të martës paralizuan vendin, ndërsa situatë e jashtëzakonshme u paraqit në qytetin e Lezhës, ku u desh ndërhyrja e ushtrisë për t’i ardhur në ndihmë të përmbyturve. Një ditë pas përmbytjeve në rrethin e Lezhës, situata paraqitet e qetë, por dëmet janë të mëdha. Të gjitha strukturat e Shtetit janë në Lezhë, ministrat Tahiri e Kodheli mbledhën ditën e sotme në prefekturë drejtuesit vendorë. Përmbytjet, Kodheli dhe Tahiri në Lezhë: 24 orë në ndihmë të banorëve

Në fjalën e saj, ministrja Kodheli nënvizoi se Forcat e Armatosura dhe ushtria janë në gadishmëri për të përballuar situata emergjente. "Jemi prezent me forcat tona në mbështetje drejtorisë së emergjencave, në mbështetje të bashkive dhe komunave, në mbështetje të prefekurës dhe të policisë." theskoi Kodheli

Ministri Tahiri ka vlerësuar se kryesore është monitorimi dhe mbajtja nën kontroll e situatës për të shmanguar pasojat e rënda në njerëz sidomos në zonat e nxehta të këtij qarku. "Policia e Shtetit është në gadishmëri të plotë, forcat speciale, infrastuktura spitalore po ashtu për të shmangur çdo pasojë, më së pari çdo pasojë fatale në jetë njerëzish." tha ministri Tahiri 

Mbi 80 trupa të Forcave të Armatosura u nisën mbrëmë nga Lezha drejt Tiranës ndërsa aksioni u fokusua në kthimin e energjisë në nënstacionin elektrik të Lezhës. Me rikthimin e energjisë elektrike u vunë në punë hidrovorët për të thithur ujërat.
 
Në të gjitha shkollat e Lezhës sot është ndërprerë mësimi pasi ka patur prezencë uji në oborret dhe katet e para të tyre. Ndërsa në fshatra me dhjetëra banesa janë nën pushtetin e ujit e mbetjeve inerte të lumenjve. 

Një ditë pas përmbytjeve nëLezhë, tokat dhe banesat nën ujë
 
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan dëme edhe në Tiranë ndërsa dalja nga shtrati i Lumit të Lanës bëri të pakalueshme rrugët e kryeqytetit, ndërsa qindra banesa u përfshinë nga uji. 

Vetëm pak orë rreshje shiu...dhe Tirana e përmbytur totalisht

Përmbyten shkollat në Tiranë ujërat e zeza dalin në sipërfaqe

Gjatë natës u ngrit Shtabi i Emergjencës ku në bashkëpunim me Policinë e zjarrfikëset, për t’i ardhur në ndihmë të përmbyturve. Ministri i Punëve të Brendshme menjëhere pas situatës së krijuar, urdhëroi mbrëmë mbledhjen e Shtabeve të Emergjencave në të gjitha qarqet ndërsa u vu ne gatishmëri RENEA dhe FNSH.
 
Ende nuk është marrë vendim për lidhur me dëmshpërblimet për dëmet që janë të shumta, pasi verifikimi i dëmeve sipas Shtabit të Emergjencave do të bëhet në një fazë të dytë.

permbytjet lezhe

Nishani: Po ndjek me shqetësim situatën e shkaktuar nga përmbytjet
Presidenti Bujar Nishani ka shprehur shqetësim për situatën e krijuar në vend nga përmbytjet si pasojë e shirave ditën e djeshme. Nisur nga situata e vështirë dhe përmbytjet e shkaktuara në Qarkun e Lezhës, Kreu i Shtetit dërgoi ditën e sotme në këto zona një ekip të Kabinetit të tij të përbërë nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Gjergj Lezhja, Këshilltari për Mbrojtjen, Gjeneral Brigade Piro Ahmetaj dhe Këshilltari për Çështjet e Pushtetit Lokal, Ylli Asllani.
 
Ekipi i dërguar nga Presidenti Nishani u takua me Prefektin e Qarkut të Lezhës si dhe kryetarë të komunave të zonave të përmbytura. Presidenti i Republikës po ndjek me vëmendje të veçantë situatën e krijuar dhe masat e marra për tejkalimin e saj duke kërkuar angazhimin maksimal për sigurinë e jetës së banorëve si prioriteti më kryesor.

Tahiri në Lezhë, mbledh Shtabin e Emergjencës: S'mund ta parandalonim kete situate ne nje vit
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri shkoi këtë mëngjes në qytetin e Lezhës ku mblodhi Shtabin e Emergjencës në prefekturë. Qeveria nuk mund ta parandalonte këtë situatë në një vit, tha Tahiri, për shkak se nuk ka pasur asnjë investim gjatë 23 viteve. Ai tha se janë angazhuar të gjitha Shtabet e Emergjencave në të gjitha qarqet dhe se do të bëhen projekte afatgjata për të parandaluar situata të ngjashme.



Bumçi në Lezhë: Qeveria nuk mori masat e nevojshme
Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës ka vizituar sot banorët e prekur nga përmbytjet. Nga Lezha, deputeti demokrat ka akuzuar qeverinë se nuk ka marrë masat e nevojshme për të parandaluar situatat. Sipas deputetit Bumçi, mungesa e energjisë elektrike për gati 12 orë në këtë qark ka shkaktuar edhe mosmenaxhimin e mirë të situatës, duke shkaktuar përmbytje të zonës.
 
“Qeveria nuk ndërhyri në kohë për të parandaluar situatën. Po i japin rëndësi fasadave dhe jo jetës e pronës së qytetarëve”, tha deputeti Bumçi.

Mblidhet Shtabi i Emergjencave në Elbasan. S’ka mësim në disa komuna, u përmbytën dhe disa kasolle romësh
Shtabi i Emergjencave u mbledh edhe në prefekturën e Elbasanit. Aty situata paraqitet e vështirë pasi janë bllokuar disa akse ndërsa rrezik shfaqet edhe nga rënia e gurëve në rrugë. Aksi deri në Qafë-Thanë ka problem, ashtu sikur segmenti Paper-Paulesh, Ura e Murrashit Librazhd, Pishkashi, segmenti Elbasan-Gjinar në Shelcan, ku ende vijon rrëshkitja e dherave. Sakaq problem regjistrohen edhe në zonën e Gramshit ku janë disa akse problematike që duhet të mirëmbahen.
Nënprefektja e Gramshit, Bezati tha se në disa komuna nuk ka nisur mësimi, ndërsa janë përmbytur edhe disa kasolle të familjeve rome.

shtabi i emergjencave

Kodheli: Shpëtuam Arkivën e Sigurimeve Shoqërore në Tapizë

Në qytetin e Lezhës shkoi edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e cila ndoqi nga afër punën në terren të Forcave të Armatosura. Ushtria ka punuar gjatë natë për normalizimin e situatës e vecanërisht krijimin e kushteve të sigurisë në Nënstacionin elektrik të Lezhës dhe rikthimin e energjisë, ndërsa gjatë mbrëmjes u evakuuan disa familje që rrezikuan nga përmbytjet.

“Po punohet në Lezhë, në komunen Kolsh dhe kudo ku ka nevojë. Eshtë një sistem i tërë që nuk funksionon. Do normalizojmë situatën dhe më pas do marrim të gjitha masat që situata të tilla të shmangen”, tha ministrja Kodheli.
 
Ministrja tha se nga ndërhyrja në Tiranë është bërë e mundur të shpëtohet Arkiva e Sigurimeve Shoqërore në Tapizë e cila u rrezikua nga përmbytjet.  

Gjenerali Dogjani: Situata e normalizuar, u kthye energjia në Nënstacionin Lezhë
Ora 08:00 Në një lidhje telefonikë për A1 REPORT Gjenerali i brigadës, Ylber Dogjani i cili ndodhej në terren në Lezhë, tha se këtë mëngjes situata është normalizuar.
 
Në zbatim të detyrës dhënë nga ministrja e Mbrojtjes për përballimin e emergjencave, komanda e mbështetjes në orën 19:00 vuri në gatishmëri të gjitha kapacitetet për përballimin e situatës, 80 trupa, 10 mijë thasë, fadroma, motopompa, zjarrfikëse dhe mjete transporti. Aksioni është fokusuar në nënstacionin e Lezhës dhe kthimin e energjisë në hidrovore. Aktualisht situata paraqitet normal, ujërat janë larguar nga nënstacioni, është kthyer energjia dhe pritet vënia në punë e hidrovorëve. Janë evakuuar 2 familje të izoluara”, tha Dogjani në një lidhje telefonike për emisionin e mëngjesit në A1 REPORT “Rreze Dielli”.

UKT: U turbullua burimi i Bovillës së Vjetër, disa zona pa ujë
Ujësjellës kanalizimet Tiranë njoftuan se për shkak të turbullimi të burimit të Bovillës së Vjetër nga reshjet që ranë gjatën natës, është ndërprerë furnizimi me ujë në disa zona të Tiranës si Babrru, e gjithë zona nga reparti 3700 deri në Kinosdudio, komuna Zall.

Policia e Tiranës: Ja zonat e përmbytura në Tiranë
Sipas policisë, nga shirat e dendur gjatë së martës janë përmbytur 240 banesa, dyqane dhe disa mjete në zonën e Shkozës, Kamëz, Farkë e të tjerë. Kryetar të grupit të Punës për dhënien e ndihmës ndaj të prekurve nga përmbytjet kanë qenë drejtues të lartë të policisë.  Kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi dhe Zv.drejtori i Përgjithëm Altin Qato janë ndodhur mbrëmë në terren në Tiranë e Lezhë për të përballuar situatën e krijuar.
 
Përmbytjet, shirat probleme edhe në Fier
Në qytetin e Fierit shirat e rënë gjatë natës kanë përmbytur dhjetëra banesa në disa komuna, si rezultat i bllokimit të kanaleve. Gjithashtu ka pasur përmbytje në tokat bujqësore ndërsa shumë fëmijë nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë për shkak të përmbytjeve të banesave të tyre, por edhe të disa shkollave.


Situata e permbytjeve gjate dites se Marte, dt. 18 Nentor

Mblidhet grupi koordinator në Kryeministri

Ora 12:30 Gjatë mbrëmjes, pak pas mesnate u mblodh grupi koordinator në Kryeministri, i cili po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme, pas gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi
 
Në përbërje të grupit janë: Ministri i Punëve të Brendshme; Ministri i Energjisë dhe Industrisë; Ministrja e Mbrojtjes; Ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Shëndetësisë.  Prej disa orësh, në zonat e rënduara si pasojë e reshjeve të forta ndodhet Ministri i Bujqësisë, i cili po ndjek situatën në terren.
Gjithashtu, në terren janë angazhuar forca dhe mjete logjistike të Ushtrisë, për t’i ardhur në ndihmë shtabeve të emergjencave civile të ngritura në çdo qark.
“Grupi koordinator po monitoron orë pas ore të dhënat e ardhura nga të gjitha shtabet e emergjencave civile të çdo qarku dhe siguron qytetarët e zonave të prekura që janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, për të përballuar çdo situatë eventuale”, theksohet në njoftimin e kryeministrisë.

Ushtria në Lezhë ne ndihmë të familjeve të mbytura
Drejt Lezhës u nisën mbi 80 trupa, mbi 10 mijë thasë rërë, ekskavatorë, zjarrfikës, fadroma, pompa uji e të tjera, për t’u ardhur në ndihmë banorëve që janë përmbytur si rezultat i reshjeve. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura ndodhen në Lezhë për të ndjekur nga afër këtë situatë të jashtëzakonshme. Ndërhyra fillestare do të jetë në nënstacionin elektrik dhe më tej do të vendosen thasët me rërë për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset.

Tahiri urdheron mbledhjen e Shtabeve te Emergjencave ne te gjitha qarqet. FNSH E RENEA ne gadishmeri
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri pas situatës kritike urdhëroi mbledhjen e Shtabeve të Emergjencave në të gjitha qarqet dhe marrjen e situatës në dorë.
 
Gjithashtu, janë ngritur në gadishmëri repartet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA në Tiranë, Shkodër e Fier. Sipas Ministrisë së Brendshme po vlerësohet situata në vend për të ndërhyrë dhe për të dhënë ndihmën ndaj personave në rrezik. Sallat e emergjencave 129 gjithashtu janë në gadishmëri me shërbim të shtuar.

permbytje

Panariti ne terren, flet per A1 REPORT: Situata kritike, do e perballojme
Vetë Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti shkoi në terren në qytetin e Lezhës, i cili në një lidhje telefonike për A1 REPORT tha se situata paraqitet mjaft e rëndë për shkak se është shkëputur energjia elektrike e për pasojë është ndërprerë puna e disa hidrovorëve. Ministri tha se do të kaloje natën ne qytetin e Lezhës, ku sëbashku me Bordin e Kullimit do të jenë në terren për të kthyer energjinë në qytet, por veçanërisht në hidrovore, për të bërë të mundur thithjen e ujit. Ai foli për një situatë të jashtëzakonshme kur tha se vetëm në 3-4 ore kanë rënë 99 milimetër shi. Lidhja e plote telefonike e ministrit Panariti per A1 REPORT

Tushaj dhe deputetet e LSI ne terren, shpetohet nje familje qe rrezikoi mbytjen
Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli dhe Çela së bashku me kryetarin e Bashkisë së qytetit të Lezhës, Viktor Tushaj,  vijuan inspektimin në gjithë zonat e përmbytura duke marrë masat për sigurimin e jetëve të njerëzve. Një familje në lagjen “Kodër Mulliri”, e cila rrezikonte jetën nga përmbytjet është evakkuar pas ndërhyrjes së forcave zjarrëfikëse dhe kanë mundur të shpëtohen.

permbytje

Tushaj per A1 REPORT: Situate e jashtezakonshme, por ka angazhim maksimal
Ora 22: 54 Kryetari i Bashkisë së Lezhës Viktor Tushaj në një lidhje telefonike për A1 REPORT tha se ka një angazhim maksimal për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme të krijuar si pasojë e rreshjeve të dendura të shiut.
 
“Ditën e sotme kanë rënë reshje në intensitetit shumë të lartë, mbi 120 centimetër shi. Kjo ka bërë që nënstacioni elektrik të mbulohet me ujë, mbi 70 centimetër. Dhe kjo ka bërë që të ndërpritet energjia në hidrovorë. Në këto momente shiu vazhdon jo me atë intensitet të lartë por ka një angazhim maksimal. Në këto 10 vitet e fundit nuk mbahet mend të ketë rënë një shi me intensitet kaq të madh”, deklaroi Tushaj për A1 REPORT.



Kadeli per A1 REPORT: Ja zonat me problematike, shpetuam nje familje qe rrezikonte jeten
Ora 22:45 Në një lidhje telefonike për A1 REPORT deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli i cili shkoi në terren për t’i ardhur në ndihmë familjeve të përmbytyra tregoi se zonat më problematike janë në ishull Shëngjin, Barbulli si dhe lagjja Kodër-Mulliri mes komunës Kolsh dhe Lezhë. Kadeli tha se po bëhet ç’është e mundur për të kthyer energjinë në nënstacionin elektrik e për të furnizuar me rrymë hidrovorët e Talës e Shëngjinit.
 
“Situata vazhdon të paraqitet shumë problematike. Reshjet e shiut bënë të mundur të përmbytet nënstacioni i Lezhës dhe të ndërpritet energjia elektrike për hidrovorët të Talës dhe të Shëngjinit të cilët janë jashtë pune çka kanë sjellë dëme të mëdha. Qyteti vazhdon të jetë i përmbysur në gjysmën e tij sidomos në zonën e jugut. Ishte dhe një familje në rrezik për jetën, por me ndërhyrjen e forcave të zjarrfikëses u arrit të shpëtohet. Masat që po merren tani janë të mbrohet nënstacioni në mënyrë që të rikthehet energjia dhe të mundohet tharja e ujërave. Ky është një problem i vazhdueshëm për Lezhën.  Janë shpërndarë njerëzit në të gjithë vendin për të shpëtuar të përmbyturit”, tha Kadeli për A1 REPORT.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille