Problemi i 30 mijë apartamenteve të blera nga qytetarët por të mbetura të pahipotekuara, mund të zgjasë për vite të tëra.
 
Shoqata e Ndërtuesve thotë se zgjidhja e problemit nuk varet nga ndryshimet ligjore të ndërmarra së fundmi, por nga vullneti i institucioneve për të pajisur qytetarët me tapi.
 
Madje, sipas Drejtorit të Shoqatës, Maksim Muçi, me ndryshimet e fundit ligjore është hedhur një hap prapa, pasi vetëm në Tiranë do të rishqyrtohen 400 pallate, dosjet e të cilave janë përfunduar tërësisht që në vitin 2010.

“Ato që ka përgatitur Bashkia janë fare të sakta, flasim aq më tepër që janë të përgatitura para 2010-ës dosjet e rreth 400 pallateve. Mjafton vetëm që sipërfaqet që janë shtesë të paguhen gjobat dhe njerëzit të marrin lejet. Grupi i dytë janë ndërtime të bëra pa leje nga individë të ndryshëm që në momente të caktuara kanë pasur një sasi parash dhe e kanë quajtur me interes që mund të investojnë në ndërtim dhe kanë bërë vetëm një objekt pastaj lanë ikur, ose janë zhdukur ose kanë falimentuar, këto janë fare pa leje dhe duan një punë shumë më të madhe, por kur kemi këto me leje që kanë 10 vjet që presim merre me mend se sa do duan këto”, tha Muçi. 
  
Ndërsa komenton rritjen prej 4.6% të çmimeve të apartamenteve, Drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve thotë se ajo ka ardhur për shkak të taksave të reja dhe jo nga shtimi i kërkesës.

“Spekulimi këtu mund të jetë si efekti i rritjes së taksave të infrastrukturës nga ana e Bashkisë atëherë dhe ndërtuesit do përpiqe të spekulojnë”, u shpreh ai.
  
Ndryshimet në ligjin e legalizimeve u japin mundësinë qytetarëve të aplikojnë vetë për hipotekimin e apartamenteve në rastet kur firmat kanë falimentuar, apo nuk marrin përsipër ndjekjen e procedurave.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com