​Politika shqiptare po lëngon nga një ngërç kronik skemat e të cilit nuk prodhojnë më shpresë, por vetëm riciklim të pafuqisë, duke krijuar një mjedis ku opozitarizmi është shndërruar peng i një sërë paranojash mendore që e mbajnë të lidhur këmbë e duar pas të shkuarës.

​Në themel të këtij sistemi të mbyllur qëndron dogma e përjetshme se Partia Demokratike është e vetmja opozitë e lejueshme në këtë vend dhe se nuk mund dhe nuk duhet të ketë asnjë alternativë tjetër, duke u përpjekur me çdo kusht të pengojë, delegjitimojë apo shuajë çdo mundësi tjetër që del jashtë këtij kornizimi të ngushtë. Kjo shoqërohet ngushtësisht me idenë fikse se e gjjithë shoqëria duhet të bashkohet domosdoshmërisht dhe vetëm rreth PD-së dhe pas saj, sepse gjoja vetëm kështu mund të mposhtet Edi Rama, duke bërë që i gjithë artikulimi politik i opozitës të sillet në mënyrë sterile rreth këtij boshti të vetëm dhe të mos ketë asnjë hapësirë për diskurs tjetër.

​Për pasojë, çdo qytetar apo aktor politik që guxon të mendojë ndryshe dhe të kërkojë rrugë të reja e alternative përtej kësaj kështjelle partiake, etiketohet menjëherë dhe pa asnjë mëshirë si shërbëtor apo vegël e regjimit të Ramës. Ky sulm sistematik shtrihet me të gjithë arsenalin e mundshëm ndaj kujtdo që guxon të ngrejë një rrugë të tretë, siç u pa qartë te rasti i Arlind Qorrit dhe lëvizjeve të ngjashme, të cilët sulmohen egërsër duke u vënë etiketa si "komunistë" vetëm e vetëm që t'i mohohet e drejta për të qenë opozitë e vërtetë dhe e besueshme.

​Mendësia toksike e monopoleve nuk ndalet këtu, por vazhdon edhe tek qytetarët e thjeshtë: ata protestues që refuzojnë të bëhen pjesë e strukturave të PD-së apo të ndjekin verbërisht liderin e saj, sulmohen dhe zhvlerësohen publikisht si paterica të Ramës, pavarësisht se kanë muaj të tërë që sakrifikojnë në sheshe duke protestuar kundër të dy palëve, si kundër Ramës ashtu edhe kundër Berishës. Realiteti historik i protestave shpesh tjetërsohet pa turp, pasi harrohet se lëvizjet e mëdha aktuale nuk i nisi aspak Partia Demokratike, e cila madje në fazat e para u përpoq t'i sulmonte ose t'i minimizonte, si në rastin e mbrojtjes së investimeve të huaja tek Zvërneci. Në një gjendje dëshpërimi të plotë përballë një realiteti ku e ka humbur monopolin e zemërimit popullor, PD vazhdon të kakarisë se e ka ajo të drejtën ekskluzive të sheshit dhe të protestës.

​Teoria mitologjike se PD ka lindur nga protestat dhe se e ka këtë atribut gjenetik përjetësisht, nuk është gjë tjetër veçse një iluzion i radhës, pasi një forcë politike që ka mbushur tashmë 36 vjet në skenë nuk është më lëvizje studentore apo risi, por vetë establishmenti i konsumuar i tranzicionit. E gjithë kjo ngrehinë paranojash kulmon më pas me alibinë më të rehatshme për dështimet e veta: se Ramën nuk mund ta mundim kurrë sepse ai vjedh zgjedhjet, një justifikim që shërben vetëm për të faturuar paaftësinë e opozitës për të frymëzuar masat.

​Megjithatë, e gjithë kjo mitologji e pafuqisë dhe e paranojave rrëzohet kokëposhtë po të shohësh rastin e Serbisë fqinje, ku u vërtetua se realiteti ndryshon rrënjësisht kur shoqëria merr fatet në dorë. Atje, studentët protestuan të vetëm dhe arritën fitore domethënëse, duke mos u bashkuar me opozitën tradicionale të konsumuar dhe duke e mundur atë paralelisht në zgjedhje krahas vetë pushtetit autokratik. Ngjarjet në Serbi dëshmuan qartë se një lider si Vuçiçi mund të mposhtet pavarësisht sistemit të tij të fortë të kontrollit, mjaft që të rritet pjesëmarrja masive e të rinjve dhe e periferive, gjë që vërteton se çdo pushtet mundet nëse ka frymë ndryshimi. Statusi i opozitarizmit nuk është kurrë një pronë e përjetshme dhe e trashëguar, ashtu siç nuk është as pozitarizmi; politika nuk është një tabelë e ngrirë, dhe në momentin që ndodhin ngjarje të mëdha shoqërore, të gjitha ekuilibrat e vjetër përmbysen duke krijuar hapësirë për një agjendë të re, të pavarur dhe vërtet fituese.