30 studentë të ekselencës kanë përzgjedhur Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për t’u bërë pjesë e administratës publike. Në kuadër të Paktit për Universitetin, të rinjtë aplikuan në portalin punetembare.al, të çelur nga Departamenti i Administratës Publike, duke zgjedhur MIE dhe institucionet e saj të varësisë për t’u punësuar.
Ministrja Belinda Balluku, e shoqëruar nga zv.ministrat Artan Shkreli dhe Hantin Bonati ka zhvlluar një bashkëbisedim me të rinjtë ekselencë, të cilëve u uroi mirëseardhjen, duke theksuar se pritet shumë prej tyre tashmë që janë bërë pjesë e administratës.
“Pritet shumë nga ju. Pritet që ju të sillni brenda administratës një frymë të re. Pritet që ju të jeni një pjesë dinamike e zhvillimit që kjo administratë duhet të bëjë në bazë të strategjive dhe prioriteteve që qeveria shqiptare ka, por gjithashtu ne presim që ju të vini dhe të ndryshoni mentalitetin”, u shpreh Balluku.
Ministrja e vuri theksin tek krijimi i një fryme të re sa i takon administratës duke i ftuar të rinjtë e sapo punësuar që të përfitojnë edhe nga eksperienca e kolegëve në institucionet ku janë atashuar.
“Pritshmëritë janë shumë të larta ndaj mos zhgënjeni veten, familjet tuaja që kanë sakrifikuar për t’ju sjellë deri këtu dhe as ne që presim shumë nga ju. Presim të na jepni ritmin që keni, dëshirën për punë. Ne jemi skuadër dhe punojmë me frymën e skuadrës. Mirë se erdhët në skuadrën tonë, jemi të kënaqur që ju kemi dhe shpresojmë që dhe të tjerë si ju do na bashkohen”, nënvizoi Balluku.