Kryeministri Edi Rama tha se, Shqipëria është shndërruar në vend lider në rajon për modernizimin dhe integritetin e sistemit të prokurimeve publike, duke u renditur e para në Ballkanin Perëndimor, sipas raportit të monitorimit të SIGMA-s.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin “30 vjet Prokurime Publike - Shqipëria, lider rajonal në modernizimin e sistemeve të prokurimit”, Rama theksoi se vendi ka kaluar një transformim rrënjësor, i cili, sipas tij, duhet të komunikohet më shumë në një mjedis të “helmuar nga politika”. Kreu i qeverisë theksoi se të dhënat e viteve të fundit e faktojnë qartësisht këtë përmirësim.
"Erdha me kënaqësi se është një transformim rrënjësor, i cili duhet të vihet në pah. Realisht është fjala për një transformim rrënjësor, i cili ka nevojë të vihet në pah dhe të komunikohet sa më shumë dhe sa më mirë në një mjedis shumë të helmuar nga politika, nga gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha si edhe nga episode të caktuara, të cilat tregojnë vullnetin e shtetit për të luftuar me problemin e madh e të trashëguar të korrupsionit dhe nuk tregojnë se në këtë luftë progesi është i diskutueshëm, sepse në fakt progresi është i padiskutueshëm. Pasqyrat e të dhënave kanë një dallim shumë të dukshëm me ato të deri disa viteve më parë. Është një rezultat i një pune të jashtëzakonshme ku Agjencia e Prokurimeve Publike falë lidershipit të drejtores dhe skuadrës së saj ka udhëhequr një proces në të cilin edhe komisioni i prokurimit është bashkuar duke e bërë Shqipërinë të jetë një vend në këtë rajon ku sic e dëgjuam, të jetë një vend lider. Ky fakt i nënvizuar qartësisht edhe në raportin e SIGMA që e renditi Shqipërinë të parin në Ballkan për sistemin e prokurimit publik do ishte i pamendueshëm më parë", tha kryeministri Rama.
Sipas kreut të qeverisë ky ndryshim nuk është rastësi, por rezultat i punës së Agjencisë së Prokurimit Publik dhe drejtimit të saj.
"Dua të theksoj se monitorimet e bëra nga institucionet që veprojnë për llogari të BE nuk janë raporte të natyrës të shumicës së raporteve që ne ndeshemi gjatë cdo viti, dhe bazohen në një nivel të dhënash shkencore të pamjaftueshme. Janë raporte të bazuara në ekspertizë me integritet shumë të lartë, të bëra nga profesionistë me nivel vëzhgimi dhe të ambicies për të nxjerrë në pah cdo të metë që është shumë sfidues. Vlerësimi i bërë edhe nga SIGMA, është një vlerësim jo thjesht teknik por është vlerësim i rezultatit të një reforme të vazhdueshme të të gjithë sistemit të prokurimeve. Fakti që BE në çeljen e negociatave, pati një qëndrim pozitiv në raport me këtë kapitull flet me shume se cdo koment tjetër. Janë vlerësime njerëzish që kur ulen në tryezë zemrën e kanë lënë në shtëpi. Matja e integritetit të njerëzve që janë pas këtyre procedurave është puna e tyre", shtoi Rama.
Implementimi i inteligjencës Artificiale në këtë sektor thotë se do të garantojë më shumë transparencë dhe efikasitet tha kreu i qeverisë. Ai shtoi se në punën e saj Diella nuk do të punojë totalisht e pavarur - vendimin përfundimtar për një çështje do ta marrë komisioni.
"Nga ana tjetër theksoj për vazhdimin e reformës se duam të shkojmë aq lart sa na çon bekimi i teknologjisë që janë dhurata në një vend si i yni. Në kushtet e progresit linear ku bota ecte para ardhjes së teknologjisë, proceset do të ishin shumë modestë. Të gjithë e kanë dëgjuar Diellën që është bërë një fenomen botëror, ka arritur të konkurrojë Angelina Jolie.
Ajo që është shumë thjeshtë është se Diella nuk do të veprojë totalisht të pavarur, por do të jetë e auditusheme nga aktorët e interesuar. Cilido që do ta rishikojë manualisht procesin do të ketë mundësinë ta shikoj. Vendimin përfundimtar do ta marrë komisioni përkatës bazuar në të dhënat e Diellës.
Prokurimet janë një fushë ku njerëzit që merren me to duhen të kenë një nivelë të lartë të përgatitjes. Prokurimet kërkojnë një integritet të lartë moral dhe profesional për të bërë proceset dhe vlerësimet e duhura. Kemi luftuar duke i hequr Prokurimet nga ministritë dhe agjencitë për t'i çuar te blerjet e përqendruara që do të kthehet në një institucion të nivelit të lartë", përfundoi Rama.
Nga ana e saj, Adea Pirdeni theksoi se realisht në fushën e prokurimeve Shqipëria është lider rajonal.
“Kjo edhe duke iu referuar dokumentit që Këshilli i BE-së publikoi jo më larg se 3 ditë më parë, ku në fushën e prokurimeve publike Shqipëria nuk ka piketa të ndërmjetme, pra nuk duhet të vërtetojë përgjatë procesit të negociatave që duhet të përmbushë detyrimet. Ka vetëm piketa mbyllëse për ta mbyllur këtë kapitull. Do të thotë që stadi i avancimit të Shqipërisë në këtë fushë është i konsiderueshëm”, tha Pirdeni.
Për luftën ndaj korrupsionit dhe një garë të barabartë në prokurimet publike, Drejtuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Massimiliano Paolucci, tha se nuk mjafton vetëm teknologjia, por se duhen profesionistë të aftë dhe me integritet të lartë moral.

Foto: Diella, Angelina Jolie dhe Edi Rama
Kryeministri Edi Rama, gjatë organizimit për 30-vjetorin e Prokurimeve Publike, deklaroi se ministrja Diella u bë një fenomen botëror.
Ai e krahasoi me aktoren Angelina Jolie, kjo për shkak të bujës që bëri ndërkombëtarisht, por u ndal edhe tek reagimet skeptike në lidhje me ministren e parë të krijuar me Inteligjencë Artificiale në botë.
“Faktikisht, sot ne jemi në një proces të avancuar për të kaluar të gjithë procesin e prokurimeve në duart e inteligjencës artificiale, me një përqindje shumë të lartë të procesit që nuk përfshin njeriun. Të gjithë e keni dëgjuar, edhe të gjithë e kanë dëgjuar Diellën, sepse Diella është bërë një fenomen botëror dhe është një grua që për nga interesi që ka shkaktuar në gjithë botën, ka arritur të konkurrojë në një moment në kohë Angelina Jolie dhe nga ana tjetër, me siguri keni dëgjuar edhe të gjithë skeptikët lidhur me hyrjen e Diellës në këtë proces. Skeptikët sipas të cilëve, algoritmet mund të kthehen në një problem, pasi edhe algoritmet janë të kontrollueshme dhe të manipulueshme nga njerëzit", u shpreh kryeministri Rama.
Komente











