30-vjet bashkëpunim shqiptaro-gjerman, Balla: Ka deputetë të Bundestagut që janë kundër Shqipërisë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, Taulant Balla organizoi një pritje me rastin e 30 vjetorit të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman për zhvillim. Në këtë aktivitet morën pjesë ambasadorja gjermane, Susanne Schütz, deputeti i Bundestagut gjerman dhe  anëtar i Kryesise së Grupit të CDU/CSU, Olav Gutting, përfaqësues të bizneseve gjermane në Shqipëri etj.

Në fjalën e tij, Balla u shpreh se Gjermania është tashmë një vend mik dhe aleat tepër i rëndësishëm për Shqipërinë, një vend që në historinë e zhvillimin ekonomik, politik dhe social ka një kontribut të veçantë. 

“Sot pas 30 vitesh jemi në një moment tjetër historik për Shqipërinë, në raport me perspektivën tonë të antarësimit në familjen europiane, ku natyrshëm ne i përkasim në çdo ditë të jetës sonë Bashkimit Europian dhe pse kemi ende shumë punë për tu bërë vend anëtar. Unë gjej rastin, zonja Ambasadore, zoti Gutting, dhe të dashur pjesëmarrës të falënderoj Gjermaninë dhe Kancelaren Merkel për mbështetjen e fortë gjermane në këtë proces që për ne përfaqëson jetësimin e një ëndrre të vjetër të çdo qytetari shqiptar. Kam patur shansin edhe në vitin 2014 edhe këtë vit më 25 Prill të jem në delegacionin e Kryeminstrit Rama në Berlin në takimin me Kancelaren dhe në Bundestag”. 

Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS 

Më tej gjatë fjalës së tij, Balla tha: “Shqiperia ka tek Kancelarja Angela Merkel nje simbol te besimit tonë tek Europa, duke e shndërruar po ashtu Kancelaren në një simbol të simpatisë së popullit shqiptar për popullin gjerman. Pse jo, ndër vite tashmë të njëjtë me simpatinë për “Die mannschaft”.

Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Bashkë me ne ka sot përfaqësues të parlamentit gjerman. Falenderoj, z. Olav Gutting për prezencën e tij, si shprehje më e mirë e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve në funksion të komunitetit të biznesit. Tashmë u bënë 30 vite kur Shqipëria dhe Gjermania filluan sëbashku të kenë një histori të re miqësie dhe bashkëpunimi ekonomik. Përpara vitit 1988, ndoshta ishte e çuditshme, por është e vërtetë, ne nuk kishim asnjë lloj bashkëpunimi me Gjermaninë Federale, por këtu në Shqipëri kishte një simpati të paimagjinueshme për Gjermaninë, e formësuar në një tifozëri besnike për ‘die mannschaft’  për “bayernin e Mynihut” apo pas viteve ’90 edhe për “mercedez-benz”.

Sot pas 30 vitesh, Gjermania është tashmë një vend mik dhe aleat tepër i rëndësishëm për Shqipërinë, një vend që në historinë e zhvillimin ekonomik, politik dhe social të vendit tonë, ka pa dyshim një kontribut tejet të veçantë. Sot pas 30 vitesh jemi në një moment tjetër shumë historik për Shqipërinë, në raport me perspektivën tonë të antarësimit në familjen europiane, ku natyrshëm ne i përkasim në çdo ditë të jetës sonë Bashkimit Europian dhe pse kemi ende shumë punë për tu bërë vend anëtar.

Unë gjej rastin ta falenderoj, Ambasadoren, z. Gutting, dhe të dashur pjesëmarrës të falënderoj Gjermaninë dhe Kancelaren Merkel për mbështetjen e fortë gjermane në këtë proces që për ne përfaqëson jetësimin e një ëndrre të vjetër të çdo qytetari shqiptar. Kam patur shansin edhe në vitin 2014 edhe këtë vit më 25 Prill të jem në delegacionin e Kryeminstrit Rama në Berlin në takimin me Kancelaren dhe në Bundestag. Shqiperia ka tek Kancelarja Angela Merkel nje simbol te besimit tonë tek Europa, duke e shndërruar po ashtu Kancelaren në një simbol të simpatisë së popullit shqiptar për popullin gjerman. Pse jo, ndër vite tashmë të njëjtë me simpatinë për “Die mannschaft”.

Në një farë mënyre kjo simpati është shprehur edhe me Emigrimin e parregullt të shumë shqiptarëve, sidomos në vitin 2015. Por kjo nuk është rruga e duhur. Shqipëria, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, është një vend i sigurt origjine dhe tregu gjerman i punës është i hapur për punësimin e ligjshëm për profesione të caktuara, pët të cilët ka nevojë jovetëm Gjermani, por edhe Shqipëria. Ndaj, dua të ndaj me ju bindjen se në Qeverinë gjermane dhe në Bundestag-un gjerman ne kemi një  mbështetje të fortë për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perendimor dhe po ashtu per vijimin e procesit me hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE-në.

Sigurisht që mes deputetëve të Bundestagut ndër 709 që kanë shkuar pas zgjedhjeve të fundit ka dhe deputetë që janë kundër hapjes së negociatave. Për shembull deputetët e AFD janë kundër BE në tërësi. Po ashtu ka tek-tuk edhe ndonjë deputet të koalicionit qeverisës që është shprehur kundër, ndoshta për shkak se beson më shumë kryetarin tonë të opozitës, se sa Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Megjithate une jam i tërësisht i bindur se Shqiperia ka një shumicë të mjaftueshme mbështetëse në Bundestagun gjerman dhe kjo eshte gjeja me e rendesishme.

Procesi i Berlinit është një tjetër investim i drejtpërdrejtë i Kancelares dhe Gjermanisë në rajonin tonë, si pikënisje e një etape të re në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Do të doja sot të vlerësoja rolin e zyrës së KfW-së, GIZ-it dhe të DIHA-s. Për mua janë shumë të dashur edhe si mbështetës, edhe si partnerë, që janë shumë aktiv në koordinimin e ndihmës së huaj duke marrë rolin e donatorit kryesor bilateral në shumë sektorë të zhvillimit të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e energjisë infrastrukturës ujore, arsimit dhe formimit profesional etj.

Dje në Kuvendin e Shqipërisë miratuam një marrëveshje të re me KfË e cila jep edhe 42 mln euro të tjera për linjën e transmetimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovëse, aksin Tiranë-Prishtinë. Ky ështënjë invesyim i rëndësishëm dhe ju them dhe një herë faleminderit që na mundësoni ti krijojmë pavarsi energjitike Kosovës. Vetëm në dy vitet e fundit, 2016-2017, janë mbi 100 milionë Euro financime për mbështetjen e programeve të ndryshme zhvillimore në vend.

Janë mbi 190 kompani gjermane prezente në ekonominë sot në ekonominë shqiptare. Këtu dua të përmend disa histori suksesi, disa prej tyre i kam ndjekur edhe personalisht vetë për të investuar në Shqipëri, si rasti i Forchner Albania, që tashmë po zgjerohet me fabrikën e dytë, apo emra të tjerë prestigjozë si Telekom Albania apo Tirana Bussines Park. Rol të padiskutueshëm këtu natyrisht që luan edhe DIHA (Dhoma Gjermane e Tregëtisë). Sigurisht që, një sfidë e kemi kur vjen fjala për te investimet e huaja. Stoku i investimeve të huaja gjermane në Shqipëri, në fund të vitit 2017 është vetëm 116 milionë Euro. Pra, kemi një hapsirë të pafundme për të zgjeruar investimet gjermane. Është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, e jona si Kuvend, për të bërë të mundur që vendi dhe sektorë të tjerë të jenë atraktivë për kompanitë gjermane.

Deklarata e plotë e deputetit të Bundestagut gjerman, Olav Gutting:
Shumë falemnderit për ftesën tuaj në këtë pritje të veçantë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Gjermani. Është kënaqësi për mua të flas sot këtu me rastin e 30-vjetorit të bashkëpunimit Gjerman në Shqipëri. Jam i lumtur të pohoj se marrëdhëniet dypalëshe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë janë shumë të ngushta. Vitin e shkuar festuam 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Dhe sot po festojmë 30-vjetorin e Bashkëpunimit Gjerman në Shqipëri.

Gjermania renditet si partneri i dytë tregtar më i madh i Shqipërisë dhe donatori dypalësh më i madh i Shqipërisë. Gjermania, gjatë këtyre 30 viteve të bashkëpunimit tonë i është përkushtuar zhvillimit politik dhe ekonomik në Shqipëri dhe do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Ne kemi mbështetur Shqipërinë me projekte zhvillimore si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, si dhe mbështetja e arsimit dhe formimit  profesional brenda sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të përmendur vetëm disa prej tyre.

Sot pata kënaqësinë të zbuloj një vend që është shumë ndryshe nga imazhi që ka në Gjermani. Tirana është një qytet i bukur dhe i pastër dhe plot energji.
Viti 2018 është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, jo vetëm për shkak të këtij 30-vjetori. 2018-a është shumë e rëndësishme për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Më lejoni të jem shumë i sinqertë me ju. Unë mendoj se ju e meritoni hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.
Shqipëria ka aplikuar në Bashkimin Evropian që në vitin 2014. Pritshmëritë e Bashkimit Evropian për të miratuar nisjen e negociatave të pranimit janë të larta. 

Në muajin prill Komisioni Evropian rekomandoi që BE të çelë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Komisioni bëri të ditur se vendi ka bërë progres të mjaftueshëm për të garantuar çeljen e negociatave të pranimit. Është impresionuese kur shikon sa shumë keni arritur. Por edhe mua më duhet të them…që akoma nuk është vendosur asgjë. Mos u mërzitni e as mos u dekurajoni nga debatet tona të brendshme në lidhje me këtë. Kjo nuk ka aspak të bëjë me ju dhe nuk do të thotë aspak që ne nuk vlerësojmë dhe respektojmë kurajon tuaj për reforma, arritjet tuaja të qëndrueshme në të gjitha fushat, si dhe mbi të gjitha reformën e shquar në drejtësi. Negociatat do të jenë të vështira dhe të gjata. Ne nuk do të përsërisim kurrë më gabimin  e të shkuarës për pranimin e anëtarëve të rinj, të cilët nuk janë ende gati.
 
Historia mjaft shpesh ka treguar impaktin shkatërrues që kanë konfliktet e Ballkanit në Evropë. Këtë vit përkujtojmë 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore që nisi në Ballkan, në vitin 1914. Dhe pikërisht në Ballkan ndodhi konflikti më i madh ushtarak i Evropës, pas Luftës së Dytë Botërore. Ndaj, mendoj se mbështetja e Shqipërisë në rrugëtimin e saj për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian është në dobi të të gjithëve. BE-ja me perspektivën e saj ekonomike është thelbësore për stabilitetin e Shqipërisë, Evropës dhe Gjermanisë. Një pjesë shumë e rëndësishme e historisë që duhet të tregojmë është: Ballkani Perëndimor në Evropë do të thotë një hap përpara sa i takon interesave të sigurisë.

Theksoj dhe një herë, Shqipëria, gjatë viteve të fundit ka bërë një progres premtues. Unë shoh që Shqipëria ka bërë shumë përpjekje për të krijuar kushtet e duhura për ti siguruar shqiptarëve një të ardhme më të mirë. Kam bindjen se këto përpjekje duhen shpërblyer me çeljen e negociatave të pranimit. Ky do të ishte një sinjal inkurajues për popullsinë pro-evropiane të Shqipërisë dhe veçanërisht për të rinjtë shqiptarë, pasi pjesa më e madhe e tyre perspektivën afatgjatë të së ardhmes së vet e shohin vetëm tek anëtarësimi në BE.

Unë besoj se të rinjtë shqiptarë nuk do të largohen nga vendi i tyre kur të ketë një treg pune më të mirë dhe kushte më të mira jetese. Padyshim që Shqipëria ka ende shumë për të bërë në rrugëtimin e saj drejt Evropës dhe ju këtë e dini. Progresi i vazhdueshëm i reformës në drejtësi dhe lufta e vazhdueshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jenë të domosdoshme që Shqipëria të bëhet Anëtare e Bashkimit Evropian.

Mbase keni dëgjuar që ka një debat brenda grupit tim parlamentar, CDU/CSU, mbi faktin nëse Gjermania duhet të japi dritën jeshile në Bruksel, në muajin qershor. Duhet ta dini që është një parti e madhe dhe demokratike, ku sigurisht ka mendime të ndryshme. Megjithatë, gjatë këtij debati ne nuk duhet të harrojmë që çështja e hapjes së negociatave të pranimit nuk është një çështje anëtarësimi të menjëhershëm, por është vetëm hapi i parë në një rrugë më të gjatë.

Unë mendoj se Shqipëria duhet lejuar të hyjë në këtë rrugë, edhe pse ende nuk është gati për Anëtarësimin në BE. Megjithatë, unë personalisht do të përdor peshën time në diskutimet e Bundestagut Gjerman për miratimin e hapjes së negociatave të pranimit, shoqëruar me kushte të qarta, sa më shpejt të jetë e mundur. Për hir të të gjithëve ne.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fati: 01/06/2018 23:29

    Shume interesante ky Rama ska njeri tjeter po ven kete krricin qe sdi nga lidhet gomari

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!