Lulzim Basha u ka kërkuar ndjesë në emër të PD ish të përndjekurve për shkak të proceseve të papërmbushura ndaj tyre deri më tani që nga mungesa e gjetjes së eshtrave të familjarëve të tyre të vrarë gjatë komunizmit e deri tek mungesa e dëmshpërblimit. Teksa firmosi peticionin e Dekomunistizimit në sheshin “Skëndërbej” në 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, Basha tha se do të dërgojë në Kuvend iniciativën ligjore për të ndaluar simbolet e komunizmit dhe për të ndaluar çdo person të lidhur me regjimin komunist të jetë pjesë e institucioneve shtetërore.

Gjithashtu pjesë e iniciativës ligjore të PD për Dekomunistizimin, Basha tha se do të jetë edhe zbardhjen e  plotë të aktivitetit të diktaturës dhe aksesin e plotë të shqiptarëve ndaj këtyre informacione dhe të mos mbeten të kyçura në arkiva.

“Një ndjesë e thellë në emër të PD drejtuar ish të përndjekurve politikë për proceset e pa përmbushura që nga eshtërta e pagjetura deri te mungesa e dëmshpërblimit. Mungesa e kujtesës historike është e rrezikshme për një shoqëri si e jona që ka kaluar trauma pasi rrezikon të na i kthejë prapë. Ky peticion detyron PD që të çojë në Kuvend iniciativën ligjore për të ndaluar simbolet e komunizmit, vetingun e deputetëve dhe anëtarëve të institucionave për pastrimin nga personat e lidhur me regjimin. Zbardhjen e  plotë të aktivitetit të diktaturës dhe aksesin e plotë të shqiptarëve ndaj këtyre informacione dhe të mos mbeten të kyçura në arkiva. Rishikimi i emërtimeve të gjithë objekteve publike në mënyrë që brezi i ri të rritet duke e glorifikuar por të kuptojë traumën që ka kaluar ky vend”, tha Basha.  

Kryedemokrati, i shoqëruar nga disa deputetë demokratë dhe të rinjtë e Forumit Rinor të PD, u ka kërkuar që të mos e harrojnë të shkuarën dhe traumat që ka kaluar ky vend në mënyrë që të mos përsëritet më në të ardhmen. Basha tha se të rinjtë duhet të dinë se kulti i individit është shkatërrimi i çdo shoqërie duke ngritur një persona të zakonshëm e duke e bërë Zot.

“Besoj jemi të gjithë bashkë për të firmosur peticionin. Ndodhem këtu me rininë demokratike që shumica e konsideron një ditë të veçantë edhe për historinë e PD ku u rrëzuar simboli i diktaturës dhe shtatorja e Enver Hoxhës. Kjo ditë e veçantë i takon të gjithë shqiptarëve dhe është një ditë kremtimi të simbolik të diktaturës ndaj nuk duhet të harrojmë të themi gëzuar këtë ditë, gëzuar 20 shkurti të largimit të shijes së rëndë të diktaturës. Një falënderim për të gjithë ata që frymëzuan këtë akt të rrëzimit të simbolit të diktaturës që bëri lajmin e  parë në të gjithë mediat botërore. Të rinjtë duhet të dinë se kulti i i individit shkatërron dhe ngre një person të zakonshëm që e bën Zot. Ky është shkatërrimi i të çdo shoqërie”, tha Basha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:49
Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, Basha kujton momentin: Shumë vonë e kuptova që në shesh ishim e gjithë familja

Lulzim Basha ka firmosur ditën e sotme një peticion për dekomunistizimin në 31 vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës. Teksa ka kujtuar për të rinjtë atë moment, Basha ka ndarë një histori personale ku tha se gjatë rrëzimit të bustit ishte e gjithë familja e tij në shesh, por nuk e dinin pasi kishin ardhur  nga anë të ndryshme në atë grumbull të madh shqiptarët që rrëzuan simbolin e diktaturës.

“Nuk e harroj atë vit, kam qenë këtu. Kam arritur këtu pak para se shtatorja të binte dhe shumë më vonë e kam kuptuar se familja ime ndodhej këtu, në katër anët e sheshit. Asnjëri prej nesh nuk e dinte që ndodheshim këtu, sepse kishim ardhur nga rrugë të ndryshme. Si familje biologjike ishim të shpërndarë, nuk e dinim që ishim këtu. Por, që nga momenti i nisjes së protestës, rënia e shtatores dhe testimi i këtij momenti, ne të gjithë ishim bërë një familje”, tha Basha.