Fillimisht kanë raportuar anëtarët e këtij komiteti, që janë në krye të strukturave që po përballojnë përmbytjet në mbarë vendin. Sipas tyre, pritet që reshjet dhe prurjet të bien në 24 orët e ardhshme, përfshirë ato të lumit Vjosë, që kanë arritur deri në 1.200 metër kub për sekondë. Fierza ngelet ndërkohë nën nivelin kritik, por afër tij, ndërsa Semani ka bërë shkarkime.
Sa iu përket çështjeve që kanë të bëjnë me jetën dhe sigurinë, janë rreth 507 familje të evakuuara dhe 1.594 persona që janë shpëtuar, një pjesë e mirë e të cilëve gjatë natës, në kushte ekstreme.
Problemet më serioze janë verifikuar në qarkun e Korçës dhe atë të Vlorës, ndërsa në nivel kombëtar janë përmbytur rreth 3.193 banesa dhe 49 shkolla, të cilat nuk janë në kushtet për të rifilluar mësimin pas krizës, si dhe 7.874 hetarë nën ujë.
Ndër të tjera, gjatë ditës së sotme janë shtuar operacionet e kërkim-shpëtimit, duke zhvendosur me dhjetëra familje nga shtëpitë e përmbytura, ndërkohë që oferta për ndihmë kanë ardhur edhe nga jashtë.
Vetë Rama ka deklaruar se trupat e angazhuara në terren ditën dhe natën kanë bërë operacione të shumta shpëtimi, duke bërë të mundur që asnjë jetë njerëzore dhe bagëtie të mos humbasë.
“Fokusi vazhdon të jetë ruajtja e jetëve të njerëzve dhe krijimi i mundësive maksimale për të krijuar një kënd për ato hapësira rurale ku ka bagëti apo shpendë”, ka deklaruar Rama.
Kreu i qeverisë ka nënvizuar se, dëmet këtë herë janë shumë më të reduktuara se kriza e dy viteve më parë. Kjo, “falë punës së mirëkoordinuar, angazhimit logjistik të shumëfishuar, pastrimit të kanaleve dhe investimeve të bëra qoftë në shtratin e Vjosës, qoftë në bashkitë e reja, ku ndryshe nga dy vjet më parë përmbytjet nuk kanë shkaktuar ato përmbytje surreale”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se në fokus të strukturave shtetërore do të jenë banesat, rrugët, urat dhe shkollat, për të bërë të mundur që mësimi të nisë sa më parë. Gjithashtu, “fatura e kompensimeve duhet përgatitur me transparencën më të madhe”, ka shtuar Rama.
G.F. / Shqiptarja.com










