33 drejtues mjetesh janë proceduar penalisht dhe mbi 1300 të tjerë janë gjobitur vetëm për parkim të gabuar gjatë muajit mars në Shkodër, sipas bilancit të Policisë Rrugore të bërë publik të enjten

Kontrollet janë zhvilluar në të gjitha akset e qarkut, me përdorimin e dronëve, radarëve dhe makinave inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Në fokus kanë qenë drejtuesit që qarkullojnë në efektin e alkoolit dhe ata pa leje drejtimi. Nga 33 të proceduarit, 10 janë arrestuar për drejtim në gjendje të dehur ose pa patentë, ndërsa 23 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim pa leje.

Shifrat e gjobave tregojnë një numër të lartë shkeljesh. Përveç 1335 rasteve të parkimit të gabuar, 621 drejtues janë ndëshkuar për parakalime të gabuara dhe 396 për tejkalim të shpejtësisë.

Po ashtu, 164 drejtues motomjetesh janë gjobitur për mosvendosje të kaskës, 245 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 42 për përdorim të telefonit gjatë drejtimit.

Ndërkohë, 31 drejtues janë kapur duke drejtuar mjetin në efektin e alkoolit, ndërsa 1153 të tjerë janë penalizuar për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Shkodrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset dhe apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit, për të shmangur aksidentet dhe për të rritur sigurinë në rrugë.