Tre persona janë arrestuar në Malësi të Madhe, dy janë proceduar penalisht dhe një është shpallur në kërkim pasi u zbuluan se kishin mbjellë kanabis në platforma polisteroli.
Në fshatin Bajzë, u gjet një numër i konsiderueshëm filizash kanabisi që çuan në arrestimin e tre personave nga një familje, të moshave 23, 26 dhe 29 vjeç.
Në video, shihet njëri prej tyre teksa përpiqet t’ia mbathë nga uniformat blu duke kapërcyer një mur, por vetëm pak momente ngadalëson dhe ngre duart lart ndërsa kapet nga policia.
Pamjet tregojnë edhe filizat e mbuluar në ‘parcelat’ me platforma polisteroli.
Në fshatin Gruemirë Çezme, për të njëjtin aktivitet u shpall në kërkim një 52-vjeçar, ndërsa një 41-vjeçare dhe një 75-vjeçare janë proceduar.
Filizat u sekuestruan pjesërisht nga policia, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua.
Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë Shkodër.
Njoftimi:
Kontrolle intensive në territor për parandalimin dhe goditjen që në fazën përgatitore të tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Faza e parë”.
Asgjësohen një numër i konsiderueshëm filizash të dyshuar kanabis, të kultivuar në platforma polistiroli.
Arrestohen tre shtetas, procedohen penalisht dy të tjerë dhe një shpallet në kërkim.
Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatrat Bajzë dhe Gruemirë Çezmë disa persona po kishin mbjellë fara kanabisi në platforma polistiroli, shërbimet e specializuara në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe, të mbështetura nga Forcat e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Faza e parë”.
Si rezultat i operacionit, në fshatin Bajzë, u evidentuan një numër i konsiderueshëm filizash të dyshuar kanabisi, të kultivuar në platforma polistiroli, me qëllim kultivimin e tyre në tokë.
Platformat me filiza u shkatërruan gjatë operacionit, ndërkohë që një pjesë e tyre u sekuestrua nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale.
Si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale u arrestuan shtetasit: E. Q., 29 vjeç, B. Q., 23 vjeçe dhe A. Q., 26 vjeçe (familjarë), të tre banues në fshatin Bajzë.
Po në vijim të operacionit, në fshatin Gruemirë Çezmë, në një magazinë u konstatuan edhe disa platforma të tjera polistiroli, në të cilat ishin kultivuar filiza dhe fara narkotike të dyshuara kanabisi.
Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi B. R., 52 vjeç, banues në fshatin Gruemirë Çezmë, dhe nisi procedimi penal për shtetaset E. R., 41 vjeçe, dhe Z. R., 75 vjeçe, banuese në këtë fshat.
Vijon puna për kapjen e shtetasit B. R., si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente












