331 themeluesit që u zhdukën
në 22 vjet PD, mbijetuan 12

TIRANE - Si sot, 22 vite më parë Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të PPSH, Ramiz Alia do të dërgonte në Qytetin Studenti njeriun më të besuar të tij për të qetësuar protestat studentore, Sali Berishën profesorin e mjekun e shquar të kardiokirurgjisë në spitalin qëndror Tiranë. Që mbërriti me këtë mision në qendrën studentore, nën argumentin se kishte shumë tropojanë, duke mbetur aty e duke u bërë firmatar i themelimit të së parës parti opozitare pas afër 50 vitesh diktaturë komuniste, dhe pas disa muajsh bëhet kryetar i Partisë Demokratike.

Pra shkoi me mision nga Ramiz Alia që të takohej e të qetësonte liderin e dhjetorit Azem Hajdari me shokët e tij dhe mbeti për 22 vite me radhë i ngulur në krye të PD por dhe në politikën shqiptare pa lëvizur, pavarësisht se çfarë lëvizjesh kanë ndodhur në tërë këto vite. Ai mbeti i "ngulur" politikisht në Qytetin Studenti që në atë mbrëmje të 8 dhjetorit të vitit 1990, ndërkohë që dje Hajdari, por në bronx tashmë "ngulet" pas shumë e shumë vitesh nga vrasja e tij, pikërisht në qytezën e studentëve, nga filloi dhe rrëzimi i diktaturës.

Dhe në këtë 22 vjetor, teksa sheh listën e 343 firmatarëve për krijimin e PD vihet re qartë se kanë mbetur fare pak në këtë parti. Pjesa më e madhe janë larguar në mënyrë të pakthyeshme jashtë vendit, jashtë partisë, ndërsa pjesa tjetër janë përjashtuar denigruar, larguar dhe kthyer. Ndërkohë që një pjesë janë larguar pa kthim, drejt botës së përtejme nga plumbi, nga aksidentet apo nga sëmundjet normale apo të mistershme. Por që nuk jetojnë më. Vetëm njëri jeton, është në krye e ai është Sali Berisha, që në 22 vite postkomunizëm vetëm 5 vite ka qënë thjeshtë kryetar i PD, ndërsa vitet e tjera i dubluar kryetar i PD me President e kryeministër i vendit. Por ka pasur dhe të tjerë të mbijetuan në "xhunglën" e egër të politikës shqiptare, dhe në atë më të egër të Partisë Demokratike ku herë duke u larguar e herë duke u afruar ia dolën që të mbeten në politikë, afër Berishës. Dhe të mbijetuarit e mëdhenj janë ata që u rikthyen në vitin 2005 në pushtet bashkë me Berishën.

Ata janë nënkryetari i parë i PD, Arben Imami, i cili pavarësisht se u nda që në vitin 1992 nga Berisha, arriti që në fillim të vitit 2005 të bashkohet me Berishën ku hap pas hapi, nga drejtor kabineti i Berishës kryeministër, më pas deputet dhe Ministër Mbrojtje dhe një ndër kandidatët më të fortë për të qënë Sekretar i përgjithshëm i PD. Ndërkohë që bashkë me Imamin ia doli të rikthehej dhe Genc Pollo i larguar në vitin 2000 për t'u rikthyer në vitin 2005 e për të provuar ministritë me radhë nga Ministria e Arsimit deri te Inovacioni dhe për të qënë një ndër 'delfinët' e Berishës në 8 vite qeverisjeje. Tjetër i mbijetuar përmes largimeve dhe rikthimeve është Genc Ruli, i cili në tetë vite ka "lëvizur" vetëm 20 metra nga ministria e Ekonomisë tek ajo e Bujqësisë, ndërsa Arben Demeti ia doli të jetë zv.ministër pas shumë e shumë largimesh.

Lista vijon me nivele më të ulta nga firmatarët, me Rusmalin në Kuvend, Shaban Meminë në një ministri dhe drejtori të vogla. Njëherësh largimet kanë qënë vërtetë të mëdha. Duke filluar me ish-kryeministrin Aleksandër Meksi dhe vijuar me kryetarin e PD Eduard Selami i cili u përzu nga kryetar partie dhe partia, për të vijuar me emra të tjerë të rëndësishëm që janë themelues të PD që nga Preç Zogaj, Shenasi Rama, Tefalin Malshyti, Blendi Goxhe, Arben Meçe, Ndue Lugja, Arben Lika, Arjan Manahasa dhe të tjerë të clët janë larguar në mënyrë graduale. Ndërkohë që lideri i dhjetorit Hajdari është larguar fare nga kjo botë bashkë me themelues të tjerë të PD.

Pra nga 343 firmatarët të deklaratës themeluese të PD ia kanë dalë të "mbijetojnë" në këtë parti në 22 vite me radhë, dhe falë disa rikthimeve të bujshme vetëm 12 firmatarë, të cilët ose janë në poste ministri ose janë në poste të tjera në rang zëvendësministrash dhe drejtorë drejtorish në administratën shtetërore. Dhe largimet kanë qënë në periudha ciklike. Ne vitin 1992 largohen mocionistët me në krye Imamin, Zogajn dhe Pashkon duke formuar PAD. Në vitin 1996 largohen promemoristët me në krye Dashamir Shehin dhe Genc Rulin për të formuar një parti të re, ku Shehi vijon të qëndrojë në LZHK larg PD. Ndërsa vala tjetër ishte ajo e vitit 2000 kur largohet Pollo për të themeluar PDR por për t'u rikthyer sërish në PD dhe për të marrë poste kryesore në këtë parti. Ndërkohë që mbijetesa politike në PD ka qënë gjithnjë e lidhur me afrimin apo me largimin nga lideri historik i kësaj partie Sali Berisha.

Sa herë që mosmarrëveshjet mes themeluesve dhe kreut të PD Berisha janë acaruar ka ndodhur gjithnjë një përplasje në PD, duke sjellë në këtë mënyrë dhe shkëputjen e pjesëve të tëra nga kjo parti dhe krijimin e partive të djathta, të cilat jo pak i kanë sjellë probleme partisë së parë të djathtë opozitare pas afër 50 vitesh diktaturë, duke e lënë atë në opozitë për tetë vite me radhë. Vetëm pasi bëri afrimin e ish-themeluesve në vitin 2005 Berisha ia doli që falë dhe çarjes së PS, të vinte në pushtet. Ndërkohë që vetëm për Eduard Selamin, Tefalin Malshytin, Shenasi Ramën, Arjan Manahasën, Arben Likën etj, largimi nga PD ka qënë një rrugë pa kthim. Duke ia lënë gjithçka në dorë Sali Berishës.

TOPALLI E TOPI QE NUK FIRMOSEN THEMELIMIN
Me afrimin e datës së themelimit të PD fillojnë debatet se kush pati rol kryesor në themelimin e partisë së parë opozitare në Shqipëri. Ndërsa në listën e themeluesve të PD-së, bie në sy emri i Berishës, Meksit, Selamit, Imamit, Rulit etj, nuk janë Bamir Topi dhe Jozefina Topalli. Ndërkohë që ministri i Financave njëherësh dhe sekretari i përgjithshëm më jetëgjatë në këtë parti, Ritvan Bode asokohe thuhej se militonte në partinë e vjetër madje ithtar i saj. Teksa sheh listën e firmatarëve të themelimit të PD nuk të bien në sy shumë prej emrave që sot kanë peshë në PD, duke futur dhe të rinjtë një pjesë prej të cilëve kanë kaluar në "ekipin" zinxhir të PS për të qënë më aktivët në PD tashmë. Ndërsa Topalli është numri 2 i PD, Topi nga numri 2 dhe ish-president, ka kaluar në armikun numër 2 të mazhorancës. LEXONI KETU / LISTA THEMELUESE E PD-së, KU JANE TANI EMER PER EMER

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

U shpall fajtor për rastin 'Stormy Daniels', Trump i tërbuar në rrjetet sociale: Gjueti shtrigash, njerëzit janë me mua

U shpall fajtor për rastin 'Stormy Daniels', Trump i tërbuar në rrjetet sociale: Gjueti shtrigash, njerëzit janë me mua