Policia e Shtetit deklaron se në dy javët e para të muajit gusht janë zbuluar 34 raste zjarrvënie të qëllimshme me 35 autorë, 12 nga të cilët janë arrestuar e ndaluar, 19 ndiqen në gjendje të lirë, si dhe 4 janë shpallur në kërkim.
 
Gjithashtu policia thekson se në operacionet për shuarjen e zjarreve kanë marrë pjesë 3545 punonjës në mbështetje e në bashkëpunim me punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri, të emergjencave civile, pushtetit vendor dhe ushtrisë, ndërsa janë angazhuar edhe 80 efektivë të FNSH-së.

Nga grantet, te taksat dhe kullotat/ Arsyet e zjarrvënies
Nga hetimet ka rezultuar se zjarret janë vendosur; për ripërtëritje të kullotave, persona të cilët kanë marrë në përdorim pyjet, me qëllim shmangien e taksave, hapje tokash të reja dhe përdorim i granteve për shëndetësim pyjor.
 
Policia deklaron se ka marrë masa për objektet me risk për të cilat premisat për rënie zjarri, krahas pyjeve dhe kullotave janë të larta.
 
Ato janë 4 subjekte që kanë depo për magazinim të lëndëve piroteknike fishekzjarrë, në Tiranë dhe në Elbasan.
 
Këto depo kanë marrë edhe vetë masat e sigurisë pasi janë të certifikuara nga strukturat e Mbrojtjes ndaj zjarrit, janë të miratuara nga Komisariatet e Policisë dhe sigurohen me Shërbime Private të Sigurisë të armatosura
” thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.
 
Strukturat e Policisë së Shtetit në përfundim të deklaratës shprehet se ka angazhuar shërbime shtesë me qëllim parandalimin, zbulimin, identifikimin dhe goditjen e autorëve të zjarrëvënies së qëllimshme dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.

dy.b/shqiptarja.com