35 artistë marrin pjesë në ekspozitën “Lear 2025” në Berat, duke sjellë për publikun një mozaik të pasur shprehjesh vizuale, teknikash dhe qasjesh estetike. Në ekspozitë marrin pjesë artistë nga qytete, breza dhe formime të ndryshme, mes tyre emra të njohur, si: Greta Tahiraj, Agron Polovina, Nezir Ago, Pashk Përvathi, Fatmir Minga, një grup piktorësh nga Durrësi, si dhe Alice Taylor dhe Isabella Sofia Catonidy.
Punimet e ekspozuara përfshijnë pikturë në vaj dhe akrilik, skulpturë në bronz dhe terrakotë, ku spikasin natyra e qetë, portreti, peizazhi, por edhe arti modern dhe abstrakt.
Veçanërisht tërheq vëmendjen kompozimi në terrakotë i artistes Llambrini Dëna, i frymëzuar nga vargjet e Çajupit, si dhe skulpturat në bronz nga artistë durrsakë, ku ndjeshmëria dhe delikatesa e formës janë elementë kryesorë.
“Ditën e sotme kam preferuar të zgjedh një kompozim me zaje dhe jam mbështetur në vjershën e Çajupit: Burrat në lozin kuvendojnë, pika që s’i bie se nga gratë rrojnë. Dhe po ta shikoni kompozimin është i përbërë me tre fletë, i realizuar me zajet e lumit.”, thotë piktorja Llambrini Dëna.
“Jam paraqitur me dy punime: një krijim imagjinar, i frymëzuar nga poezia e Kadaresë ‘Pa ty’, dhe një peizazh nga Thethi. Berati është një qytet me histori dhe kulturë, që të frymëzon natyrshëm.”, thotë piktori Arben Kristani.
“Jam paraqitur me dy punë në bronz, nudo në plazh. Janë pjesë e një cikli timin dhe përfaqësojnë përvojën time shumëvjeçare në skulpturë.”, shprehet skulptori Qazim Kërtusha.
“Kam punuar gjithë jetën në zhanre të ndryshme, por peizazhi mbetet një nga më frymëzuesit. Berati është ndër qytetet më mahnitëse për një piktor.”, thotë piktori Bujar Lila.
Në ekspozitë nuk mungojnë as peizazhet e qyteteve shqiptare, bregdetit dhe maleve, të sjella në formë karakteristike nga piktorë shkodranë dhe beratas, si dhe me qasje moderne.
“Kjo është ekspozita e dhjetë, që organizon galeria jonë brenda këtij viti. Në ekspozitë kanë marrë pjesë artistë të njohur, të afirmuar, por edhe artistë të rinj. Në ekspozitë janë prezantuar punime të zhanreve dhe teknikave të ndryshme.”, shprehet drejtori i galerisë “Edward Lear”, Arben Jaupaj.
Ekspozita është pritur me interes nga artdashësit beratas dhe do të qëndrojë e hapur deri më 14 janar 2026, duke funksionuar si një hapësirë komunikimi dhe ndërveprimi me publikun dhe turistët që vizitojnë qytetin në çdo stinë.
Komente










