Varrezat e Rrmajit, janë një nga 5 vendvarrimet e identifikuara nga Autoriteti i Dosjeve, ku mund të gjenden eshtrat e disa prej qindra të ekzekutuarve nga regjimi komunist. Pikërisht këtu, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, u përurua ekspozita e përhershme “Rrmaji – Vend Kujtese dhe Kërkimi”.
Prek Cali ishte një prej figurave të qëndresës në Malësinë e Kelmendit. Ai u përball me regjimin komunist dhe përfundoi i dënuar me vdekje. Pushkatimi i tij, në varrezat e Rrmajit, nuk mbylli vetëm jetën e një burri që kishte kundërshtuar regjimin, por la pas edhe një tjetër dramë: pasigurinë për vendin ku u varros dhe për fatin e eshtrave të tij.
Për familjen Cali, historia e Prekës është edhe historia e një kujtese që u përpoq të mbijetonte përballë një regjimi, që jo vetëm ekzekutonte kundërshtarët, por kërkonte të zhdukte edhe gjurmët e tyre. Sot, pasardhësit flasin ende për kullën, vendin dhe figurën e tij, si simbole të një qëndrese që nuk mund të fshihet.
“Prek Cali u pushkatua... Por për me humb nga kujtesa historike i hoqën edhe kullën... Kulla është simbol i qëndresës. Kulla është simbol i malësorëve të cilët kanë luftuar me armë në dorë për të mbrojtur Kelmendin”, tha Gjergj Neli, pasardhës i familjes së Prek Calit.
Por kërkimi për Prek Calin është vetëm një pjesë e një historie shumë më të gjerë. Në Shkodër, dokumentet e ish-Sigurimit dhe dëshmitë e familjarëve kanë nxjerrë në dritë emra njerëzish të vrarë apo të zhdukur, trupat e të cilëve nuk dihet ende se ku prehen.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, pranë Varrezave të Rrmajit u përurua ekspozita e përhershme “Rrmaji – Vend Kujtese dhe Kërkimi”.
“Rrmaji, Kelmendi, Ostria, Zalli i Kirit, goditja e klerit nuk janë histori të ndara. Janë histori të qëndresës dhe na ndihmojnë të kuptojmë një mekanizëm: arrestimi, dhuna, procesi politik, dënimi, ekzekutimi, fshehja e trupit, heshtja dhe shformimi i biografisë”, tha Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH.
Vetëm në qarkun e Shkodrës janë evidentuar 372 persona të vrarë ose të zhdukur gjatë regjimit komunist. Për 13 prej tyre, të dhënat e mbledhura lidhen me vendvarrime të mundshme pranë Rrmajit.
Rreth 30 dëshmi me figurë dhe zë, të dhëna nga familjarë e dëshmitarë, tashmë janë pjesë e këtij kërkimi.
“Duhet të ekspozohen veprat, akuzat, dënimet, sepse brezat që vijnë duhet ta dinë çfarë ka ndodhur”, tha Ndoc Ashta, familjar i të pushkatuarve.
Dokumentacioni për pesë vendvarrime të dyshuara i është përcjellë institucioneve përgjegjëse, me kërkesën për gërmime dhe zhvarrime të kontrolluara.
“Rrmaji nuk është vetëm një varrezë, por një vend dëshmie, dhimbjeje dhe kujtese. Kujtesa e vërtetë nuk kërkon hakmarrje. Ajo kërkon të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin”, tha Imzon Giovanni Peragine.
Prek Cali mbetet një nga emrat e kësaj historie të pazbardhur deri në fund. Një emër që familja kërkon ta mbajë gjallë, jo vetëm përmes kujtimeve, por edhe përmes kërkimit të gjurmëve të tij. Dhe pikërisht kjo është edhe thirrja e Rrmajit: të mos harrohen emrat, të mos humbasin gjurmët dhe, aty ku është ende e mundur, të gjenden ata që u zhdukën pa lënë pas një varr.








Komente
Komento