I pranishëm në eventin për 35-vjetorin e PS-së, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se e vlerëson maksimalisht punën e patronazhistëve të Partisë Socialiste.
Duke veçuar Gramoz Ruçin si kryepatronazhistin e PS-së, Rama tha se ish-kryeparlamentari ka bërë për Partinë Socialiste më shumë se të gjithë të tjerët, duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët.
“Nuk dua t’ju mbaj gjatë. Jam këtu për t’ju thënë disa fjalë. Dua ta nis me frymëzimin që më dha dalja e Gramozit këtu, që më kujtoi një fjalë të legjendarit Fate Velaj, i cili, kur u bë deputet i PS-së, pas disa kohësh tha: ‘Çfarë misteri është ky me këtë njeri, 35 vite me fytyrën e ngrysur? Ky duhet të jetë një profesion më vete’, tha. ‘Se ne u meruam duke qeshur, por nuk na ndjek njeri nga pas siç ndjekin këtë’.
35 vite Facebook jo, Instagram jo, TikTok jo e jo. Por që kur ka dalë telefoni celular, asnjë SMS s’ka bërë akoma deri tani që flasim. I punon telefoni vetëm në marrje SMS-sh. Intervista në media ka dhënë tre e gjysmë.
Si shpjegohet kjo? Në fakt, kjo e ka shpjegimin te telefoni. Sepse askush nga ne nuk i ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug. Askush nga ne nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe sot: jo vetëm t’i përgjigjet çdo njeriu, jo me SMS, sepse është kuadër i vjetër dhe thotë ‘mos lër gjurmë’, por me telefon. Ata shkruajnë, ai përgjigjet.
Por, po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vizita, për ngushëllime, për dasma e pagëzime, janë të panumërta. Pra, ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot se si funksiononte Gramozi me fytyrën e tij të vrenjtur, është në fakt se Gramozi është kryepatronazhisti i PS-së.
Unë çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjitha punën e patronazhistëve”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
PS Tiranë feston 35-vjetorin e themelimit, Rama: Vlerësoj maksimalisht punën e patronazhistëve! S'kemi kërkuar lirimin e Veliajt, sado i padrejtë të na duket arrestimi i tij









