Partia Socialiste dega Tiranë festoi sot 35-vjetorin e themelimit. Në një event në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet, qindra socialistë, një pjesë e të cilëve funksionarë dhe ish-zyrtarë të lartë, u mblodhën për të përkujtuar këtë ditë.

Në nisje të eventit, është pasqyruar një historik i shkurtër i kësaj force politike, që nga koha kur ajo drejtohej nga Fatos Nano, në periudhën kur kryeministri Edi Rama kandidonte për kryetar bashkie të Tiranës dhe deri në ditët e sotme, kur Shqipëria është një hap më pranë anëtarësimit në BE.

Përmes disa pamjeve të publikuara, është nxjerrë na pah kontrasti dhe ndryshimi rrënjësor që Tirana ka përjetuar gjatë këtyre viteve. Në Tiranën e para vitit 2001, nga pamjet vihet re një mugesë e theksuar e infrastrukturës, prezencë e kaosit dhe mungesë e hapësirave publike. Ndërkohë në Tiranën e pas vitit 2001, kur në krye të bashkisë erdhi Edi Rama, por edhe në Tiranën e sotme, ku në krye të bashkisë qëndron Erion Veliaj, vihet re një qytet modern, me hapësira publike dhe infrastrukturë bashkëkohore.

I pranishëm në eventin për 35 vjetorit të PS, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vlerëson maksimalisht punën e patronazhistëve të PS.

Duke veçuar Gramoz Ruçin si kryepatronazhistin e PS, Rama tha se ish-kryeparlamentari ka bërë për Partinë Socialiste më shumë se gjithë të tjerët, duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët.

“Nuk dua t’ju mbaj gjatë. Jam këtu për t’ju thënë disa fjalë. Dua ta nis me frymëzimin që më dha dalja e Gramozit këtu, që më kujtoi një fjalë të legjendarit Fate Velaj, i cili kur u bë deputet i PS, pas disa kohësh tha ‘çfarë misteri është ky me këtë njeri 35 vite fytyrën e ngrysur’. ‘Ky duhet të jetë një profesion më vete’, tha ‘se ne u meruam duke qeshur tha, por nuk na ndjek njeri nga pas siç ndjekin këtë’. 35 vite Facebook jo, Instagram jo, Tik Tok jo e jo. Por që kur ka dalë telefoni celular, asnjë sms s’ka bërë akoma deri tani që flasim. I punon telefoni vetëm në marrje të sms-ve. Intervista në media ka dhënë 3 e gjysmë. Si shpjegohet kjo? Në fakt kjo e ka shpjegimin te telefoni. Sepse askush nga ne nuk ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug. Askush nga ne nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe sot, që jo vetëm i përgjigjet çdo njeriu, jo me sms, sepse është kuadër i vjetër e thotë ‘mos lër gjurmë’, por me telefon. Ata shkruajnë ai përgjigjet. Por po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vaki, për ngushëllime, për dasma e pagëzime, janë të panumërta. Pra ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot sesi funksion Gramozi me fytyrën e tij të vrenjtur, është në fakt se Gramozi është kryepatronazhisti i PS. Unë çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjithë punën e patronazhistëve”, tha mes të tjerash Rama.

Më tej Rama tha se kontributi në PS nuk duhet të shërbejë për favorizimin e të afërmve e miqve. Kryeministri foli edhe për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, e cila sipas tij nuk mund të realizohej pa kontributin e PS.

Duke përmendur rastin e Erion Veliajt, i cili ndodhet në qeli, Rama tha se PS nuk po punon për lirimin e tij, pavarësisht nëse arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës mund t’u duhet i padrejtë. Kjo sipas Ramës e dallon PS-në nga opozitë në Shqipëri.

"Më besoni që nuk ka qeveri që hyri në histori se ndërtoi rrugë, një qeveri hyn në histori përsa ka kapacitet të ndërtojë shtet. Sot ne jemi këtu në 35-vjetorin e PS-së së Tiranës, pikërisht sepse nuk jemi si ata të tjerët. Nuk jemi duke kërkuar lirimin e të burgosurit Erion Veliaj, sepse kjo nuk është çështja jonë. Sado e padrejtë të na duket ne, jemi këtu për t’i lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër”, tha Rama.

Në eventin e zhvilluar sot për 35-vjetorin e PS dega Tiranë, u vlerësuan me medalje ari disa personalitete të rëndësishme të kësaj force politike, për kontributin e tyre ndër vite në Partinë Socialiste. Mes të vlerësuarve me medalje ari ishin figura si ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ish-presidenti, Rexhep Mejdani, kryetari i parë i grupit parlamentar të PS, Namik Dokle, ish-kryeministri Ylli Bufi, ish-kryetarë të PS në Tiranë, Musa Ulqini, Halil Lalaj dhe Besnik Baraj si dhe ish deputetë e themelues të PS, Valentina Leskaj, Anastas Agjeli, Hamdi Jupe, Maqo Lakrori, Luan Shaullari dhe Sajmira Pino.

Pas 'dekorimit' me medalje të artë të personaliteteve socialistë, festës së 35-vjetorit të PS iu bashkua edhe grupi muzikor 'West Side Family', të cilët performuan me një këngë të kënduar vite më parë bashkë me kryeministrin Edi Rama.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:11
‘Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër’, Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të ardhmen e vendit.

Gjatë takimit me socialistët në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Tiranë, Rama tha se përballja e sotme nuk është një betejë që kërkon sakrifica të jashtëzakonshme, por angazhim qytetar dhe patriotik për të çuar përpara interesin kombëtar.

Sipas Ramës, mbështetja për Partinë Socialiste në këtë fazë lidhet drejtpërdrejt me objektivin strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Të rreshtohesh sot me PS-në është të rreshtohesh me fuqinë e shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë krenare aty ku për shumë kohë është parë si një vend me bisht”, deklaroi kryeministri.

Ai paralajmëroi se jo të gjithë aktorët politikë, brenda dhe jashtë vendit, e mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Nuk është një luftë më armë, nuk i kërkohet njeriu të shesë pasurinë për kauzën. Gjëra që i kanë bërë rilindasit tanë, heronjtë tanë. Nuk i kërkohet njeriu të bëjë asgjë më shumë se qytetarin e mirë e patriot. Të reshtohesh sot me PS është të rreshtohesh me fuqinë e shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë krenare aty ku është parë si një vend me bisht. Mos kujtoni se të gjithë e duan Shqipërinë në BE. Në çdo shtet të Europës ka forca që nuk e duan, këtu në Shqipëri ka forca që punojnë kundër Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pra po na rrëshqiti ky moment, jo për të mbuluar gabimet apo për të mos dalë e treguar kazanët me plehra, por për t’i mbajtur sytë te horizonti. Nuk do të jetë e lehtë do të jetë edhe më e vështirë”, tha Rama në takimin me socialistët në 35 vjetorin  e PS në Tiranë.

Ora 20:35
VIDEOLAJM/ Mes ndërtimeve pa leje, kaosit e papastërtive, kontrasti i dukshëm i Tiranës së sotme me atë të prag-viteve 2000! PS publikon pamjet

Në aktivitetin e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve për 35-vjetorin e PS dega Tiranë, është pasqyruar ndryshimi rrënjësor që ka përjetuar kryeqyteti gjatë këtyre viteve.

Përmes disa pamjeve të publikuara, është nxjerrë na pah kontrasti i Tiranës së para viteve 2001, ku vihej re një mungesë e theksuar e infrastrukturës, prezencë e kaosit dhe mungesë e hapësirave publike, me atë të pas vitit 2001, kur në krye të bashkisë erdhi Edi Rama, por edhe në Tiranën e sotme, ku në krye të bashkisë qëndron Erion Veliaj.

Në Tiranën e pas vitit 2001, ndryshe me periudhën paraardhëse, nga pamjet e publikuara në Pallatin e Kongreseve, vihet re ndërtimi i një qyteti modern, me hapësira publike dhe infrastrukturë bashkëkohore.

Ndërkohë video që tregonte Tiranën e para viteve 2001 shoqërohej edhe nga një audio e kryeministrit, i cili shpjegonte se si ishte situata në ato vite në kryeqytet.

“Kush nuk e ka jetuar Tiranën e prag-viteve 2000, nuk ka si beson se këto foto janë kryer rrugëve të saj në ato kohë. Sheshi Skënderbej, dikur hapësirë boshë që mbushej vetëm për manifestimet e mëdha të diktaturës së proletariatit, kthyer në një boshllëk të zymtë, ku lypësat laheshin në shatërvanet e vjetër. Lana, e zhdukur mes 2 trenave të gjatë godinash të ndërtuara pa leje, ku derdheshin e hidheshin plehrat që kalbeshin në rrjedhën e saj kundërmuese, e cila kur binte shi fryhej e dilte nga shtrati për të përmbytur rrugën. Veturat e vjetra astmatike shtoheshin në një trafik të rrëmujshëm, ndërkohë që autobusët urbanë plakeshin ndërkohë që mbyshnin kolonën zanore të kryeqytetit me grahmat e tyre të fundit. Gjëja e gjallë therej e shitej në kthina e kthesa lagjesh, ku hidhej shtresa e parë e sipërmarrjes së vogël. Spitalet, shkollat, godinat e vjetra të institucioneve ishin shëmbëlltyra europiane e botës së tretë. Qyteti rrethohej nga endacakët e periferive të Shqipërisë, në kërkim të Amerikës së tyre të vogël, të cilët ngrinin shtëpitë e tyre me paratë e familjarëve në emigracion”, ka thënë Rama në audio-mesazhin që ka shoqëruar videon ku paraqiteshin pamje nga Tirana e viteve 2000.

Ora 20:09
Rama: Kismet Meta u bë ‘kismeti’ për Shqipërinë 2030 që atëherë! Musa Ulqini më dha kartën e anëtarësisë së PS pa lejen e Fatos Nanos (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer sot në eventin për 35-vjetorin e themelimit të PS dega Tiranë, një pjesë të rrugëtimit të tij në PS.

Rama tha se ishte Musa Ulqini ai që i dha kartën e anëtarësisë në PS pa lejen e ish-kryesocialistit Fatos Nano.

Sipas kryeministrit, Kismet Meta u bë ‘kismeti’ i PS për Shqipërinë 2030 që atëherë, duke iu referuar këtu kandidimit të tij (Edi Ramës) për kryetar të Partisë Socialiste asokohe.

“Dua t’ju them në mbyllje, ti ke një meritë Musa, që më ke dhënë mua kartën e PS pa lejen e Fatos Nanos. Unë të thoja ‘ku është organizata Musa?’ edhe ti qeshje edhe më thoje ‘ç’të duhet organizata’. Unë jetoja me qira te Rruga e Elbasanit, ishte një dhomë e një kuzhinë atje. Flija diagonal. Kismet Meta u bë kismeti i PS për Shqipërinë 2030 që atëherë. Edhe Kismeti... Emri Edi. Edvin më tha. Jo i thashë, Edi. Emrin që më kanë vënë nuk e kam pranuar, e kam ndërruar. Sot më thoshte dikur pse nuk ndërron edhe emrin e PS. I thas PS do ta keni këmba këmbës derisa... I thashë jo vetëm që nuk do ndërrojmë emrin e PS, por nëse doni që të shpëtoni nga PS, futuni në PS, që të ndiheni pjesë e fitoreve. Kur i thashë Musait që do garoja për kryetar të PS, i iku pini, por i futi pukun pastaj”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 20:02
Rama ironizon sulmet ndaj tij: Do ju thonë edhe që ha fëmijë, po ua them vetë që mos të habiteni (VIDEO)

Në takimin që zhvilloi sot me socialistë të Qarkut Tiranë, Edi Rama u tha anëtarëve të Partisë Socialiste se relievi i rrugës drejt Bashkimit Europian tani bëhet më sfidues për shkak se procesi është drejt finalizimit, ndaj u kërkoi durim të shtuar dhe të përçojnë te shqiptarët optimizmin e arritjes së qëllimit.

"Do të jetë gjithmonë e më e vështirë, sepse maja është dhe gjithmonë e më afër. Përdor Ethemi tha: “Mos e lodhni Edi Ramën, ditën që ata do më lodhin mua, unë nuk jam më këtu”. Këta nuk më lodhin mua akoma, se fle para gjithë këtyre dhe zgjohem para gjithë këtyre, se për këtë më kanë vënë në krye",- tha Rama.

Kryesocialisti dhe kryeministri nuk kurseu ironitë për sulmet në drejtim të tij.

"Mbase nuk e keni dëgjuar se unë ha fëmijë. Nuk ju ka ardhur akoma lajmi, po dua t’jua them edhe këtë",- tha Rama.

Ora 19:51
Rama: Kush i thotë vetes socialist ka 1001 arsye të thotë ‘të dhj*fsha partinë’, por ka një arsye të madhe për të qenë krenar! PS kontributore kryesore e çështjes Kombëtare

Kryeministri Edi Rama është shprehur se kontributi në PS nuk duhet të shërbejë kurrë për kërkimin e favoreve për veten, familjarët e të afërmit.

Komentet Rama i bëri gjatë fjalës së tij në 35-vjetorin e themelimit të PS dega Tiranë, ku rrëfeu edhe një historik të shkurtër që nga anëtarësimi i tij në PS, deri në garimin për kryetar të kësaj force politike.

Më tej kryeministri tha se çdo socialist ka 1001 arsye për të thënë ‘të dhjefsha partinë’ por sipas Ramës, ka një arsye të madhe për t’u ndjerë krenar. Kjo pasi sipas Ramës, PS është forca kryesore që ka kontribuar në çështjen kombëtare.

“Një gjë dua t’ju them të gjithë atyre socialistëve, që në emër të punës që bëjnë, kërkojnë favore, që për atë që kanë bërë, partia duhet t’u rregullojë dhëndrin në punë. Cili hero i Luftës Nacional Çlirimtare do ta kërkonte këtë favor në emër të gjakut të tij? Përkundrazi. Çdo hero e dëshmor që është atje te varrezat, çdo pensionist veteran që sot është në botën tjetër, sot ndihet i poshtëruar, nga përdorimi i kontributit për të rregulluar dhëndrin. Ne jemi në mandatin e katërt, jo se nuk kemi bërë nga këto, por sepse njerëzit e dinë që jemi të vetmit në këtë vend që e njohim një kufij moral me njerëzit. 

Dritëro Agolli këtu tha atë që të tjerët e thonin pastaj në kor pas disa muajsht. Por kur e tha këtu ishte tradhtari. Qeveritë e PS janë akuzuar shpesh për tradhti ndaj kauzës kombëtare. Por unë po ju them një gjë, që nëse Shqipëria ka një arkiv për të gjithë kontributorët e çështjes kombëtare dhe nëse rilindasit tanë janë në krye të asaj arkive, duhet ta dini shumë mirë të gjithë se kush është socialist ka 1001 arsye që të thotë ‘të dhjefsha partinë’, por ka 1 arsye të madhe për të qenë krenar, sepse në atë listë është PS si kontributore”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 19:39
35-vjetori i PS në Tiranë, Rama: Nuk jemi duke kërkuar lirimin e Veliaj, sado e padrejtë të na duket ne (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha nga Tirana në aktivitetin me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, tha se Partia Socilaiste u ballafaqua me më të keqen që mund të përballej një opozitë.

"PS u ballafaqua pas lindjes së saj në një hapësirë lirie jodemokratike. Ishte liri, secili mund të bënte çfarë të donte, por nuk ishte demokraci. PS u ballafaqua me më të keqen që mund të ballafaqohet një opozitë", tha Rama.

Rama kujtoi gjithashtu periudhën kur ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, u burgos, duke e cilësuar atë si një figurë me kontribut të rëndësishëm për partinë dhe shtetin.

“Kryetarin e vet e pati në burg për disa vite, politikisht të dënuar. Fatos Nano ka një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse doli nga burgu duke kërkuar shtet jo hakmarrrje, me sensin e tij të lidershipit dhe përgjegjësisë", tha Rama.

Rama shtoi se në këtë 35-vjetor janë pikërisht se nuk janë si të tjerët (opozita), teksa nënvizoi se ata nuk janë duke kërkuar lirimin e kryebashkiakut Erion Veliajn, sado e padrejtë mund të jetë.

"Më besoni që nuk ka qeveri që hyri në histori se ndërtoi rrugë, një qeveri hyn në histori përsa ka kapacitet të ndërtojë shtet. Sot ne jemi këtu në 35-vjetorin e PS-së së Tiranës, pikërisht sepse nuk jemi si ata të tjerët. Nuk jemi duke kërkuar lirimin e të burgosurit Erion Veliaj, sepse kjo nuk është çështja jonë, sepse në Shqipëri nuk ka të burgosur politikë dhe sepse sado e dhimbshme të jetë mungesa e tij, sado e padrejtë të na duket ne, ne  jemi këtu për të bërë histori dhe për t’i lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër, kemi vetëm një detyrë jashtëzakonisht të vështirë”, tha Rama.

Ora 19:29
Rama batuta me Gramoz Ruçin: E shkatërrove PD-në duke çuar atje spiunët e komunizmit (VIDEO)

Kryesocialisti theksoi se PS është forca politike më antikomuniste e Shqipërisë, e cila i ka qëndruar pranë si asnë parti tjetër, të persekutuarve politikë të regjimit komunist.

"Po ju jap një shembull, i cili lidhet me dëmshpërblimin e të gjallëve të dalë nga burgjet e komunizmit. Nëse s’do të kishte PS në qeveri në 2013, të burgosurit e vërtetë politikë të dalë nga burgjet dhe që do ishin akoma gjallë, do kishin në atë botë pa marrë dëmshpërblimet, sepse honxhobonxhot kishin prishur radhën dhe kishin shkuar te të tretët",- tha Rama

Kryesocialsti nuk kurseu as batuat me Gramoz Ruçin, për fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri.

"Nuk e di a ka qenë në planin tënd, Gramoz, që të shkatërroje PD-në duke çuar spiunët atje",- tha Rama.

Ora 19:27
35-vjetori i PS Tiranë, Gramoz Ruçi: Të marrim edhe mandatin e pestë! Mbështesni vizionin e Ramës për Shqipërinë Europiane

Ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi është vlerësuar me medalje të artë, për kontributin e tij në Partinë Socialiste, gjatë 35-vjetorit të themelimit të PS dega Tiranë.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Ruçi tha se ishte i bindur se PS do të fitonte edhe mandatin e 5-të qeverisës.

Më tej Ruçi u kërkoi socialistëve të mbështesin vizionin dhe këmbënguljen e kryeministrit Edi Rama për Shqipërinë Europiane.

“Të dashur socialistë të Bashkisë Tiranë, Bashkisë Kamëz, Bashkisë Vorë, Bashkisë Kavajë dhe Bashkisë Rrogozhinë. Unë e kam të vështirë se më erdhi radha të parit të them dy fjalë. Kjo mirënjohje nuk është për mua dhe as për shokët e mi, sepse mirënjohja më e madhe për ne ishte ai besim që na dhanë socialistët ndër vite, për të qenë përfaqësues të tyre. Prandaj mirënjohja ime është për çdo drejtues të PS-së dhe për çdo kryetar organizate. Mirënjohja shkon për drejtuesit e PS sot, për Kryesinë e PS, për Grupin Parlamentar të PS dhe për qeverisjen e PS. Për ne të djeshmit drejtues të PS, është shumë sinjikativ fakti që në këtë 35 vjetor, kur shikojmë PS-së në pikëpamjen numerike, jo vetëm që nuk është rrudhur, por është zmadhuar. Jemi shpresplotë që PS sot është më vitale, më e fortë, më progresive dhe mandati i katërt është pak, ajo sigurisht do të sigurojë edhe mandatin e pestë. Amanet për drejtuesit e rinj të Kryesisë, të Asamblesë Kombëtare, do të kisha 2 gjëra: ‘e para, duajeni anëtarin e thjeshtë të PS, duajeni dhe respektojeni votuesin e PS, gjendjuni atij në gëzime e hidhërime. Nëse nuk ja zgjidhni hallin, qajani. I fundit apel që kam, është mbështesni vizionin e Edi Ramës për Shqipërinë 2030. Mbështesni ambicien e Ramës për integrimin e Shqipërisë në BE. Mbështesni energjitë e Ramës për ta qeverisur Shqipërinë më mirë. Mbështesni përkushtimin dhe këmbënguljen e Ramës. Jam i bindur se duke bërë këto, fitorja e PS në 2029 është e sigurit”, tha mes të tjerash Ruçi.

Ora 19:24
35-vjetori i PS/ Rama: Ruçi me fytyrë të ngrysur qëndroi në majë pa Facebook, Instagram e Tiktok, por sepse kurrë nuk humbi kontaktet me njerëzit! 'Kryepatronazhist' (VIDEO)

I pranishëm në eventin për 35-vjetorin e PS-së, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se e vlerëson maksimalisht punën e patronazhistëve të Partisë Socialiste.

Duke veçuar Gramoz Ruçin si kryepatronazhistin e PS-së, Rama tha se ish-kryeparlamentari ka bërë për Partinë Socialiste më shumë se të gjithë të tjerët, duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët.

“Nuk dua t’ju mbaj gjatë. Jam këtu për t’ju thënë disa fjalë. Dua ta nis me frymëzimin që më dha dalja e Gramozit këtu, që më kujtoi një fjalë të legjendarit Fate Velaj, i cili, kur u bë deputet i PS-së, pas disa kohësh tha: ‘Çfarë misteri është ky me këtë njeri, 35 vite me fytyrën e ngrysur? Ky duhet të jetë një profesion më vete’, tha. ‘Se ne u meruam duke qeshur, por nuk na ndjek njeri nga pas siç ndjekin këtë’.

35 vite Facebook jo, Instagram jo, TikTok jo e jo. Por që kur ka dalë telefoni celular, asnjë SMS s’ka bërë akoma deri tani që flasim. I punon telefoni vetëm në marrje SMS-sh. Intervista në media ka dhënë tre e gjysmë.

Si shpjegohet kjo? Në fakt, kjo e ka shpjegimin te telefoni. Sepse askush nga ne nuk i ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug. Askush nga ne nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe sot: jo vetëm t’i përgjigjet çdo njeriu, jo me SMS, sepse është kuadër i vjetër dhe thotë ‘mos lër gjurmë’, por me telefon. Ata shkruajnë, ai përgjigjet.

Por, po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vizita, për ngushëllime, për dasma e pagëzime, janë të panumërta. Pra, ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot se si funksiononte Gramozi me fytyrën e tij të vrenjtur, është në fakt se Gramozi është kryepatronazhisti i PS-së.

Unë çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjitha punën e patronazhistëve”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 18:50
35-vjetori i PS, Balla: Projekti i Power Holding në Zvërnec është investimi që e fut Shqipërinë në “Ligën e Kampionëve” të turizmit ndërkombëtar

Drejtuesi Politik i Qarkut Tiranë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka mbështetur investimin që pritet të bëhet në Zvërnec, gjatë aktivitetit të organizuar për 35-vjetorin e krijimit të PS-së në Tiranë.

Teksa ka folur për investimet strategjike, Balla ka veçuar projektin e Power Holding në Zvërnec, për të cilin tha se do ta vendosë Shqipërinë në “Ligën e Kampionëve” të turizmit ndërkombëtar.

“Ne jemi të vetmit që do ta përmbyllim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne jemi të vetmit që do ta fusim Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror”, u shpreh ai.

Më tej Balla e cilësoi Partinë Socialiste si forcën politike që ka dhënë kontributin kryesor në ndërtimin e shtetit shqiptar modern, gjatë aktivitetit të organizuar për 35-vjetorin e krijimit të PS-së në Tiranë.

Në fjalën e tij, Balla kujtoi mesazhin e Fatos Nanos në themelimin e partisë më 12 qershor 1991, duke theksuar se angazhimi për ta bërë Shqipërinë një shtet demokratik dhe europian është përmbushur përmes kontributit të socialistëve në qeverisje dhe opozitë.

Sipas Ballës, Partia Socialiste ka fituar 15 nga 20 betejat elektorale në këto 35 vite dhe ka shënuar 9 fitore në 10 zgjedhje me Edi Ramën në krye të saj.

“Partia Socialiste ka meritën kryesore në Shqipëri të bërjes shtet”, deklaroi Balla, duke renditur si arritje forcimin e institucioneve, rritjen ekonomike, zhvillimin e turizmit, rritjen e investimeve të huaja dhe afrimin e vendit me Bashkimin Europian.

Ai tha se Shqipëria është sot më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa vlerësoi rolin e PS-së në proceset kyçe të shtetformimit, nga miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, mbështetja për çlirimin e Kosovës, integrimi në NATO dhe hapja e negociatave me Bashkimin Europian.

Balla ndaloi veçanërisht te reforma në drejtësi, të cilën e cilësoi reformën më të rëndësishme në 104 vite shtet shqiptar.

Sipas tij, pas miratimit të saj në vitin 2016, në Shqipëri janë krijuar dy kampe të qarta politike: ‘ata që mbështesin reformën në drejtësi dhe ata që e kundërshtojnë atë.’

Fjala e plotë e Taulant Ballës:

Faleminderit Ogerta, në parlament shumë herë  flas pa letër, po sot i kam mbledhur disa mendime.

Dhe po e filloj me një fjali që tha Fatos Nano 35 vite më parë, në 12 qershor, por këtu në këtë sallë.

Faleminderit!

“Ne do ta bëjmë këtë vend. Askush nuk e bën tjetër!”- tha Fatos Nano më 12 qershor 1991 dhe ky angazhim u konfirmua si një kontribut konseguent i Partisë Socialiste, qoftë kur shqiptarët na besuan të qeverisim vendin, por edhe atëherë kur qëndruam në opozitë, me kontributin cilësor në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

Partia Socialiste ka fituar 15 nga 20 betejat elektorale në këto 35 vjet, duke shënuar rekordin historik të padiskutueshëm: 9 fitore në 10 beteja me Edi Ramën në krye të Partisë Socialiste.

Nëse dikush do më kërkonte të mblidhja në një fjali kontributin e partisë sonë në 35 vjet, atë do ta formuloja kështu:

Partia Socialiste ka meritën kryesore në Shqipëri të bërjes shtet, me institucione funksionale, shërbime europiane, ekonomi që rritet, 3 herë më e madhe ekonomia në 2025-ën sesa në 2013-ën; shoqëri me drejtësi e barazi para ligjit; një vend atraksion turistik e shtet me miq e partnerë ndërkombëtarë, me të cilët bashkëpunon me dinjitet në çdo plan dhe di të respektojë të tjerët, por duke respektuar vetveten në radhë të parë.

Sot, falë Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe lidershipit historik të Edi Ramës, Shqipëria është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kurrë nuk kemi qenë më afër sesa sot.

E ndërsa jemi në ditë ditëlindjeje, hedhim sytë pas. Kontributi i socialistëve ka spikatur në momente të vështira e delikate, të cilat ka kaluar Shqipëria jonë në ngjarje me ngarkesë të madhe politike.

E filluam me refuzimin e tentativës për uzurpimin e demokracisë me projektkushtetutën e vitit 1994.

Denoncuam manipulimin e zgjedhjeve të 26 majit dhe 20 tetorit në 1996-ën nga regjimi i Saliut.

Ringritëm shtetin pas falimentimit të krizës dhe rindërtuam shtetin prej korrikut të 1997-ës,  miratuam Kushtetutën në 1998-ën.

Kontribut i pazëvendësueshëm i Partisë Socialiste gjatë luftës për çlirimin e Kosovës.

Dhe po gjatë vitit 1999, Shqipëria mori Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO.

Dhe më 31 janar 2003 filluam zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian.

Beteja për transparencën e zgjedhjeve dhe denoncimi i korrupsionit që kulmuan me protestën e 21 janarit 2011.

Morëm statusin e vendit kandidat në vitin 2014.

Dhe pastaj Rilindja Urbane, sot me Paketën e Maleve, transformimi i infrastrukturës, Shqipëria porta më e madhe hyrëse ajrore e Ballkanit Perëndimor, numra rekord turistësh, shumëfishimi i eksporteve në bujqësi, rritja e kapaciteteve energjetike, qindra shkolla, spitale, qendra shëndetësore kudo në Shqipëri.

Gati 3 herë më shumë investime të huaja direkte në një vit.

Duke kulmuar me investimin e Poëer Holding në Zvërnec, që do ta vendosë Shqipërinë tonë në Ligën e Kampionëve në turizëm.

Propozuam në vitin 2008, kur ishim në opozitë, hartuam dhe miratuam reformën në drejtësi në vitin 2016, reforma më e rëndësishme në 104 vite shtet shqiptar.

Prej atij momenti kur miratuam reformën në drejtësi, në Shqipëri u vendosën përballë dy fronteve.

Fronti i Partisë Socialiste dhe gjithë progresistëve që mbron reformën në drejtësi dhe përballë nesh të gjithë të tjerët që janë kundër Partisë Socialiste, që janë kundër reformës në drejtësi.

Por, motra e vëllezër socialistë, në këtë 35-vjetor jemi në një moment historik.

Ne jemi të vetmit që do ta përmbyllim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Dhe ne jemi të vetmit që do ta fusim... se unë futbollin e kam qejf...Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror.

Prandaj, motra e vëllezër, rroftë Shqipëria, rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë.

R.Xh/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 19 Qershor, 13:51

    A kanë të drejtë SPAK dhe gjykatat të ndalojnë prezencën e kamerave gjatë seancave publike?