Kreu i PD-së Sali Berisha në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në Kavajë i dha një ultimatum kryeministrit Edi Rama se nëse tenton të bllokojë drejtësinë të hetojë ministrat e tij që kanë vjedhur, populli i Kavajës dhe jo vetëm do jetë në protesta.

Teksa vijoi me retorikën se votat në zgjedhje janë vjedhur, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të jap dorëheqjen dhe të largohet nga qeveria.

‘Kam zgjedhur Kavajën ti jap ultimatum mos guxo, të mbrosh me votat e rrëmbyera hajdutët e qeverisë, sepse ne që në vitet 90 u ngritëm me një motiv të shenjtë për të mbrojtur lirinë, përsëri jemi në këmbë, përsëri jemi të gatshëm me motivin ja të vdesim ja të rrojmë për liri. Ndaj dhe nga Kavaja i bëj thirrje mos pengo drejtësinë largohu nga pushteti. Je sjellë ndaj shqiptarëve si armiku më i egër në tërë historinë e tyre’, tha ai.

Berisha tha se mazhoranca ka tentuar këto vite të zhdukin pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike, por sipas tij demokratët ja kanë dalë të qëndrojnë të fortë.

‘Viti 2013 solli në pushtet një bandë kriminale, solli në pushtet pasardhësit e atyre të cilët 45 vite shtypën me egërsinë më të madhe qytetarët shqiptarë. Përpjekje të jashtëzakonshme u bën që fshinë nga harta e pluralizmit Shqipërinë, të shuajnë PD si parti sovrane të shpirtit dhe zemrave tuaja. Sot PD vjen në Kavajë, po aq e vendosur sa ditën e themelimit të saj të rrëzojë diktaturën e dytë të bazauar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Sot PD ja doli me mbështetjen tuaj dhe demokratëve jo vetëm të qëndrojë e fuqishme por të mbrojë votën  e shqiptarëve. Sot është qartësuar në 4 anët e botës se Edi Rama vodhi votën s’bëri zgjedhje por bëri farsë elektorale. Bën gjithçka të shtypë dhe shuaj pluralizmin. Ka bllokuar çdo hapësirë në parlament. çdo pushtet në duart e tij. Përdorë të gjitha mjetet, kundër opozitës dhe qëndrestarëve opozitarë. Pasi vodhi shqiptarët dhe i largoi nga Shqipëria më shumë se në çdo kohë tjetër', tha ai. 

Nga Kavaja, Berisha tha se kryeministri Edi Rama qëndron në pushtet jo për shkak të mbështetjes popullore, por sepse, sipas tij, opozita ende nuk është ngritur siç duhet për të rrëzuar qeverinë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të nisin një “betejë pa kthim” deri në fitoren e Partisë Demokratike.

'Edi Rama qëndron në pushtet jo se është trim dhe jo se ka mbështetje sepse nuk ngrihemi ne, por ne do të ngrihemi, ne nuk pranojmë kurrë një regjim si ky. Ftoj qytetarët e Kavajës dhe të mbarë shqiptarët që të nisim betejën pa kthim deri në fitoren e PD', tha ai.