37 akademikë shqiptarë mbrojnë
Qosjen: Sulmet ndaj tij provokuese

37 akademikë shqiptarë mbrojnë<br />Qosjen: Sulmet ndaj tij provokuese
TIRANE- Përmes një letre të hapur 37 akademikë dhe profesorë shqiptarë kanë reaguar ndaj akuzave që kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, ka bërë kundër akademikut Rexhep Qosja.

Në një shkrim të botuar më 19 shkurt 2014, Hifti Islami  e quante profesor Rexhep Qosjen, edhe ky anëtar i Akademisë së Kosovës si  "egocentrist i kompleksuar, halucinanti e linçuesi, përçarësi më i madh i kombit."

Pas kësaj 37 profesorë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përmes një letre të dërguar në media deklarojnë se institucioni distancohet nga deklaratat.  Se sulmet e Islamit janë provokuese dhe prof. Qosja është një figurë poliedrike, krijues e shkencëtar i përmasave kombëtare.

Në reagimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akuzat kundër Rexhep Qosjes cilësohen si “agresion i hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor, me një gjuhë dhe fjalor të papajtueshëm me normat e etikës profesionale dhe të moralit akademik”. “Prof. Rexhep Qosja është një personalitet poliedrik, protagonist i vijës së parë të intelektualëve që profesionin e tyre si njerëz të dijes e të letrave e përjetojnë si një mision patriotik e qytetar."

"Institucioni distancohet nga çdo deklaratë që provokon opinionin shoqëror me akuza personale, emocionale, të papranueshme për etikën e komunikimit intelektual dhe të ligjërimit intelektual, duke vlerësuar punën intelektuale të kujtdo që kontribuon në fushën e letrave dhe në çdo fushë të krijimtarisë, duke qenë e angazhuar për bashkëpunimin e forcave intelektuale të kombit, dhe jo për përjashtimin, përçarjen a përbaltjen e tyre, parapëlqen të mos përfshihet në një debat joshkencor e për pasojë joproduktiv, prej të cilit do të dëmtohej misioni shkencor që kanë marrë përsipër akademitë tona, proceset e integrimeve kulturore kombëtare dhe tradita e mirë e bashkëpunimit midis institucioneve tona”- thuhet në letrën e akademikëve.

"Kontributet e tij të shënuara intelektuale dhe për çështjen kombëtare, siç e dëshmon një bibliotekë e tërë veprash shkencore, letrare dhe historike, krijuar prej tij, dëshmojnë se prof. Qosja është përfshirë në proceset e jetës sonë këtë gjysmëshekulli që shkoi, jo vetëm me talentin e një krijuesi e shkencëtari të përmasave kombëtare, jo vetëm me përkushtimin e një atdhetari, jo vetëm me njohjen dhe erudicionin e tij të gjerë e të thellë, por edhe me guximin qytetar dhe me shpirtin kritik e antikonformist për të mos u pajtuar me asgjë që dhunon të vërtetën.”, shkruhet në këtë reagim, i cili shoqërohet edhe me një apel nga firmëtarët se “Momenti historik që po kalojmë na shtyn t'i bëjmë thirrje ndërgjegjes intelektuale të kombit, për të reflektuar për përgjegjësitë e saj para popullit tonë dhe përpara historisë”- vazhdon më tej letra.

AKUZAT E ISLAMIT PER QOSJEN
Në shkrimin me titull- "55 pyetje për “Atin” e Kombit Rexhep Qosja"-  Hivzi Islami shkruan me mllef e sharje ndaj figurës së akademikut Rexhep Qosja pas një interviste të këtij të fundit dhënë Rudina Xhungës. 

Në portretin e Islamit për Qosjen ka përcaktime të tilla si “egocentristi i kompleksuar, haluçinanti e linçuesi; psikopati për skena e prapaskena; megalomani, narcisoidi, frikacaku, gënjeshtari, hipokriti, shpifësi monstruoz dhe intriganti i kombit; ndotësi i mjedisit kulturor, kombëtar dhe shoqëror; i sëmuri i botës shqiptare; përçarësi më i madh i kombit; kacagjeli nihilist”, etj, etj.,

Më tej, Hivzi Islami ai bën një listë me 55 pyetje për Qosjen, ku tenton të provokojë me teza të tilla si “Pse nuk munde t’i jepje provimet në shkallën e tretë në Beograd? Cilat ishin pengesat?”; “Sa herë e takove kryetarin e Jugosllavisë së Zhablakut (1992-1993), “babain” e kombit serb, Dobrica Qosiqin, në Manastirin Prohor Pçinjski?; Çka bisedove me Qosiqin për ndarjen e Kosovës?”


KUSH FIRMOSI LETREN KUNDER HIFZI ISLAMIT
Reagimi është firmosur nga akademikët, duke nisur që nga kryetari i AASH-së, akademik Myzafer Korkuti. 

1.Akademik Arben Puto
2.Akademik Luan Omari
3.Prof. Dr. Rexhep Meidani
4.Akademik Jorgo Bulo
5.Akademik Besim Elezi
6.Akademike Floresha Dado
7.Akademik Petraq Petro
8.Akademik Muzafer Korkuti
9.Akademik Ethem Likaj
10.Akademik Salvator Bushati
11.Akademik Vasil Tole
12.Akademik Asoc. Anesti Kondili
13.Akademike Asoc. Efigjeni Kongjika
14.Akademik Asoc. Kosta Barjaba
15.Prof. Dr. Paska Milo
16.Prof. Dr. Pëllumb Xhufi
17.Prof. Dr. Nasho Jorgaqi
18.Prof. Dr. Petrit Malaj
19.Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
20.Prof. Dr. Sabit Brokaj
21.Prof. Dr. Ago Nezha
22.Prof. Dr. Afërdita Onuzi
23.Prof. Dr. Enver Hysa
24.Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
25.Prof. Dr. Ali Xhiku
26.Prof. Dr. Aleksandër Dhima
27.Prof. Dr. Zana Shuteriqi
28.Prof. Dr. Klara Kodra
29.Prof. Dr. Hajri Shehu
30.Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi
31.Dr. Moikom Zeqo
32.Dr. Ndue Zef Toma
33.Daut Gumeni
34.Limos Dizdari
35.Skënder Minxhozi
36.Agim Mero
37.Shpëtim Çuçka
 
Shkrimi u publikua sot (01.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Letra e Akademikëve

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar