Trump deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave për mbajtje të qëllimtë të dokumenteve sekrete

Ish-Presidenti Donald Trump u deklarua i pafajshëm para një gjykate në Majami, lidhur me akuzat për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare në periudhën pasi la Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021.

Dalja para gjykatës shënon ngritjen zyrtare të akuzave ndaj tij, që për shkak të interesimit të lartë, u bënë publike para disa ditësh.

Autoritetet federale kishin rritur sigurinë përreth godinës dhe zyrtarët e Majamit thanë se janë të përgatitur për të parandaluar dhunën e mundshme nga mbështetësit e zotit Trump dhe kundër-protestuesit.

“Në qytetin tonë, ne sigurisht që besojmë tek Kushtetuta dhe se njerëzit duhet të kenë të drejtën të shprehen”, tha gjatë një konference për shtyp të hënën Kryetari i Bashkisë së Majamit, Francis Suarez. “Por, ne gjithashtu besojmë tek ligji dhe rendi. Dhe e dimë, dhe shpresojmë, se e nesërmja do të jetë paqësore”.

Ngritja e akuzave zyrtarisht ndaj ish-presidentit, vjen pesë ditë pasi juria e madhe federale në Majami miratoi 37 akuza penale ndaj tij, 31 prej të cilave e akuzojnë ish presidentin për “mbajtje të qëllimshme” të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare, në shkelje të Ligjit të Spiunazhit.

Një ndihmës i zotit Trump, Walt Nauta, gjithashtu u akuzua në lidhje me pengimin e përpjekjeve të qeverisë për të marrë dokumentet.

Trump është i pari ish-president që përballet me akuza federale. Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që ndaj tij ngrihen akuza.

Ai përballet me akuza penale të një natyre tjetër në Nju Jork në lidhje me një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, gjatë fushatës së tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Gjatë seancës së të martës, gjykatësja do ta informojë zotin Trump për të drejtat e tij dhe do t’i lexojë akuzat e ngritura ndaj tij. Ai pritet që të vetëdeklarohet i pafajshëm.

Çështja i është caktuar Gjykatëses Aileen Cannon. Ajo është emëruar nga zoti Trump gjatë kohës që ai ishte president, dhe u kritikua për favorizim të ish-presidentit gjatë vendimeve që mori për këtë çështje vitin e kaluar.

Gjykatësja Cannon ua ndaloi për pak kohë hetuesve federalë shqyrtimin e dokumenteve të marra nga prona e zotit Trump, Mar-a-Lago, gushtin e kaluar dhe emëroi një ekspert të posaçëm për t’i shqyrtuar ato. Por, një gjykatë apeli e rrëzoi vendimin e saj, duke u shprehur se ajo nuk kishte autoritet për të marrë një vendim të tillë.

Akuzat ndaj ish-Presidentit Trump u ngritën bazuar mbi një hetim që filloi pasi ai thuhet se refuzoi përpjekjet e përsëritura të Arkivave Kombëtare për të dorëzuar dokumentet që ai kishte nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë dhe që i mbante në Mar-a-Lago.

Dokumenti federal radhit 31 akuza ndaj ish-Presidentit Trump për “mbajtje të qëllimshme” të informacionit të klasifikuar të sigurisë kombëtare, për secilin nga dokumentet që mori nga Shtëpia e Bardhë.

21 prej këtyre dokumenteve gjendeshin ndër mbi 100 dokumentet që FBI-ja i zbuloi gjatë kontrollit në Mar-a-Lago në gushtin e kaluar.

Akuza thotë se dokumentet përmbanin informacion të klasifikuar për programet bërthamore të Shteteve të Bashkuara, për pikat e dobëta të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve aleate në rast të një sulmi, si dhe planet për përgjigjen e mundshme ndaj sulmit. Akuza thotë se ekspozimi i këtyre dokumenteve mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Gjashtë akuzat e tjera – ku përfshihet pengimi i drejtësisë, konspiracion për të penguar drejtësinë dhe deklarimet e rreme – kanë të bëjnë me përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin dhe për të fshehur mbajtjen prej tij të dokumenteve të klasifikuara.

Trump pretendon se ka patur një urdhër për të çklasifikuar të gjitha dokumentet e zhvendosura nga Zyra Ovale për në rezidencën e tij brenda Shtëpisë së Bardhë.

Por, akuza thotë se ish-Presidenti Trump ishte i ndërgjegjshëm për ligjet në fuqi për informacionin e klasifikuar të sigurisë kombëtare dhe se i shkeli ato me dashje.

Në një rast në korrik 2021, zoti Trump akuzohet se ua tregoi një dokument për një “plan sulmi” një grupi prej katër personash, që nuk ishin të autorizuar të njiheshin me informacione të klasifikuara – një shkrimtari, një botuesi dhe dy punonjësve – në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi, duke u thënë atyre se dokumenti ishte “shumë i klasifikuar” dhe “sekret” dhe se ai nuk mundej më ta çklasifikonte atë.

Në një rast tjetër, në shtator 2021, zoti Trump i tregoi një hartë të klasifikuar një përfaqësuesi të organizatës së tij politike për fushatën elektorale, duke i thënë personit në fjalë se “nuk duhej t’ia tregonte dhe se ai nuk duhej të afrohej shumë” pranë hartës, thuhet në akuzë.

Pas paraqitjes së akuzave, zoti Trump pritet të lihet në gjendje të lirë. Data e fillimit të procesit gjyqësor ndaj tij mbetet e paqartë. Disa ekspertë thonë se mund të duhen muaj të tërë që të fillojë dhe se madje edhe mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Megjithë problemet e shtuara me sistemin gjyqësor, zoti Trump është i lirë të vazhdojë fushatën për president dhe është zotuar se do ta vazhdojë fushatën edhe nëse shpallet fajtor.

“Nuk do të largohem kurrë”, tha zoti Trump gjatë një interviste me revistën ‘Politico’ të shtunën.

Pas njohjes me akuzat, zoti Trump pritet të udhëtojë me avion drejt klubit të tij të golfit në Nju Xhersi, ku do të organizojë aktivitetin e parë për mbledhje fondesh për fushatën e tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024./VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:24
FOTO/ Skicat e Donald Trump në sallën e gjyqit, aty ku kamera ndalohet të filmojë! Ish presidenti do gjykohet nga gjyqtarja federale që vetë e emëroi

Janë bërë publike skicat e dhomës së gjyqit ku ish presidenti Donald Trump doli sot për tiu komunikuar akuzat federale për mbajtje të paautorizuar të dokumentave sekrete të sigurisë kombëtare kur u largua nga detyra dhe i gënjeu zyrtarët që kërkuan rikthimin e tyre.

Në krah të tij ishte ish ndihmësi, Ëalt Nauta edhe ai në akuzë dhe ekipi ligjor.

Skicat tregojnë ato momente të këtij procesi historik gjyqësor, kur kamerat nuk lejoheshin të ishin

Çfarë ndodhi në seancën sotme në gjykatën federale të Majamit

- Gjyqtari Jonothan Goodman urdhëroi Trump të mos komunikojë me Walt Nauta, ish ndihmësin e tij, gjithashtu i akuzuar në këtë çështje.

- U kërkoi prokurorëve të bënin një listë të dëshmitarëve të mundshëm me të cilët Trump nuk mund të komunikojë me ta në lidhje me çështjen – përveçse përmes avokatit.

- Nuk caktoi kufizime udhëtimi dhe as I bllokoi pasaportën

- Nuk vuri kushte financiare, apo kushte specifike. Prokurori David Harbach tha se “qeveria nuk e sheh asnjë të pandehur si rrezik për tu larguar".

- Si në rastin e parë, kur u padit nga një gjykatë në Nju Jork, Trumpit nuk iu vunë prangat por iu morën shenjat e gishtave. Nuk iu bë fotoja e zakonshme që u shkrepet të arrestuarve në momentin që ndalohen.

-Trump vetë u deklarua i pafajshëm dhe në përfundim të seancës u largua për në shtëpinë e tij.

Çfarë do të ndodhë më pas
Seanca e sotme (13 qershor) është fillimi i një procesi gjyqësor që ka të ngjarë të mos jetë i lehtë dhe që mund të zgjasë me vite. Ndërkohë që avokatët mbrojtës të Trump kanë të ngjarë të zvarrisin procedurat përtej vitit 2024, kur do të mbahen zgjedhjet për president të SHBA-së.

Prokurorët duan që Donald Trump të gjykohet në shtetin ku ndodhen akuzat e dyshuara. Gjykata ndodhet 2 orë larg banesës së Trump. Çështja do të gjykohet nga një gjyqtare federale që vetë Trump e ka emëruar Aileen Cannon

Pse në Florida?
Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që ndaj tij ngrihen akuza. Në Nju Jork Trump përballet me akuza penale në lidhje me një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, gjatë fushatës së tij elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ora 23:05
Pas akuzave, Donald Trump largohet nga Majami me avionin e tij "Trump Force One"

Për herë të parë në histori, një ish- presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës akuzohet për 37 akuza federale të ngritura nga qeveria federale që dikur ai e mbikqyrte.

Në daljen e tij të parë në një sallë gjyqi në Majami, ai u deklarua i pafajshëm, për dhjetëra akuza për krime që grumbulloi dokumente të klasifikuara dhe refuzoi kërkesat e qeverisë për t'i kthyer ato, por dhe akuza të tjera që përfshijnë dhe keqpërdorimin e dyshuar të dokumenteve ushtarake shumë të klasifikuara.

Trump do të lirohet pa pasur nevojë për të paguar një garanci. Gjithashtu nuk do të duhet të dorëzojë pasaportën e tij që do të thotë që nuk ka kufizime të lëvizjesve të tij. 

Më pas  BBC shkruan se pasi të mbarojë procedurat gjyqësore Trump do të largohet nga Majami me aeroplanin e tij privat, të quajtur “Trump Force One”

Ai do të vendoset në klubin e tij luksoz të golfit në Bedminister, Neë Jersey, ku pritet të mbajë një fjalim publik mbi procedurat penale që u bënë sot.

Ekspertët parashikojnë se mund të duhet një vit ose më shumë para se të zhvillohet gjyqi.

 

Ora 21:20
Shtëpia e Bardhë: Biden nuk është i përfshirë në aktakuzën ndaj ish-presidentit

1686684069_WhiteHouseWashington.jpg

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se presidentit Biden nuk është i përfshirë në aktakuzën ndaj ish presidentit Donald Trump.

Jean-Pierre u pyet në mënyrë të përsëritur në lidhje me pikëpamjet e Biden mbi aktakuzën, por nuk pranoi të përgjigjet. Ajo gjithashtu refuzoi i të pranonte se Presidenti ishte informuar për këtë çështje.

“Ne thjesht do të jemi shumë të vëmendshëm këtu në lidhje me Departamentin e Drejtësisë dhe thjesht do t’i lëmë ata të bëjnë punën e tyre. Ai nuk ishte i përfshirë. Presidenti ka qenë shumë, shumë i qartë: Departamenti i Drejtësisë është i pavarur”.- tha ajo.

G.MO/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor