TIRANE - Ka kaluar më shumë se një muaj nga zhdukja e djalit 10-vjeçar Julian Çelës dhe as familjarët, as miqtë, as policia nuk ka ende asnjë informacion për të. 10-vjeçari rezulton i humbur që prej 30 nëntorit 2012 dhe brenda javës do të shpallet zyrtarisht i humbur në faqen e Interpolit. Policia shqiptare ia ka kaluar dosjen për gjetjen e Julianit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

10-vjeçari ndiqte mësimin pasdite në klasën e pestë, në shkollën 9-vjeçare “Jeronim de Rada” në kryeqytet. Gazetari i tv A1 Report Arsen Rusta ka shkuar sot në këtë shkollë dhe ka takuar mësueset dhe shokët e shoqet e klasës së Julianit. Ata shprehen se 10-vjeçari ishte një djalë i shkathët, i mirë me mësime dhe shumë i shoqërueshëm me shokët dhe shoqet e klasës së tij.

Policia dyshon se 10-vjeçari është dërguar jashtë kufijve, pasi nuk ka asnjë të dhënë që të çojë në idenë e rrëmbimit për shkak të detyrës së të atit të Julianit, Skënder Çela i cili është nëndrejtor i Antiterrorit të SHISH, pasi ky i fundit nuk ka marrë asnjë kërcënim apo telefonatë për zhdukjen e djalit.

Fakti i dytë për të cilën policia dyshon për largimin jashtë kufijve të minorenit, është fakti se edhe pse një shifër e madhe të hollash është vënë në dispozicion për këdo që do të jepte një informacion të vogël, nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Është larguar me dëshirë apo është rrëmbyer, kjo është pjesë e hetimeve, pasi do të jenë ato që do të zbardhin më tej zhdukjen e Julianit 10-vjeçar.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)